E Shtunë, 31 Tetor 2026

Agjencia e Lajmeve NOA, sponsor i Panairit të Librit 2008

Tiranë 6 nëntor 21:30 NOA – Agjencia Shqiptare e Lajmeve NOA, bëhet sponsor mediatik i Panairit të Librit “Tirana 2008” i cili këtë vit, mbërrin në edicionin e 11-të të tij, nën organizimin e Shoqatës së Botuesve Shqiptarë.

Agjencia NOA, me moton "Lexo i pari, lajmin e fundit", sjell për lexuesit në të gjithë Shqipërinë dhe në pjesën tjetër të botës, informacionet më të fundit dhe në mënyrë krejtësisht të paanshme dhe shënon tani një hap tjetër të rëndësishëm duke u bërë mbështetës mediatik i një evenimenti shumë të rëndësishëm mbarëkombëtar siç është Panairit i librit “Tirana 2008”.

Mbështetës tjetër mediatik i Panairit të 11-të të Librit, “Tirana 2008” është Radiotelevizoni Publik Shqiptar.

Ndërkohë, sponsorë, janë Ministria e Turizmit Kulturës Rinisë dhe Sporteve, Bashkia e Tiranës dhe AMC.

Panairi do të mbahet më 14-18 nëntor në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, duke shënuar kështu, evenimentin më të madh të librit të mbajtur në mbarë hapësirat shqiptare pasi këtë vit stendat e librit do të pushtojnë tre katet e Pallatit të Kongreseve.

Ceremonia e çeljes së Panairit të 11-të, “Tirana 2008” do të mbahet më 14 nëntor në orën 18.00 menduar të organizohet në formën e një feste të madhe.

Çdo ditë në të gjithë hapësirën ku do të mbahet edicioni i 11-të i Panairit të Librit, do të jetë edhe Gazeta e Panairit, kryesisht informative mbi të gjitha veprimtaritë e një dite më parë në Panair, dhe ato çka pritet të ndodhin në ditët e ardhshme.

E ideuar në formën e suplementit, bëhet e mundur që informacionet dhe kontaktin me panairin ta kenë të gjithë shqiptarët edhe në skajin më të largët të vendit.

I ftuari special i Alberto Bevilacqua, një ndër shkrimtarët më të njohur italianë i cili do të çelë edhe edicionin e 11-të të Panairit të Librit “Tirana 2008”.

Duhet theksuar se çdo botues ka pasur luksin që në këtë edicion të marrë aq sipërfaqe sa ka kërkuar për shkak të hapësirës së ofruar në tre katet e Pallatit të Kongreseve. Mundësi të cilën nuk e kanë pasur në edicionet e shkuara, pasi mjediset e Piramidës nuk mjaftonin për të gjithë.

Ky është panairi më i kushtueshëm në këto 11 vjet të mbajtjes së tij në Tiranë, dhe deri në këto momente sponsor të vërtetë të tij janë pjesëmarrësit në të, pra botuesit të cilët kanë paguar çdo metër hapësirë.

***

Qëllimi i këtij panairi është paraqitja e të rejave nga fusha e botimeve mbarëshqiptare dhe përtej, kontaktet tradicionale të njerëzve të librit dhe paraqitja e vlerave të arritura nga fusha e botimeve nëpërmjet përurimeve të librave, konferencave, çmimeve e të gjitha veprimtarive të tjera që do të mbahen gjatë ditëve të evenimentit më të rëndësishëm të librit në të gjitha hapësirat shqiptare.

Takimet promovuese me autorët pjesëmarrës do të jenë tepër intensive dhe në çdo orë të ditës në dy sallat e konferenca gjatë gjithë ditëve të edicionit të 11-të. Janë parashikuar gjithashtu edhe konferenca të posaçme me shkrimtarë të ftuar, dhe disa tryeza debati mbi problemet e vazhdueshme të librit shqip.

***

Botuesit pjesëmarrës në edicionin e 11-të të “Tirana 2008” janë jo vetëm nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Mali i Zi, por edhe përfaqësues nga India, Irani, Kroacia, libri italian etj.

Ndërsa realizuesi i projektit këtë vit është zgjedhur të jetë kompania “Expo Media” nga Shkupi, e cila është një nga kompanitë më me përvojë në Rajon për projektimin e panaireve të librit. Duke bërë kështu që paraqitja e këtij edicioni të jetë në të njëjtin nivel me panairet ndërkombëtare.

***

Katalogu i panairit këtë vit do të vijë ndryshe dhe do të shtypet në 5000 kopje. Jo vetëm informativ për të gjitha veprimtaritë e ditë pas dite në panair, por edhe promovues i shtëpive botuese, ku secili botues i interesuar mund të reklamojë shtëpinë e tij botuese nëpërmjet faqeve të brendshme me ngjyra të tij.

***

Një ndër risitë e këtij edicioni është edhe bashkërendimi me bashkitë e të gjitha qyteteve të Shqipërisë që në mënyrë të organizuar të vizitojnë panairin jo vetëm personeli i bibliotekave publike, por edhe nxënësit e shkollave publike të Shqipërisë.

Edhe me shkollat publike të kryeqytetit pritet të ketë një marrëveshje të tillë, që nxënësit e shkollave të vizitojnë panairin në mënyrë të organizuar si edhe në vitet e tjera, por nuk ka një përgjigje nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës për këtë kërkesë të Shoqatës së Botuesve Shqiptarë.

NOA

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›