E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranga anëtarit të “Bandës së Durrësit”, tentoi të qëllonte ndaj specialeve

Një 30-vjeçar që dyshohet si anëtar i bandës së Lul Berishës është vënë ditën e djeshme në pranga pas një operacioni të forcave speciale dhe policisë së Durrësit.

Edmond Koçi, lindur dhe banues në Durrës, u arrestua me akuzën "vrasje e mbetur në tentativë". Për të kapur 30-vjeçarin u organizua operacioni “Dara”, në të cilin morën pjesë përveç policisë së qytetit, edhe forca të repartit RENEA. Sipas burimeve të policisë, gjatë operacionit, në lagjen 16 të qytetit bregdetar, Koçi u përpoq që të qëllonte edhe me pistoletë mbi policët e RENEA-s, por këta të fundit arritën që ta bllokonin. 30-vjeçari ishte shpallur në kërkim nga drejtësia shqiptare, pasi më 19 tetor të vitit 2006, pas një grindjeje të çastit, qëlloi me pistoletë dhe plagosi rëndë Kastriot Lamçen. Gjykata e rrethit më pas dha masën arrest me burg për veprën penale vrasje të mbetur në tentativë. Burimet saktësuan se fillimisht Prokuroria, e më pas gjykata e rrethit, kishin nxjerrë urdhër-arrestin, si dhe kishin vendosur masën “arrest me burg” në mungesë ndaj Koçit për “vrasje të mbetur në tentativë”.

Aksioni

Pas marrjes së informacioneve për vendndodhjen e të kërkuarit në një lokal afër lagjes 16 të qytetit bregdetar, punonjësit e policisë, në bashkëpunim me agjentët e repartit special të RENEA-s organizuan operacionin “Dara” për kapjen e Edmond Koçit. 30-vjeçari ishte në një pikë bastesh, kur aty u futën menjëherë forcat e policisë për të kryer arrestimin. Kur e pa se Koçi ishte i rrethuar, ai u përpoq që të largohej. Nxori pistoletën që e mbante me vete dhe tentoi që të qëllonte ndaj forcave speciale, të cilat u futën menjëherë në lokal. Por, ndërhyrja e shpejtë e agjentëve të tjerë që ndodheshin brenda bëri të mundur që ai të neutralizohej dhe t’i viheshin prangat. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua edhe pistoleta, si dhe një krehër me fishekë.

Hetimet

I arrestuari Edmond Koçi, lindur dhe banues në Durrës, u arrestua, pasi Gjykata e Rrethit të Durrësit kishte dhënë masën e arrestit “vrasje e mbetur në tentativë”. 30-vjeçari, i njohur më shumë me emrin Edmond Çekiçi, ishte shpallur në kërkim, pasi më 19 tetor të vitit 2006, pas një grindjeje të çastit qëlloi me pistoletë dhe plagosi rëndë Kastriot Lamçen. Nisur nga kjo, Prokuroria, e më pas gjykata e rrethit, kishin nxjerrë urdhër-arrestin, si dhe kishin vendosur masën “arrest me burg” në mungesë ndaj Koçit për “vrasje të mbetur në tentativë”. Sipas burimeve të policisë, arrestimi i kryer ditën e djeshme do të ndihmojë edhe në hetimet e tjera mbi disa vrasje të vitit të fundit në zonën e Spitallës dhe në lagjen 1 të qytetit, ku mendohet se është i përfshirë edhe 30-vjeçari Koçi.

Koçit iu sekuestrua edhe një pistoletë pas arrestimit dhe një krehër me 9 fishekë. Ai do të akuzohet edhe për “armëmbajtjen pa leje”. 30-vjeçari dyshohet si një prej pjesëtarëve të bandës së drejtuar nga Lul Berisha.

Akuzat-dëshmitarët

Nëntë ekzekutime, pesë atentate, si dhe rrëmbimi për 18 muaj i dëshmitares së një vrasjeje, janë vetëm disa nga krimet që dyshohet se kanë kryer të cilësuarit si anëtarë të "Bandës së Durrësit". Për të provuar "malin" e akuzave të ngritura ndaj 16 të pandehurve që po gjykohen së bashku në një proces në Gjykatën e Krimeve të Rënda, prokuroria paraqiti një mori provash, mes të cilave dhe listën me emrat e 194 dëshmitarëve, që mendohet se kanë dijeni për krimet makabre të ndodhura në harkun kohor 1997-2005, në qytetin bregdetar. Në këtë listë binin në sy emra të njohur të botës së krimit në qytetin e Durrësit, emra të njohur të biznesit, si dhe jo pak të akuzuar për krime të rënda. Një tjetër provë e fortë që prokuroria ka në dorë, është dëshmia e të penduarit Adriatik Çoli, i cili ka rrëfyer të gjitha "bëmat" e bandës, në të cilën bënte pjesë dhe vetë ai. Lulëzim Berisha, Plaurent Dervishaj, Indrit Taullari, Endrit Dokle, Dritan Coli, Sardian Sulejmani, Kujtim Buna, Altin Olloni, Elvin Hoxhosmani, Alban Neli, Selman Heti, Spartak Kalthi, Altin Nikolla, Kristian Begu, Bujar Gashi, Ahmet Ajeti dhe Osman Korpuzi akuzohen për rreth 15 krime të rënda të ndodhura në Durrës e Tiranë në vitet 1998-2005.

Procesi ndaj “Bandës së Durrësit”

Në Gjykatën e Krimeve të Rënda po zhvillohet aktualisht një proces gjyqësor në ngarkim të të akuzuarve si anëtarë të “Bandës së Durrësit”. Sipas policisë, në krye të bandës ishte Lulëzim Berisha, edhe ky në gjendje arresti.

Dështimi i radhës për procesin gjyqësor ndaj "Bandës së Durrësit" ka detyruar trupin gjykues të zhvillojë dy herë në javë procesin gjyqësor. Ky vendim u mor pak ditë më parë nga Gjykata e Krimeve të Rënda, e cila ka pranuar kështu kërkesën e Prokurorisë për zhvillimin dy herë në javë të seancave, në ngarkim të të pandehurve të ish-bandës së drejtuar nga Lulëzim Berisha e Indrit Dokle. Ky vendim erdhi pas dështimeve të shpeshta të seancave gjyqësore shpeshherë, për shkak të mungesës së përfaqësuesve të mbrojtjes ligjore të të pandehurve në gjykatë, ndërkohë që po aq të shpeshta kanë qenë edhe kërkesat e prokurorëve Martini e Dibra për zhvillim të seancave jo dy herë në javë, por çdo ditë. Ky proces ka mbi një vit që çeli shqyrtimin gjyqësor, ndërkohë që me pretekste të ndryshme është duke u shtyrë në fazën e marrjes së dëshmisë në sallën e gjyqit nga i penduari Adriatik Çoli. Me cilësinë e të akuzuarit si anëtarë të “Bandës së Durrësit”, prokuroria ka marrë 16 persona, të cilët akuzohen për disa episode të rënda kriminale, ndër të cilat edhe disa vrasje të ndodhura vite më parë në Durrës.

“Banda e Durrësit”

Sipas të dhënave të Prokurorisë, në fillimet e saj, në vitin '97, “Banda e Durrësit” drejtohej nga i pandehuri Lulëzim Berisha. Më pas, me kalimin e kohës, anëtarët e saj u përfshinë në konflikte me njëri-tjetrin, duke krijuar grupe rivale. Shumë prej të akuzuarve janë arrestuar në vitet e fundit nga forcat e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, e cila për disa vite hetoi çështjen penale ndaj tyre. Krijimi në dy grupe i kësaj bande çoi edhe në përplasje midis tyre dhe vrasje, të cilat ndodhën midis anëtarëve të dy grupeve.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›