E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pranga anëtarit të Bandës së Durrësit

Policia arrestoi mbrëmjen e së dielës Edmond Koçi i akuzuar se tentoi të vrasë një shtetas pas një grindjeje

Nga ana e policisë u bë e ditur se i riu kishte tentuar të qëllonte kundër forcave speciale gjatë arrestimit

DURRËS - Kanë qenë orët e vona të mbrëmjes kur një grup policësh dhe forcash speciale të RENEA-s kanë hyrë befasisht në mjediset e një lokali “Eurolloto”-je në pronësi të shtetasit K.Leka dhe kanë arrestuar me shpejtësi një person që ndodhej aty në ato momente. I arrestuari quhej Edmond Koçi, që njihet si një prej pjesëtarëve të grupit të Lul Berishës me pseudonimin Mond Çekiçi. Ngjarja ndodhi rreth orës 20:30, duke finalizuar kështu një prej aksioneve të emërtuara me kodin “Çarku”. Blutë e Durrësit, në bashkëpunim me forcat e speciale të RENEA-s që kishin ardhur nga Tirana, pas një pune intensive për përcaktimin e vendndodhjes së Edmondit, janë informuar në rrugë operative mbi vendgjetjen e tij dhe në momentin e arrestimit forcat e drejtorisë së qarkut të Durrësit kishin marrë të gjitha masat për të shmangur çdo ngjarje të veçantë. Kjo pasi dihej mirë prej tyre se Edmondi, i quajtur nga miqtë e vet “Çekiçi” zotëronte cilësi mbijetese në situata të vështira dhe nuk do të hezitonte që të qëllonte edhe mbi ata vetë në se do t’i pikaste. Për këtë qëllim kishin ardhur edhe trupat speciale të RENEA-s, të cilat arritën ta neutralizonin edhe falë bashkëpunimit me policët specialë të antikrimit, të cilët kishin hyrë si civilë në mjediset e lokalit të lojërave të fatit, ku në këtë rast fati ishte kundër personit që u arrestua.

Arrestimi i Edmond Koçit u bë pas një përleshjeje me policët e forcave speciale. Sapo ai pa të hyjnë trupat e policisë, e kuptoi se ishin për të dhe, sipas bluve, nxori menjëherë nga brezi një pistoletë tip TT dhe tentoi të qëllojë mbi ta. Por forcat speciale arritën ta neutralizonin në kohë. Sipas policisë, pistoleta në momentin që iu kap ishte e mbushur dhe në krëhërin e saj ndodheshin 9 fishekë të kalibrit 7,62 mm, nga të cilët njëri ndodhej brenda në folenë e fishekut, i gatshëm për të qëlluar. Pas prangosjes edhe arma u sekuestrua në cilësinë e proves materiale bashkë me fishekët. Pasi arritën ta vënë në pranga shumë të kërkuarin Edmond Koçi, blutë e shoqëruan në komisariatin e Durrësit edhe dëshmitarë okularë që ndodheshin në ato momente në lokalin ku u krye arrestimi.

Edmondi ishte në kërkim për vepren penale të “vrasjes me dashje të mbetur në tentativë”. Dyshohet se më 19 tetor 2006, rreth orës 20:00, në një lokal të Durrësit, pas një grindjeje, ai ka qëlluar me pistoletë shtetasin Kastriot Lamçe, duke e plagosur rëndë atë. Për të ishte dhënë masa e sigurisë “arrest me burg” në mungesë. Pas përfundimit të operacionit, policia konfirmoi se po verifikohen disa pista të mundshme të pjesëmarrjes së Edmond Koçit në disa prej vrasjeve të bujshme që kanë ndodhur në Durrës, duke kërkuar që të sqarojë disa dyshime si një prej autorëve të mundshëm të këtyre vrasjeve. “Arma e kapur në flagrancë është dërguar menjëherë për ekspertizë, pasi mund të rezultojë pas provave balistike të jetë përdorur edhe në raste të tjera”, -thonë burimet pranë drejtorisë së Policisë së Qarkut të Durrësit. Ndaj Koçit ka është ngritur dhe akuza e “armëmbajtjes pa leje”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›