Pranga 2 udhërrëfyesve, transportonin 15 klandestinë drejt Greqisë
Sarandë- Dy të rinj janë ndaluar sot nga policia e Sarandës, të akuzuar si trafikantë të një grupi prej 15 klandestinësh, në tentativë për t’i kaluar në Greqi.
Dy të ndaluarit, Aristidh Geshaj, 18-vjeç nga fshati Gjorm i Vlorës dhe Oltion Varfi,
19-vjeç nga fshati Kotë po nga Vlora akuzohen për dhënie ndihme në kalimin e paligjshëm të kufirit.
“Ata janë ndaluar gjatë një kontrolli të ushtruar nga policia në një autobus të linjës Sarandë-Qafë Botë, ku kanë qenë si pasagjerë edhe 15 personat që ishin grumbulluar për të kaluar kufirin”- thonë burimet policore.
Pas marrjes në pyetje, ata kanë treguar dy udhërrëfyesit dhe kanë pranbuar se kishin premtuar të paguanin nga 800 euro secili, me të kaluar në vendin fqinj.
Pas ngjarjes së rëndë të Butrintit, policia ka forcuar kontrollote në këtë anë, duke ndaluar tentativat për kalim të paligjshëm të kufirit.
Materialet për këtë ngjarje i kanë kaluar policisë, kurse dy të ndaluarit dhe gjiothë grupi i pasagjerëve-klandestinë, janë shoqëruar për procedurat e rastit në ambientet e policisë jugore.