E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pranga Emiljano Shullazit, kapet me maskë e pistoletë

Emiliano Shullazi, duke dalë nga Gjykata e Faktit e Tiranës

Arrestohet për të tretën herë brenda vitit Emiljano Shullazi. Bashkë me mikun e tij, Gilmando Dani, u kapën me maskë dhe armë në një makinë teksa lëviznin në rrugën “Stavri Themeli”, tek ish-Parku i Autobusëve në Tiranë.
Burime nga Policia thanë se ndryshe nga rastet e mëparshme, kur Shullazi lëvizte me makina të blinduara, mbrëmë ai është ndaluar brenda një makine normale dhe gjatë kontrollit të mjetit janë gjetur një pistoletë që e mbante pa leje, si dhe një maskë. Policia tha mbrëmë se ndalimi i Shullazit dhe Danit, të dy personazhe mjaft të njohur për Drejtësinë shqiptare, ka qenë i rastësishëm, gjatë patrullimit të zonës nga forcat e Komisariatit Nr. 2. Por çështja është bërë më serioze se sa një kontroll rutinë policie, kur veç pistoletës, që tashmë është objekt pa të cilën Shullazi rrallë mund të lëvizë, është gjetur edhe një maskë. Për këtë arsye, me hetimin e rastit po merrem edhe oficerë të Krimeve të Rënda. Burime të rezervuara nga Policia e Tiranës thanë se nuk përjashtohet mundësia që dy të arrestuarit kanë qenë duke përgatitur ndonjë “sulm” të mundshëm. Megjithatë, kjo është pjesë e një hetimi që tashmë ka nisur. Mbrëmë gjatë natës është kryer një kontroll i imtësishëm i banesave të Emiljano Shullazit dhe Gilmando Danit. Ndërsa mësohet se në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar: pistoleta pa leje, maska, arma dhe automjeti me të cilin po udhëtonin dy të ndaluarit.
TRI ARRESTIMET
Ende pa mbushur një vit nga lirimi i tij nga burgu, ku vuajti për rreth 5 vjet dënimin për trafik droge, Emiljano Shullazi është arrestuar edhe tri herë të tjera nga Policia e Tiranës. Në dy rastet e mëparshme Shullazi është ndaluar gjatë fushatës elektorale dhe ditën e zgjedhjeve, por është lënë i lirë nga Gjykata e Apelit më 30 qershor të këtij viti. Shullazi fillimisht u arrestua më 21 prill 2011, ku u përfshi në një incident elektoral tek ish-Parku i Autobusëve. Ai u ndalua duke u lënë i lirë pas 24 orësh, pas një denoncimi që bërë deputetët socialistë Vasilika Hysi dhe Besnik Baraj, duke shpjeguar se Shullazi kishte prishur takimin elektoral për Njësinë Nr. 7. Arrestimi i dytë i Emiljano Shullazit u krye ditën e zgjedhjeve vendore më 8 maj, pranë Liqenit të Thatë në Farkë të kryeqytetit. Gjithçka ka ndodhur vetëm disa minuta para se të mbyllej procesi i votimi në komunën Farkë të Tiranës. Policia tha se Shullazi u arrestua bashkë me 11 persona të tjerë, duke lëvizur me makina të blinduara, jelekë antiplumb, pistoleta, thika etj. Por edhe pas këtij arrestimi të bujshëm, 32-vjeçari u la i lirë nga Apeli, me arsyetimin se armët dhe jelekët i kishte dhuratë. Emiljano Shullazi, 32 vjeç, personazh i njohur në Tiranë, i dënuar për trafik droge nga Gjykata e Krimeve të Rënda dhe i liruar në dhjetor 2010, pas llogaritjes së vuajtjes së dënimit, tashmë ndodhet sërish në qeli, pas arrestimit të mbrëmshëm, bashkë me mikun e tij, Gilmando Dani.

Arrestimi pranë vendit ku u vra Arjan Selimi
Dje mbusheshin plot 40 ditë nga përcjellja për në banesën e fundit të Arjan Selimit, pas ekzekutimit që ende mbetet pa autor. Ish-kapoja i grupit “Kompas”, i akuzuar për “trafik droge”, ishte në “arrest shtëpie” kur u vra mbrëmjen e 26 shtatorit në rrugën “Stavri Themeli”, tek ish-Parku i Autobusëve në Tiranë, pranë pallatit ku banonte me Inis Gjonin. Në të njëjtin vend u arrestua mbrëmë edhe Emiljano Shullazi dhe miku i tij Gilmando Dani. Burime nga Policia thanë se duke u nisur edhe nga miqësia që Shullazi kishte krijuar me Arjan Selimin kur ndodhej në burg, raste kur ata janë takuar po në të njëjtin vend, pas lirimit të Selimit dhe arrestimi i mbrëmshëm, pikërisht aty ku ka ndodhur vrasja, kanë një domethënie që tashmë është pjesë e hetimeve që po kryhen nga policia.
Etleva Delia

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›