Prag krize, Fierza në pikën kritike
Niveli i HEC-it bie çdo ditë, arrin 279 m. KESH jep shkaqet. CEZ rrit importet
ARD KOLA
Çdo ditë që kalon me thatësirën në vend rriten shanset për një krizë energjetike. Në fillim të muajit korrik, niveli i liqenit në hidrocentralin e Fierzës ishte 293 metra mbi nivelin e detit, ndërsa sot, në ditët e fundit të gushtit, regjistron një kuotë prej 279 metrash, disa metra larg pikës kritike. Mungesa e reshjeve konsiderohet si një ndër shkaqet kryesore, por edhe konsumi i lartë, tej parashikimeve dhe kërkesave të vazhdueshme të CEZ-it për më shumë energji elektrike. Brenda harkut kohor prej një muaji e gjysmë, niveli i Fierzës ka rënë me 14 metra dhe nëse vijohet kështu, pa reshje dhe me mungesa balancimi nga importet, vendi do të përballet me pasoja të rënda. Aktualisht KESH-i nuk po kryen importe, pasi këtë proces po e realizon CEZ-i, por megjithatë korporata ndodhet në gjendje të vështirë ekonomike, aq sa para disa muajsh iu bllokuan llogaritë bankare për shkak të borxheve të pashlyera.
Zyrtarët e KESH-it bëjnë me faj CEZ-in, i cili nuk iu përmbajt kontratës për sasitë e kërkuara të energjisë elektrike. CEZ Shpërndarje, deri në këto momente, ka marrë 100 milionë kilovatë ore më tepër se sa kishin kërkuar në fillim të këtij viti. Por nga të dhënat që kemi marrë pranë ERE-s del që CEZ-i për këtë vit ka një borxh ndaj KESH-it në shifrën 600 milionë kilovatë orë, deklaroi pak kohë më parë për mediat drejtori i KESH-it, Engjëll Zeqo.
Korporata është e detyruar ti plotësojë të gjitha kërkesat e CEZ për sasitë e energjisë së kërkuar, pavarësisht problemeve, pasi në të kundërt, rrezikon të lërë vendin pa drita. CEZ-i merr te KESH-i energjinë për furnizimin e vendit, ndërsa humbjet në rrjet i siguron nga importet, por sipas korporatës, ky plan nuk është përmbajtur. KESH-i shton gjithashtu se CEZ-i u ka një borxh prej 9 miliardë lekësh për faturat e vitit të kaluar që janë papaguar.
Drejtuesit e korporatës shtojnë se nuk ka pasur eksporte, të paktën deri në muajin maj kur u siguruan të ardhura prej 5 milionë eurosh, por të pamjaftueshme në raport me borxhet e KESH-it që arrijnë mbi 150 milionë eurosh.
Aktualisht nevojat e vendit janë për 19,7 milionë kilovatë energji elektrike në ditë, kurse vendi prodhon rreth 13 milionë kilovatë, pra diferenca importohet nga CEZ-i. Kjo e fundit sqaron edhe kritikat e KESH-it ndaj mosrespektimit të afatit.
Me gjithë problematikën, duke marrë ndihmë edhe nga mëma në Çeki, kompanitë do të sigurojnë importin e rreth 350 MW gjatë muajit gusht, thotë shoqëria çeke. Sipas saj, situata në tregjet e rajonit nuk është optimale. Të gjithë tregtarëve aktivë në tregun shqiptar u është kërkuar të marrin pjesë në tender, por situata është e vështirë, në mënyrë të veçantë për shkak të disponibilitetit të kufizuar të kapaciteteve të interkonjeksionit ndërkufitar (të cilat aktualisht janë të zëna nga tregtarët që realizojnë marrëveshje transiti nga Serbia në Greqi) këta tregtarë po kushtëzojnë ofertat e tyre, duke kërkuar kushte pagese të cilat CEZ Shpërndarje aktualisht nuk mund ti përmbushë, theksohet në njoftim, deklaron kompania.
Sakaq, INSTAT-it publikoi dy ditë më parë situatën energjetike në vend, për 6-mujorin e parë të 2012-s. Kështu, energjia elektrike e përftuar nga të gjitha burimet në 6-mujorin e parë të vitit 2012 u ul me 4%, krahasuar me të njëjtën periudhë në vitin 2011, kurse prodhimi total i energjisë elektrike në vend u ul me 16.4%, krahasuar me 6-mujorin e parë 2011. Energjia elektrike e prodhuar është 2,092 GWh (afro 2 miliardë kilovatë) dhe zë rreth 55% të sasisë gjithsej të energjisë.
Brenda harkut kohor prej një muaji e gjysmë, niveli i liqenit të Fierzës ka rënë me 14 metra
Bilanci
Aktualisht nevojat e vendit janë për 19,7 milionë kilovatë energji elektrike në ditë, kurse vendi prodhon rreth 13 milionë kilovatë
Prag krize, Fierza në pikën kritike burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip