Tregu i energjisë, prodhimi i KESH-it do të mbulojë humbjet e OSSH-së
Në mbështetje të Nenit 100 të Kushtetutës dhe të Nenit 53 të Ligjit Nr.9072, datë 22.5.2003, “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Këshilli i Ministrave vendosi: Pas pikës 9, të modelit të tregut të energjisë elektrike, miratuar me Vendimin Nr.338, datë 19.3.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e modelit të tregut të energjisë elektrike”, të ndryshuar, shtohet pika 10, me këtë përmbajtje: Sa kohë që OSSH sha-ja është shoqëri shtetërore, energjia elektrike, që prodhohet nga KESH sh.a., mbi kërkesën e furnizuesit publik me pakicë, i shitet OSSH sh.a.-së për mbulimin e humbjeve në sasinë që kërkohet prej saj. Çmimi i shitjes do të jetë çmimi i miratuar nga ERE, për furnizuesin publik me pakicë, për vitin në të cilin realizohet shitja”. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe KESH sh.a. për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe i shtrin efektet nga data 1 janar 2009.
Këmbimi valutor, vijon zhvlerësimi i ndjeshëm i lekut
Monedha kombëtare, leku, ka marrë dje një tjetër goditje në tregun e këmbimit valutor në vend. Euro dhe dollari janë forcuar me më shumë se 1 pikë brenda një dite, duke iu afruar niveleve rekord. Sipas kursit të Bankës së Shqipërisë, dollari është afër kuotës së 100 lekëve, ndërsa euro po i afrohet nivelit të 130 lekëve. Zhvlerësimi i lekut ka nisur tashmë prej disa javësh. Ekspertët e sistemit bankar vlerësojnë se rënia ka ardhur për shkak të dy faktorëve. Së pari ka ndikuar mungesa e valutës në treg, si pasojë e pakësimit të të ardhurave nga emigrantët, për shkak të krizës ekonomike globale, ndërsa faktori i dytë është vendimi i Bankës së Shqipërisë për të ulur me 0.5 për qind normën bazë të interesit. Zhvlerësimi i lekut ka pasoja për një ekonomi si e jona, të orientuar nga importet. Nga ana tjetër, goditen të gjithë ata individë dhe biznese që kanë marrë kredi në valutë, pasi duhet të paguajnë më shumë për interesat.
12 Shkurt 2009