E Diel, 1 Nëntor 2026

Pollo: Skandal, cmimet e celularëve në vend Shpresojmë për ulje

TIRANË- "Çmimet e përdoruesit të telefonit celular nuk janë një faqe e lavdishme në historinë e kompanive mobile në Shqipëri", cilësoi sot ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit, Genc Pollo.
Zyra e shtypit e MITIK-së bëri të ditur se në reagimin e tij ndaj çmimeve të tarifave të telefonit celular, Pollo deklaroi se "në këto 10 vite shqiptarët kanë paguar për celularët e tyre çmime, te cilat, të krahasuara me koston, kudo në botë do të ishin quajtur skandaloze".
"Megjithë uljet e çmimeve në 2-3 vitet e fundit, përsëri celularët tek ne kushtojnë më shumë se në Ballkan dhe në Evropë", vuri në dukje ministri.
Pollo bëri të ditur se "një analizë e tregut, e ndërmarrë nga rregullatori (AKEP), tregon se normat e fitimit të operatorëve mobilë me fuqi të ndjeshme në treg janë jonormale dhe joetike, sidomos kur mbështetet në superçmime për qytetarët e një vendi ku ka ende varfëri".
Ai tha se AKEP, bazuar në këtë studim tregu, ka hapur një konsultim publik për një reduktim të tarifave të terminimit të operatorëve mobilë.
"Shpresoj që operatorët të jenë bashkëpunues dhe që një ulje e pritshme e tarifave të terminimit të shoqërohet me uljen domethënëse të çmimeve të përdoruesit", ka përfunduar deklaratën e tij ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit, Genc Pollo.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›