Preçi: “Të parandalohet nxjerrja e parave jashtë vendit”
Banka Qendrore duhet të forcojë më tej mbikëqyrjen e veprimtarisë së bankave tregtare në drejtim të nxjerrjes së parave jashtë vendit. Kështu është shprehur eksperti i njohur i çështjeve ekonomike, Zef Preçi, në forumin e organizuar nga “Albania”, “Kriza financiare, a jemi në rrezik?” Sipas tij, kjo vëmendje dhe përkujdesje kërkon edhe rishikimin e kuadrit ligjor në këtë aspekt. Z. Preçi konstaton se qeveria është në euforinë e saj pas deklarimit të rritjes dyshifrore dhe nuk duket e interesuar që të pranojë krizën për shkak të fushatës elektorale që tashmë ka filluar. Por, drejtuesi i Qendrës Shqiptare për Studime Ekonomike thotë se pranimi i gjendjes do të ishte një lëvizje pozitive për kabinetin qeveritar. Madje, ai ka pohuar se qeveria duhet të pranojë një marrëveshje me FMN-në, e cila të ketë kohëzgjatje derisa të përfundojë kriza financiare. Po ashtu, Preçi ka propozuar edhe hapat që duhet të ndërmerren për lehtësimin e kushteve për sipërmarrjen dhe qytetarët në këtë periudhë të vështirë financiare për xhepat e tyre.
A ndodhet Shqipëria përballë një krize ekonomike?
Në trajtimin e krizës aktuale, mendoj se secili gjykon duke u nisur nga dy premisa bazë: profesioni dhe pozita shoqërore. Në këtë kuptim, duhen mirëkuptuar si përpjekjet për mohimin e saj "për arsye shtetërore" (qeveria), ashtu edhe qëndrimet më realiste të pjesës tjetër të shoqërisë që ndeshet përditë me pasojat e krizës. Sidoqoftë, diskutimi akademik nëse ekonomia jonë kombëtare po përballet ose jo me krizën është tashmë i kapërcyer në kohë. Është i kapërcyer në kohë se prej gjashtë muajsh janë ulur dukshëm –15 - 20% prurjet monetare të emigracionit; rritja ekonomike e vendit është ngadalësuar dhe projeksionet (optimiste gjithashtu) të FMN-së flasin për një rritje të pritshme 3,5 - 4% për vitin 2009; monedha shqiptare ka humbur qëndrueshmërinë dhe po zhvlerësohet krahas me fillimin e rritjes së inflacionit; bilanci i import-eksportit gjatë vitit të fundit është përkeqësuar më tej; shtimi i numrit të sipërmarrjeve private të çelura të reja dhe, për pasojë, edhe hapja e vendeve të reja të punës është në nivele modeste; menaxhimi i KESH-it dhe posaçërisht mbledhja e detyrimeve për energjinë e shitur janë përkeqësuar, etj. Shkurt, kriza është e pranishme në ekonominë tonë kombëtare.
Tranzicioni i gjatë dhe i dhimbshëm; rritja ekonomike e shpejtë në ritme e dekadës së fundit; - mesatarisht 5% në vit, por ende shumë larg niveleve të zhvillimit ekonomik të Europës, (duhen 70-80 vjet për të arritur atë nivel ekonomik që kanë mesatarisht vendet e BE-së në ditët e sotme), papunësia e lartë e konstante e të gjithë kësaj periudhe –30 -40%, etj., kanë bërë që kriza aktuale të rëndojë më tej gjendjen, por edhe që kjo krizë "të pranohet" më lehtësisht nga familjet shqiptare. Pavarësisht kësaj, mendoj se "efekti psikologjik" apo goditja fillestare e çdo krize tashmë ka kaluar dhe ekonomia shqiptare po përballet drejtpërdrejt me pasojat e krizës financiare dhe ekonomike botërore.
Si në çdo krizë të kësaj natyre, në tregjet shqiptare kanë filluar të shfaqen dhe të shtohen spekulantët e të gjitha ngjyrave, sepse, siç dihet, një numër sipërmarrësish në kohë krize pasurohen brenda një kohe shumë të shkurtër. Kjo po ndodh si në masat dhe në peshat, në mashtrimin me cilësinë e mallrave dhe të shërbimeve që u ofrohen konsumatorëve. Vëzhgime të ndryshme tregojnë se në përpjekje për të ruajtur të paprekura çmimet, janë shtuar abuzimet në mallrat e konsumit të gjerë. Por, spekulime në tregje po ndodhin edhe me një numër shërbimesh publike si me energjinë elektrike, me telefoninë fikse, etj.. Nuk ka si të shpjegohet ndryshe rritja e pambështetur në ligj e çmimit apo rritja e nivelit të faturimit për familjet që nuk kanë ende të instaluar aparatet matëse të harxhimit të energjisë elektrike. Ka të dhëna që edhe në telefoninë fikse, pavarësisht privatizimit, nuk është bërë
ende asnjë investim në përmirësimin teknologjik dhe se po përdoren "marifete" të ndryshme që çojnë në penalizimin e abonentëve; si zvogëlimi i kohëzgjatjes së impulseve "pa ndryshuar" çmimin (në fakt, duke e ndryshuar
atë për këtë shkak, etj). Përballë kësaj situate, institucionet rregullatore, kontrolluese dhe mbikëqyrëse të tregut nuk po reagojnë dhe i dëmtuari i vetëm i krizës mbetet qytetari, taksapaguesi shqiptar. Ndërkaq, prej disa muajsh vihet re edhe një rënie e dukshme e fuqisë blerëse të popullsisë; në disa nivele të saj është shtuar prirja e ruajtjes apo thesarizimit të kursimeve monetare të familjes, një dukuri aq e dëmshme për ekonominë tonë kombëtare në tërësi. Nga ana tjetër, qeveria, kryesisht për arsye elektorale, si dhe për të mbajtur premtimet në rritjen e pagave e pensioneve (në fakt më shumë se rritje në terma reale është rritje nominale dhe kompensim) po vazhdon të bëjë të paditurin ose të injorojë efektet e krizës, gjë që mund të ndikojë negativisht në të ardhmen (p.sh., ulja e taksave lokale për investitorët potencialë, etj). Po kështu, disa deklarime tejet optimiste të zyrtarëve të lartë se, "janë marrë masat për ruajtjen e stabilitetit makro-ekonomik", në disa media u "përkthyen" si kundërshtim ndaj deklarimeve paralajmëruese të FMN-së mbi nevojën e përqendrimit në përmirësimin e menaxhimit të financave publike, sidomos të KESH-it dhe vlerësimet mbi ngadalësimin e rritjes ekonomike dhe projeksionet në nivelin 3,5 - 4% për vitin 2009. Ndoshta, pyetja e vetme që mund të shtrohet me këtë rast është që në se konsistojmë këto masa dhe përse ato nuk bëhen publike?
Sipas mendimit tim, edhe Banka e Shqipërisë veproi me vonesë në uljen e normës së interesit për huatë bankare, aq më tepër që kjo ulje ende nuk po reflektohet nga bankat tregtare. Vlen të theksohet se pa zgjerimin e kreditimit të ekonomisë është e pamundur të zgjerohet punësimi. Domethënë, në mungesë të kreditimit nga bankat tregtare, pasojat e krizës aktuale mund të jenë edhe më të mëdha. Natyrisht që në sektorin bankar ka edhe zhvillime të tjera. Në ndonjë prej tyre janë kryer lëvizje të stafeve drejtuese, shkurtime personeli, etj.. Sidoqoftë, mendoj se këto masa mund të konsiderohen si masa specifike antikrizë dhe, për këtë arsye, nuk ka vend për panik.
Si i vlerësoni masat e marra nga Qeveria shqiptare?
Përveç kalimit nga mohimi kategorik dhe deklarimet euforike mbi rritjen dyshifrore, konsideroj hap përpara pranimin e gjendjes së krizës dhe jam i prirur të besoj se qeveria do të jetë duke konsultuar mënyrën e reagimit. Fillimi i hershëm i fushatës elektorale më duket se ka nxitur qëndrimin hermetik dhe jotransparent të qeverisë në lidhje me rrugët më të përshtatshme për minimizimin e efekteve të krizës ekonomike aktuale.
Cilat do të ishin, sipas mendimit tuaj, disa nga masat kryesore që duhen marrë nga institucionet shqiptare për zbutjen e efekteve të krizës ekonomike mbi biznesin dhe qytetarët?
Nëse pasojat e krizës ekonomike janë pak a shumë të ngjashme në shumicën e vendeve, në kushte të krahasueshme ekonomike dhe shoqërore, gjykimi mbi
masat apo rrugët e frenimit dhe/ose minimizimit të këtyre pasojave mbetet specifik për secilin vend. Në rastin e vendit tonë mendoj se duhet më shumë
realizëm nga qeveria. Domethënë, që të pranohet gjendja e krizës në tërë dimensionin e vet, të synohet që biznesi dhe qytetarët të bashkëpunojnë me
qeverinë për përballimin e pasojave të saj. Sepse, sado të vogla të jenë sukseset në parandalimin e krizës, ato janë në çdo rast më të dobishme dhe me kosto më të lirë se 'shërimi" i pasojave të saj në ekonominë tonë kombëtare.
Nga këndvështrimi i qeverisë mendoj se duhet të rishikohen shpenzimet publike me synim ripërcaktimin e veprave publike prioritare dhe parandalimin
e kryerjes së investimeve që presin (mund të kryhen në vitet e ardhshme), por që janë parashikuar në buxhetin e vitit 2009 thjesht apo në disa raste
vetëm për qëllime elektorale. Për një qëndrim më institucional, dhe më të koordinuar në këtë periudhë,
kur kriza është në zhvillimin e saj dhe nuk dihet se cili do të jetë "piku" i saj, mendoj se qeveria duhet të ndërmarrë hapat e duhura institucionale për një marrëveshje të re specifike antikrizë me Fondin Monetar Ndërkombëtar për dy-tre vitet e ardhshme (aq sa gjykohet se do të vazhdojë edhe kriza që ende mendohet se nuk ka arritur pikun e saj në ekonomitë e vendeve të BE-së). Nga pikëpamja e Bankës së Shqipërisë mendoj se duhet të vazhdojë ulja e normave të interesit për huatë bankare në përputhje me zhvillimet në vendet e Eurozonës. Domethënë, duhet ecur më shpejt në këtë drejtim për të penguar rritjen e menjëhershme të peshës së kredive bankare "të pakthyera" apo "në rrezik moskthimi". Po kështu, duke marrë parasysh specifikat dhe shtrirjen e sektorit informal financiar të vendit tonë, mendoj se duhet të forcohet më tej mbikëqyrja e veprimtarisë së bankave tregtare si për vlerësimin korrekt të gjendjes së huamarrësve të tyre, ashtu edhe në drejtim të nxjerrjes së parave jashtë vendit. Kjo do të parandalojë "surprizat" dhe rreziqet e zhvillimeve negative në vendet prej nga kanë të ardhurat bankat tregtare që operojnë në vendin tonë. Me synim pengimin e nxjerrjes së parave jashtë bankave, mendoj se duhet të rishikohet kuadri ligjor për mbrojtjen e depozitave të qytetarëve. Në bashkëpunim me institucione të tjera, si shoqatat e biznesit, administratën fiskale, etj., mendoj se qeveria duhet të ndjekë me përparësi ecurinë e bizneseve vendase dhe të huaja që kanë një numër të madh punonjësish, me synim krijimin e lehtësirave fiskale, si për shembull, në pagesat e sigurimeve shoqërore, lejimin e pagesës së përshkallëzuar (me këste) të detyrimeve tatimore e doganore të këtyre bizneseve, etj..
Me synim pengimin e polarizimit të madh shoqëror, si një pasojë e njohur e krizave të ngjashme, mendoj se qeveria duhet të rishikojë skemën e ndihmës sociale, me synim jo thjesht përjashtimin e abuzuesve nga kjo skemë, por edhe rritjen e madhësisë së përfitimeve për familjet në nevojë si dhe të ofrohen edhe mundësi të sigurimit të ushqimit direkt me bono të posaçme ushqimore apo në mensa publike për kategori të caktuara të përfituesve nga kjo skemë në Tiranë dhe në qendrat e mëdha të banimit.
Përgatiti Albert Gjoka
* * ** * * * ****
Forumi në “Albania”: “Kriza financiare, sa të rrezikuar jemi”
Gazeta “Albania” ka hapur forumin me temë “Kriza financiare, sa të rrezikuar jemi”. Organizatorët e debatit ftojnë të marrin pjesë në diskutime ekspertët e çështjeve ekonomike, profesorët e fakulteteve ekonomike në universitetet publike dhe private, analistët, aktivistët nëpër organizata joqeveritare që merren me zhvillimet ekonomike, si dhe politikanë apo zyrtarë të përfshirë në politikat ekonomike të vendit. Temat e shtruara për diskutim janë:
-A ndodhet Shqipëria përballë një krize ekonomike? A parashikoni që ekonomia shqiptare të bjerë në recesion?
-Si i vlerësoni masat e marra nga qeveria?
-Cilat do të jenë pasojat e krizës ekonomike mbi biznesin dhe individët në Shqipëri?
Për çdo koment, ide apo sugjerim, ju mund të na shkruani në adresën e e-mailit: albertgjoka@yahoo.com, ose na telefononi në Nr. Tel. 00355 42229243
12 Shkurt 2009