E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjirokastër, nis greva e vdekjes

GJIROKASTËR- Ngujohen në grevë urie kryefamiljarët e pallatit të rrëzuar një muaj më parë në lagjen “11 Janari”. Zvarritjet në dhënien e dëmshpërblimit i kanë detyruar banorët e dëmtuar të ndërmarrin vendimin ekstrem. Një garazh ngjitur me rrënojat e pallatit është vendi ku grevistët janë vendosur për të kryer atë që e kanë cilësuar si “grevën e vdekjes”. Paralajmërimi i pak kohëve më parë u kthye në realitet mesditën e djeshme, kohë në të cilën kryefamiljarët e dëmtuar nga tragjedia e 9 nëntorit zbatuan vendimin e marrë. Rreth orës 12:00 të së hënës ata u ngujuan në një ambient aspak të përshtatshëm, jashtë të gjitha kushteve, por që ndodhet ngjitur me rrënojat e pallatit ku kishin jetuar për rreth dy dekada. Të lodhur nga pritja dhe premtimet e pambajtura për dëmshpërblimin në një kohë të shkurtër dhe për ndihmesë maksimale për kalimin e kësaj periudhe mjaft të vështirë, banorët kanë kryer aktin e fundit, të cilin e shohin si zgjidhjen e vetme të problemeve të tyre. “Pas ngjarjes, të gjithë qeveritarët erdhën dhe na premtuan, por asnjë premtim nuk u mbajt. Gjithçka u krye për shfaqje mediatike. Kemi një muaj që na sorollatin dhe askush nuk kujtohet më për ne. Ne kemi vendosur të flijohemi për të marrë atë që na takon, shpërblimin për dëmin që na shkaktuan dhe na prishën jetën. Nëse qeveria nuk ka para për të na dhënë, le të nxjerrë nga burgu pronarët e firmës dhe të na dëmshpërblejnë ata”, shprehet Axhem Mene, njëri prej grevistëve. Ndërsa për një tjetër banor, Fejzi Aliaj, kjo nuk është thjesht një grevë urie, por greva e vdekjes. “Tre fqinjët tanë që humbën jetën shpëtuan, ndërsa ne jemi të vdekur e të pakallur”, ka theksuar ai. Greva e nisur është pa afat. Sipas banorëve, të vetmet shpërblime që kanë marrë pas ngjarjes janë të papërfillshme për gjendjen e tyre të rëndë. Ata deklarojnë se kanë mundur të përfitojnë vetëm 20 mijë lekë të rinj për banor nga fondi i emergjencës së bashkisë së qytetit, një shumë prej 50 mijë lekësh të rinj për çdo familje nga donacionet e 7 firmave të mëdha që ushtrojnë aktivitetin e tyre në qarkun e Gjirokastrës, ndërsa familjet me viktima përfituan përkatësisht 800 dhe 1500 euro. Rreth orës 14:30 në vendngjarje ka shkuar kryetari i bashkisë, Flamur Bime, që ka marrë kontakt me grevistët dhe iu ka kërkuar të mos e kryejnë grevën, pasi rrezikojnë shëndetin. Sipas Bimes, bashkia nuk ka mundësi t’u plotësojë kërkesën e tyre të vetme, atë të dhënies së dëmshpërblimit të plotë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›