E Diel, 1 Nëntor 2026

Prada vjen në Tiranë me koleksionin pranverë-verë 2009

Nga Fatmira Nikolli 

Shumë njerëz mund të mendojnë se Prada është ajo që është, është aty ku është, në një piedestal të lartë, sepse ka qenë me fat, sepse ka pasur një familje apo një mik që e ka ndihmuar, por ajo është aq lart falë punës, këmbënguljes dhe karakterit të saj. Modeste, feministe, kërkuese, e suksesshme, ajo është vetë mishërimi i një ëndrre fëmijërie dhe ka qenë pikërisht ajo ëndërr që e ka bërë të krijojë një perandori mode. Agatha Ruiz de la Prada, stilistja e famshme spanjolle ka ardhur dje në Shqipëri për të marrë pjesë në "Javën Shqiptare të Modës", ku paraqet koleksionin e saj të ri prêt-à-porter për sezonin e ardhshëm pranverë-verë 2009. Në një intervistë ekskluzive dhënë për "Gazetën Shqiptare", ajo flet për të gjithë jetën e saj, ëndrrat, botën e modës, frikën që ndjen ajo, por edhe qëllimet e mëdha të saj.
Dizenjo asimetrike, copa të derdhura, tunika të gjata apo fustane jashtëzakonisht të shkurtra për të veshur femrën si një "superwomen" në një botë me riciklime tërë ngjyra, në të cilën rrobat shumë të rehatshme nuk janë kurrë shumë të ngushta, kjo është surpriza e saj. Agatha Ruiz de la Prada është një femër që e urren vetminë, por nga ana tjetër është shumë optimiste.
Në koleksionin që do prezantosh në "Javën Shqiptare të Modës" përse ke zgjedhur stilin komik?
Unë nuk kam shumë koleksione për verën tjetër, por ky është stili im, sepse mua më pëlqen stili komik. Sepse ky koleksion përmban pjesën më komerciale. Koleksioni tjetër është më artistik, por atë e kam nisur për në New York, ndaj edhe e solla këtë në Shqipëri.
Pse përdorni pambukun në veshjet tuaja?
Mua më pëlqejnë materialet natyrale. Kam gjithë jetën që jam anëtare e "Partisë së Gjelbër" dhe i urrej rrobat e prodhuara me materiale të tjera.
Ndaj edhe ju jeni veshur me rroba pambuku?
Unë jam veshur gjatë gjithë jetës sime me rroba pambuku, sepse në fund të fundit është shumë i mirë edhe për lëkurën.
Si lindi ideja që të merrnit pjesë në "Albania Fashion Week"?
Shumë njerëz mund të kenë menduar se jam e çmendur që vij në Shqipëri, por unë isha shumë kurioze të vija këtu, dhe mendova se mbase nuk do të kisha një tjetër rast për të ardhur në vendin tuaj. Unë them se njerëzit kanë shumë energji dhe shumë dëshirë të mirë, ndaj edhe mendova se është momenti i duhur për të ardhur.
Çfarë opinioni ka në Spanjë për Shqipërinë, sepse ju thatë se shumë njerëz kanë menduar se jeni e "çmendur" që vini në Shqipëri?
Shumë njerëz nuk e kuptuan përse unë po vija në Shqipëri, por unë mendoj se mbase kjo është mundësia e vetme e jetës sime për të ardhur këtu, mbase jo, sepse unë mund të vij sërish.
Ju po thoni që erdhët në Shqipëri sepse ishit kurioze?
Domethënë arsyeja e ardhjes sime këtu është pak kuriozitetet, por unë mendoj se ju po bëni një përpjekje të madhe duke organizuar një aktivitet kaq të rëndësishëm për modën këtu në vendin tuaj, ndaj edhe erdha.
Cilës femër i drejtohen koleksionet tuaja. Femrës biznesmene, femrës së papunë, gazetareve, politikaneve, apo ...?
Unë kam shumë vite që punoj dhe gjithmonë kam veshur rrobat e stilit tim, ato që unë kam dizenjuar dhe bëj më të mirën time të mundshme, por koleksionet e mia nuk i dedikohen një gruaje të veçantë apo një shtrese sociale të veçantë. Në Spanjë apo në vende të tjera mund të kenë diçka të një prej koleksioneve të mia, si për shembull, një çantë, një parfum, një peshqir, mbase jo çdo gjë e tyre është nga prodhimet e mia, por një pjesë janë.
Përse po dizenjoni dhe po hidhni në treg një gamë kaq të gjerë produktesh, siç janë parfumet, çantat, make-up, abazhurë, celularë, rroba etj, etj?
Është shumë më e bukur të punosh për shumë gjëra, se sa të bësh çdo ditë të jetës të njëjtën gjë, të punosh për të njëjtin projekt. Është më argëtuese të bësh gjëra të ndryshme.
Nga kjo gamë e gjerë, cila prej produkteve të dizenjuara nga ju, ju pëlqen më shumë?
Më pëlqen të bëj shumë gjëra në të njëjtën kohë. Nëse unë do të isha e detyruar të bëja vetëm një koleksion, do mërzitesha shumë dhe do të stresohesha, ndaj më pëlqen t'i bëj të gjitha.
Një ditë mund të punoj për koleksionin e veshjeve, një tjetër për dekorimin e brendshëm të një hoteli, të punoj për këpucët, e kështu me radhë.
Keni vetëm pak orë që keni ardhur në Tiranë. Por, me aq sa keni mundur të vini re, si vishemi ne?
Unë nuk e kam një opinion akoma. Për të krijuar një opinion të saktë duhet të qëndroj disa ditë në Shqipëri.
Kur ti ishe vajzë e vogël, a ke menduar për ndonjë moment se do kishe kaq shumë sukses në shumë vende të botës?
E kam ditur gjithmonë. Sepse shumë njerëz kanë një ëndërr siç e kishte Obama, dhe vjen dita që e realizon atë ëndërr.
Dhe ju jeni tani mishërimi i ëndrrës suaj të fëmijërisë?
Unë jam shumë me fat që bëj punën që dua, punën që dashuroj. Kur kalon shumë orë të ditës tënde duke punuar dhe bën punën që do, jeta është kënaqësi.
Kur e keni menduar për herë të parë që doni të bëni këtë punë?
Më kujtohet që kur isha fëmijë në shkollë, orët e mësimit i kaloja duke vizatuar, duke bërë dizenjo të vogla. Shpeshherë mësuesja e kuptonte që unë nuk isha e vëmendshme në mësim dhe më thërriste, sepse unë isha në ëndrrat e mia, isha në botën time.
A keni tani ndonjë prej atyre vizatimeve?
Kam disa prej tyre. Tani po përpiqem të organizoj e të mbledh gjithë arkivin tim. Duhet kohë për ta bërë. Unë kam pak gjëra, po kam diçka.
Kujt ia dedikoni këtë sukses, mbase familjes apo dikujt tjetër?
Kur ke një dëshirë, kur ke një ëndërr dhe lufton për ta bërë realitet, e bën atë, apo jo? Një ndër gjërat më të bukura të punës, sime është ekipi dhe mua më pëlqen shumë puna në grup, sepse nuk je vetëm. Nëse je piktor, ti punon vetëm, ndërsa në modë je gjithmonë me njerëz, pra në të njëjtën kohë është një punë sociale.
Ju e urreni vetminë?
Preferoj të mos rri vetëm, por të jem në shoqërinë e njerëzve. Jam njeri i varur, jo i pavarur.
Tashmë jeni e suksesshme falë punës dhe luftës suaj. Cili është qëllimi që i keni vënë vetes?
Është shumë e vështirë të kesh një firmë ndërkombëtare kur je nga Spanja, sepse nuk ke shumë vende afër, ndryshe nga italianët. Siç ju e dini, sepse edhe për shqiptarët është e vështirë të jenë firma ndërkombëtare, edhe pse Spanja dhe Shqipëria nuk janë në të njëjtën situatë, ju mund ta kuptoni ndryshimin e të qenit nga Shqipëria me të qenit nga Parisi. Ka shumë ndryshim. Pra, ëndrra ime është të kem një firmë ndërkombëtare. Shumë njerëz mund të mendojnë se unë jam kjo që jam, dhe jam këtu ku jam sepse kam qenë me fat, sepse kam pasur një familje, apo një mik, por unë jam këtu falë punës sime.
Një femër e suksesshme që falë punës ka krijuar një lloj "perandorie" të sajën në modë, por jo vetëm aty ...E suksesshme edhe pse femër …
Unë nuk kam krijuar një perandori, kam thjesht një biznes të vogël. Gjatë gjithë jetës sime kam qenë shumë feministe, gjithmonë. Kam qenë gjithashtu edhe ekologjiste. Gjithmonë kam luftuar për të drejtat e femrës. Është një luftë e përhershme.

Çelësi juaj i suksesit është puna juaj, apo ka edhe diçka tjetër?
Çelësi i suksesit tim ka qenë dhe është puna, por unë jam këtu edhe falë karakterit tim. Ka shumë njerëz që janë gjenialë, por në momentin e parë që del një problem bien. Unë jam shumë optimiste dhe këmbëngulëse për atë që dua, derisa ta kem.
Përveçse firma juaj të jetë ndërkombëtare, a keni një ëndërr tjetër që është e fshehur diku?
Ëndrra ime ka të bëjë me pushtetin e ëndrrës.
Kam një djalë dhe një vajzë dhe kisha shumë dëshirë që ata të krijonin gjëra, por ata nuk duan këtë. Megjithatë, unë mendoj se jemi në një moment të historisë që mund të ndryshojmë shumë gjëra dhe ne mund të jemi brezi që ndryshojnë çdo gjë. Dhe mbase kjo është ëndrra ime më e madhe.
Cila është ngjyra juaj e preferuar dhe pse?
Mua më pëlqen ngjyra rozë. Në industrinë e modës ka dy ngjyra, e zeza dhe variacionet e saj të shumta, grupi i madh i të zezës dhe grupi shumë i vogël i ngjyrës rozë dhe kjo është ngjyra ime.
A ka kjo ngjyrë një kuptim të veçantë për ju?
Është një ngjyrë seksi për mua, është ngjyrë pozitive. Shumica e vajzave të vogla vishen me ngjyrën rozë dhe unë e dua këtë ngjyrë. Mua më frikëson ngjyra e zezë dhe më frikëson pushteti i kësaj ngjyre. Shumë njerëz vishen me të zeza kur duan të jenë bindës apo seriozë, por mua nuk më pëlqen. Unë mendoj se sa më e keqe të jetë dita, aq më me shumë ngjyra duhet të visheni për të pasur më shumë energji, sepse unë besoj tek forca e ngjyrave dhe tek terapia e ngjyrave.
Sa ditë do të qëndroni në Shqipëri?
Do të rri vetëm një ditë e gjysmë. Do të doja të shihja pak qytetin, muzetë që ka, por nuk e di a do të kem kohë, sepse do më duhet të merrem me sfilatën që të dalë sa më mirë.
Sa e njeh Shqipërinë?
E njoh shumë pak, por sapo të iki në Spanjë do lexoj për vendin tuaj, sepse tani kurioziteti më është shtuar shumë për ju edhe për historinë tuaj. Edhe nëse ke dëgjuar të flitet, kur vjen këtu e sheh se si është në të vërtetë, sepse është një mundësi e mirë për të mësuar shumë gjëra.
Çfarë të ka pëlqyer në Shqipëri?
Mendoj se Shqipëria është një vend shumë i bukur. Por unë nuk kam mundësi ta njoh mirë. Por iu premtoj që herën tjetër që ne të dyja do të takohemi, unë do të di 100 gjëra më shumë për Shqipërinë dhe historinë e saj, sepse këtu bëhen përpjekje dhe ka dëshirë të mirë për të ecur përpara, por është shumë e vështirë.
Cilët janë njerëzit që blejnë pjesë të koleksioneve tuaja në Spanjë. A ka njerëz të famshëm?
Nuk më pëlqen të marr njerëz të famshëm në sfilatat e mia, sepse nuk më pëlqen ai lloj publiciteti. Ka shumë njerëz që bëjnë festa madhështore për një sfilatë, por përveç asaj feste madhështore nuk kanë asgjë tjetër. Njerëzit nuk duhet të vlerësojnë personin që vesh rrobën, por vetë rrobën.
A ka njerëz xhelozë për punën dhe arritjet tuaja? A ka ndodhur të jenë përpjekur t'iu dëmtojnë?
Ka shumë njerëz në Spanjë që e mbivlerësojnë punën time, dhe mendojnë se jam shumë më e suksesshme se ç'jam në të vërtetë. Mund të ketë ndodhur që të kenë dashur të më pengojnë këmbët, që të bie, por kjo është puna.. duhet të jesh gati për ta përballuar këtë.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›