E Diel, 1 Nëntor 2026

Organizimi i trafikut të drogës nga qelia, dosja mbërrin në gjykatë

GJYKIMI/ Togat e zeza kanë marrë në dorë dosjen penale me pesë të pandehurit fierakë të akuzuar për trafik

TIRANË- Togat e zeza marrin në dorëzim dosjen penale ndaj pesë të pandehurve fierakë të akuzuar për drejtimin e “trafikut të drogës” nga qelia e paraburgimit në Durrës. Sipas kërkesës për gjykim, të përpiluar nga prokurori i Krimeve të Rënda, Ardian Nezha, i gjithë organizimi i pesë të pandehurve: Aleksandër Asllani, Andi Çerepi, Vladimir Pasha, Ardian Gërbi dhe Eduart Belulaj, për dërgimin në Greqi të 900 gramëve heroinë dhe 4 kg hashash është realizuar në dy rrugë të ndryshme. “Nga hetimi i çështjes ka rezultuar se me datë 9 maj 2008 në qytetin e Durrësit është arrestuar shtetasi Aleksander Asllani i njohur shkurt si Miri, të cilit i është gjetur dhe sekuestruar sasia prej 500 gramësh heroinë, e blerë nga shtetasi Vladimir Pasha dhe në bashkëpunim me baxhanakun e tij, Andi Çerepin. Pas arrestimit të tij, Asllanit, baxhanaku tjetër Eduart Belulaj i siguron një numër telefoni dhe i fut brenda qelisë së tij në paraburgimin e Durrësit, ku gjatë përgjimeve të telefonave të Asllanit dhe Belulajt ka rezultuar se të dy të pandehurit kanë organizuar trafikun e drogës nga Fieri-Tepelena dhe më pas në drejtim të Greqisë, drogë e cila u sekuestrua më 26 qershor 2008 në pikë-kalimin kufitar të Kakavijës”, thuhet në kërkesën për gjykim. Sipas saj, i pandehuri Asllani dhe Belulaj i kanë dhënë shtetasit nga Tepelena Ardian Gërbi sasinë prej rreth 4 kg hashash dhe 290 gramë kokainë për ta trafikuar në Greqi. I pandehuri Gërbi këtë sasi narkotikësh e ka fshehur në një kovë me bulmet (salcë kosi) dhe ia ka dhënë“taksistit” Arben Kaçori për ta dërguar si produkt ushqimor në Greqi tek vëllai i Ardianit kundrejt një pagese qesharake, duke mos e njoftuar për sasinë që ndodhej brenda. Në momentin që i pandehuri Kaçori ka mbërritur në pikë-kalimin kufitar, atij i janë vënë prangat pas kontrollit të kovës me bulmet ku i është gjetur sasia e drogës. Nga hetimet ka rezultuar se Kaçori nuk kishte dijeni për këtë drogë dhe është liruar, ndërsa ndaj të pandehurve Aleksandër Asllani, Eduart Belulaj dhe Ardian Gërbi është ngritur akuza e “trafikut të drogës” në bashkëpunim më shumë se njëherë, ndërsa për të pandehurin Vladimir Pasha dhe Andi Çerepin prokuroria ka ngritur akuzën e “prodhimit dhe shitjes së narkotikëve“ në bashkëpunim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›