E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasan, policia në kërkim të ish-drejtorëve të KESH-it

OPERACIONI/ Nëntë vetë akuzohen si të përfshirë në abuzime me tenderat në një periudhë 5-vjeçare

ELBASAN - Policia e Qarkut Elbasan ka ndërmarrë pasditen e së hënës operacionin “Indikatori”, duke zbardhur dosjen e hetimit për abuzime në njësinë e shpërndarjes së energjisë elektrike Elbasan. Nëntë vetë janë përfshirë në abuzime me tenderat e zhvilluara në një periudhë 4-vjeçare, ku shuma e përfituar parashikohet t’i kalojë disa milionë. Prokuroria Elbasan prej disa muajsh kishte deklaruar një hetim mbi abuzimet në Elektrik, por vetëm një ditë më parë ndërmori aksionin duke kërkuar arrestimin e disa zyrtarëve dhe procedimin penal të disa të tjerëve.

Operacioni

Nga ky operacion është arrestuar shtetasi Shpëtim Lamçja, i cili në kohën e hetuar ishte anëtar i Komisionit të Vlerësimit të ofertave të Tenderave. Ai akuzohet se ka abuzuar me procedurat ne bashkëpunim me persona të tjerë për vitet 2004, 2005, 2006. në fakt, 37-vjeçari ka qenë i vetmi që ka provuar prangat e bluve të Elbasanit, ndërkohë që janë shpallur në kërkim: ish-drejtori i Njësisë së Shpërndarjes, Artan Topi, i larguar nga kjo detyrë vetëm pak ditë më parë, i cili në kohën e abuzimeve ka qenë kryeinxhinier i ZSHE-së; Nikolla Tuka, i cili në kohën kur akuzohet për abuzime ishte drejtor i Njësisë së Shpërndarjes, ndërsa aktualisht është i punësuar në bashki; Ndriçim Banja, i cili ka qenë anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave. Po për të njëjtat akuza do të përgjigjen në arrest shtëpie shtetasit Ilir Dervishhasani, me detyrë kryeinxhinier dhe Qamil Memini, në atë kohë anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave. Gjykata ka dhënë gjithashtu “detyrim për paraqitje” për shtetasit Natasha Gjorga, në detyrën e sekretares pranë ZSHE-së dhe Eduart Garunja, ish-anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave pranë këtij institucioni.

Akuzat

Sipas burimeve të policisë, të gjithë shtetasit e hetuar akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin për 4 vite kanë abuzuar me fondet the tenderat e zhvilluara nga Elektriku në zonën e Elbasanit. Prokuroria, në bazë të një hetimi të vazhdueshëm kërkoi masë arresti për 9 shtetas, ndër të cilët ish-drejtues të lartë të KESH-it për 5 vitet e fundit. Ndaj tyre është ngritur akuza për “shpërdorim detyre” në bashkëpunim. Mësohet se tre prej personave, ndër të cilët ish-drejtorë të Shpërndarjes së Energjisë Elbasan, ndodhen në kërkim nga policia, ndërsa është vendosur masa e sigurisë nga gjykata.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›