E Diel, 1 Nëntor 2026

Praktiker mbyll hipermarketin në Tiranë, qendrat tregtare në grahmat e fundit nga kriza

Share

Para dy vitesh kryeministri i cilësonte si promotorë të zhvillimit ekonomik, si dëshmi të suksesit të reformave të tij. Sot Praktiker deklaron mbylljen e dyerve, të tjerat lëngojnë. Qendrat tregtare, një tregues i qartë i fuqisë blerëse në një vend po falimentojnë

Rrjeti gjerman Praktiker ka vendosur të mbyllë të vetmin hipermarket që kishte hapur në Tiranë, njofton Reuters. Lajmi nuk bie shumë në sy, por ka një rëndësi të madhe për të dëshmuar krizën që ka kapluar prej kohësh sidomos xhepat e shqiptarëve. Praktiker mbërriti në vendin tonë në tetor të vitit 2009, pikërisht më 30 tetor, me bujë të madhe. Vetëm dy vjet më pas ai deklaron se dy mbyllë dyert. Në fund të vitit të parë të punës, vetëm një sportel punonte në hipermarketin që do punësonte qindra shqiptarë. Në parkingun e tij rrallë shihje makina klientësh. Kriza e goditi shumë shpejt këtë hipermarket që kishte mbërritur në Shqipëri me shpresën se do ishte në qendër të një metropoli prej më shumë se 1 milion banorësh. Pak ditë më vonë u hap edhe një tjetër hipermarket i modelit bëje vetë, i quajtur Megatek. Mes akuzave për lidhje me ministrin Basha e sekserin Damir Fazlliç, Megatek u ngrit madhështor në kthesën e rrugës për Rinas. Në fakt kurrë nuk arriti të kishte shumë klientë dhe vijoi të ishte më shumë një gërmadhë ky vërdallosen disa shitës. Në ceremoninë e hapjes së tij, Berisha, që kishte mbrojtur me aq zjarr biznesmenët që e hapën atë nga prokuroria, tha se ai do ishte një promotor i zhvillimit ekonomik. Me këtë rast unë dua të përgëzoj Dionis Teqen për guximin dhe sipërmarrjen e ndërmarrë. Dionis Teqja është një nga simbolet e hershme të suksesit të biznesit shqiptar. Dhe natyrisht në përpjekjen e tij, ai kulmon sot me këtë qendër të fuqishme të tregtimit të, materialeve të ndërtimit dhe arredimit, e cila jep një zgjerim të madh të paprecedent të tregut të këtyre materialeve  në sektorin më jetik, më përcaktues, në promotorin e zhvillimit të ekonomisë së vendit, siç është fusha e ndërtimit, tha kryeministri. E në fakt veçse promotor nuk arriti të ishte.

Në një hark të shkurtër kohor ne përjetojmë  zhvillime të mëdha në tregun e kryeqytetit. Vetëm dy javë më parë dhe disa qindra metra larg që këtu u inaugurua City Park, qendra më e madhe tregtare dhe e fuqishme e vendit, një nga më të bukurat në rajon. Gjashtë javë më parë u inaugurua Praktiker. Të gjitha së bashku i japin tregut një fizionomi krejtësisht tjetër, shumë moderne, por së bashku këto punësojnë me mijëra  e mijëra qytetarë, deklaronte atë ditë i lumtur Berisha.

Por falimentimi i hipermarketeve bëje vetë nuk është i vetmi. Drejt kësaj rruge janë edhe qendrat tregtare, të ngritura me bujë, por që tani janë kthyer thjesht në vitrina të ftohta. Edhe prej aty janë larguar ose janë drejt largimit emra të njohur si Jysk, Trony e kush e di sa marka veshjesh.

City Park do të shndërrohet së shpejti në një nga polet e rëndësishme të zhvillimit të kryeqytetit dhe përbën përpjekje madhorë për një qendër të re të madhe, për decentralizim të vërtetë dhe modern të kryeqytetit. Ky është një investim madhor prej 80 milionë eurosh. City Park punëson sot rreth 2000 punonjës dhe ka një projekt në të cilin synon që të arrijë në 210 milionë euro, të kompletohet me një zonë të bukur rezidenciale, me një hotel modern, me një ekspozitë permanente të veçuar si ndër më të mirat. City Park është një qendër e vërtetë olimpike me pishinat, me pistat e patinazhit dhe të gjitha lehtësirat e tjera që u krijon klientëve sportdashës. Ekonomia shqiptare qëndron në këto vite të një cunami të vërtetë financiar dhe ekonomik për Evropën dhe botën. Ajo qëndroi jo se ishte e izoluar, jo se ishte e centralizuar, por qëndroi sepse ishte e mbështetur në parimet më të shëndosha për tregun: me taksa të ulëta, investime të mëdha, administratë të vogël. City Park është dëshmi e suksesit të kësaj ekonomie, dëshmi e suksesit të këtyre reformave, deklaronte në inaugurim Berisha. Në fakt qendra më e madhe tregtare nuk arriti kurrë të shtojë më shumë se ai investim fillestar. Mbeti pezull. Edhe Merkator, një hipermarket i rrjetit të njohur slloven, nuk arriti të zgjerohej më shumë se aq.

Ndërkohë të premten kryeministri do të shkojë në një qendër tregtare, ndërtuar nga një biznesmen pranë tij. E ka favorizuar me sa ka mundur. Madje ka pasur akuza se dhe Unazën e ka devijuar për të shkuar në dyert e portës lindore. Sigurisht do thotë se është më e madhja në Ballkan, me rrjetin e hipermarketit Carrefour, më të madhin në Europë e të tilla gjëra. Por një gjë është e sigurt: pas pak kohësh ata do zbulojnë se në këtë vend nuk ka fuqi blerëse.

Sipas Eurostat, shqiptarët kanë një fuqi blerëse 4 herë më të ulët se mesatarja e BE. Në Perëndim, ecuria e shitjeve në të tilla rrjete supermarketesh shihet si një test për ecurinë e ekonomisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›