Rikthehet futbolli, sot tre ndeshje të Superligës
TIRANE-Sot do të zhvillohen tre takime të vlefshme për javën e 10- të të Superligës: Teuta-Bylis, Shkumbini-Apolonia dhe Lushnje-Vllaznia. Ndeshja Teuta - Bylis do të zhvillohet në stadiumin "Tofik Jashari" në Shijak, pasi stadiumi i Durrësit, "Niko Dovana", po rikonstruktohet. Durrsakët vijnë në këtë takim me rezultate pozitive, pasi kanë 6 ndeshje që nuk pësojnë humbje në kampionat. Skuadra e Bylis-it pas afrimit të trajnerit shkodran Hysen Dedja, ka pasur ngritje në lojë dhe rezultate, pasi ka 4 ndeshje që nuk shënon humbje. Ndeshja e nesërme në Shijak pritet të jetë mjaft e fortë, pasi të dyja skuadrat kërkojnë të vazhdojnë serinë e rezultateve pozitive. Në Peqin do të takohen skuadrat e Shkumbinit dhe Apolonisë. Skuadra peqinase vjen në këtë takim pas fitores 0-2 në Tiranë ndaj Partizani-t javën e kaluar, ku renditet në vendin e 3-të të Superligës. Ndërsa Apolonia pas shkarkimit të teknikut Petrit Haxhiaj, ka marrë trajnerin serb Esat Karishik, i cili me përvojën, pritet t'a nxjerrë nga kriza ekipin fierak. Apolonia në katër ndeshjet e fundit ka marrë vetëm 1 pikë. Ndeshja e tretë e ditës së sotme është mes Lushnjes dhe Vllaznisë në stadiumin "Roza Haxhiu". Trajneri i ri i Lushnjes Vasil Bici, ka marrë një barazim në ndeshjen e parë në stolin lushnjar, ndaj në ndeshjen me Vllazninë, kërkon fitore për t'iu larguar fundit të renditjes. Vllaznia e trajnerit Agim Canaj po zhvillon një kampionat mjaft të mirë dhe renditet në vendin e 4-ët.
KATEGORIA E PARE
Trajneri i skuadrës së futbollit "Skënderbeut", e qytetit të Korçës, Renato Rrapo, ka kërkuar që të vihet në provë aftësia e tij drejtuese si trajner dhe është shprehur se "vendimtare do të jetë ndeshja që do të luhet të shtunën në Bilisht, me "Luftëtarin", e Gjirokastrës. Këtë e bënë të ditur burime të kryesisë së klubit "Skënderbeu". "Në rast rezultati negativ, nuk e shikoj të arsyeshme të drejtoj më skuadrën e Korçës", ka thënë trajneri Rrapo. Në tri javët e kaluara "Skënderbeu" ka pasur dy barazime - me "Bilisht Sport"-in dhe me "Adën", e Veleçikut, ndërsa javën e fundit humbi në ndeshjen me "Besëlidhjen" e Lezhës. Vendimin e tij Rrapo ia ka bërë të ditur edhe drejtorit ekzekutiv të klubit, Gjergji Ballço, i cili i ka kërkuar trajnerit të ekipit "Skënderbeu" të vazhdojë punën në krye të skuadrës që vazhdon të jetë në vendin e parë në renditjen e Kategorisë së parë. Megjithatë, pas dy pikëve në tri javë, duket se marrëdhëniet e Rrapos me lojtarët janë krisur, pasi ata mendojnë që në tri ndeshjet e fundit trajneri ka gabuar, "jo vetëm me grupin e lojtarëve, po edhe me mënyrën e lojës që ka zgjedhur".
(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)