Përmbarimi detyron të afërmin e Bollanos të kthejë tokën
VLORË - Ekzekutimi i vendimit për një çështje pronësie dërgoi dje përmbarimorët e Vlorës drejt Himarës. Çështja e cila prej vitesh sorollatej në gjyqësor, kishte si protagonistë shtetasit Andrea Bollano, Foto Bejleri dhe Arkiviadh Pano. Përmbarimorët duket se kanë dhënë një “mësim” në zonën e shumëpërfolur për problemet e pronësisë, për të treguar fuqinë ligjore, por edhe sfiduar qëndrimin indiferent të vendorëve. Vendimi, i cili konsistonte në prishjen e disa objekteve ndërtuar në pronën e një shtetasi nga Himara, është pritur me indiferencë nga Bashkia e Himarës. Kjo e fundit nuk ka pranuar as të dërgonte ndonjë përfaqësues në zonën e Potamit, ku do të ekzekutohej vendimi. Por përfaqësuesit e përmbarimit, pasi kanë shkëmbyer debate në bashkinë e Himarës, kanë vijuar drejt Potamit. Kreu i kësaj zyre, Dilaver Çeloaliaj, pohoi se është një çështje për të cilat kanë kaluar gjithë procedurat ligjore. Sipas tij, në vitin 2006, çështja ka fituar në shkallën e parë të gjyqësorit, për t’u pezulluar një vit më pas dhe në vitin 2008, ajo ka marrë përfundimisht formë të prerë. Sipas vendimit, Andrea Bollano duhet t’i kthejë shtetasit Arkiviadh Pano një sipërfaqe prej 180 metër katrorësh. Ndërsa Foto Bejleri duhet t’i kthejë të njëjtit person një sipërfaqe prej 150 metër katrorësh. Çeloaliaj tha se, edhe pse janë njoftuar, përfaqësuesit e bashkisë së Himarës nuk kanë pranuar të marrin pjesë siç e sanksionon dhe ligji në procedurat që do të ndiqeshin nga përmbarimi. “Krerët e bashkisë nuk kanë qenë sot në bashki, as edhe juristi, ndërsa shefi i inspektoriatit urbanistik tha se nuk ishte i autorizuar të merrte pjesë”, -u shpreh Çeloaliaj. Ndërhyrja e djeshme nuk kaloi pa reagimin edisa banorëve, të cilët pretenduan të kishin pronësinë aty prej viteve ‘50.Në zonë pati edhe forca të policisë, ndërkohë që konflikti ishte i pashmangshëm. Shtetasit Pano e Bejleri u përleshën ndërmjet tyre, madje duke u gjakosur, por ka ndërhyrë policia që situata të mos përkeqësohej. Prishjet, edhe pse u përqendruan fillimisht te pjesa e rrethimit të pronës, nuk qenë aspak procedurë e lehtë. Banorët protestuan gjatë gjithë kohës, ndërsa kanë hedhur akuza për vendime të padrejta të gjyqësorit, favorizim të palëve, por edhe afera korruptive mbi të cilat po zgjidhen çështjet e pronësisë.