E Diel, 1 Nëntor 2026

Fituesit e part-time, nesër nisin regjistrimet

U shpallën dje emrat fitues të sistemit me kohë të pjesshme në të gjitha universitetet e vendit. Fituesit u renditën në bazë të mesatares, për fakultet të parë, ndërsa për fakultet të dytë formula ishte më e ndërlikuar. Në këtë mënyrë, për kandidatët që konkurruan për fakultet të dytë, përveç mesatares, u mor parasysh edhe shkolla e parë që ata kanë përfunduar. Regjistrimet fillojnë nesër.

Regjistrimi

“Regjistrimi i kandidatëve në programet e studimit me kohë të pjesshme ku janë shpallur fitues zhvillohet nga data 15.12.2008 deri në datën 19.12.2008, prej orës 08:00 deri në orën 16:00, pranë sekretarive mësimore të njësive kryesore të institucioneve publike të arsimit të lartë”, – përcakton udhëzimi i ministrit Beja.

Pas mbylljes së procesit të regjistrimit, universitetet do të dorëzojnë në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës listat përfundimtare të kandidatëve fitues të regjistruar në datën 22.12.2008. Fakulteti i Ekonomisë do të kërkojë shtesë kuotash, meqenëse jofituesit ishin shumë pak. Ndërkohë, ata që kanë fituar shkollën e dytë, duhet të paraqesin medoemos diplomën origjinale të shkollës së lartë.

Kush përfiton falas

Ndërkohë, një sërë kategorish do të përfitojnë falas sipas udhëzimit. “Kandidatët që u përkasin shtresave sociale, si të verbrit, shurdhët, invalidët, paraplegjikët dhe tetraplegjikët, personat e papunë, personat që trajtohen me ndihmë ekonomike, nënat, që janë kryefamiljare, studentët me aftësi të kufizuara, fëmijët romë apo fëmijët e policëve, të rënë ose të plagosur, për shkak të detyrës, ish-të përndjekur politikë, që do të fitojnë të drejtën për të studiuar në një program studimi të ciklit të parë, me kohë të pjesshme, në institucionet publike të arsimit të lartë, në vitin akademik 2008-2009, përjashtohen nga tarifa e shkollimit”, – përcakton udhëzimi.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›