E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pranga anëtarit të këshillit bashkiak

VLORË/ Morand Hoxha është arrestuar mbrëmjen e së martës teksa ishte duke hipur në automjetin e tij

Ndaj 43-vjeçarit është ngritur akuza e armëmbajtjes pa leje pasi iu gjet në brez një pistoletë TT me 6 fishekë


VLORË - Policia ka vënë në pranga një nga anëtarët e këshillit bashkiak të Bashkisë së Vlorës, ndaj të cilit është ngritur akuza e "armëmbajtjes pa leje". Morand Hoxha është ndaluar pas një kontrolli dhe ndaj tij është prerë fletë-arresti. Burimet zyrtare të policisë bëjnë të ditur se atij i është gjetur një armë zjarri pistoletë TT model 54, të cilën e mbante në brez, dhe gjithashtu edhe gjashtë fishekë të kalibrit 7,62 mm, të cilat i kishte pa leje.


Arrestimi


Burimet zyrtare të policisë së Vlorës shprehen se kontrolli i ushtruar ndaj Morand Hoxhës është bërë pas disa informacioneve që ata kanë marrë në mënyrë operative.

Duket se 43-vjeçari, anëtar i këshillit bashkiak, është mbajtur nën vëzhgim për njëfare kohe nga ana e forcave të policisë dhe mbrëmjen e së martës, rreth orës 22:00, teksa po hipte në automjetin e tij tip "Benz", me targa VL 4532 A, në vendin e quajtur "Rrethi i Skelës" në lagjen "Pavarësia".

Ai është ndaluar dhe ndaj tij është ushtruar një kontroll fizik. Gjatë këtij kontrolli atij i është gjetur një pistoletë tip TT të cilën e mbante në brez. Si rrjedhojë, këshilltarit i është sekuestruar arma, si dhe automjeti në cilësinë e provës materiale.


Policia

Të kontaktuar në telefon, burimet zyrtare të policisë shprehen se kontrolli i kryer ndaj Morand Hoxhës nuk ishte i rastësishëm, pasi në raste kur kanë informacione të marra në mënyrë operative, policia vepron në çdo kohë duke mbajtur nën mbikëqyrje personat, për të shmangur edhe situatat e padëshirueshme.

Zëdhënësi i policisë së Vlorës u shpreh se gjatë ndalimit dhe kontrollit, si dhe pas arrestimit, anëtari i këshillit bashkiak nuk ka bërë rezistencë ndaj uniformave blu. Megjithatë, ai vijoi se ende nuk dihet se ku e ka marrë armën 43-vjeçari Morand Hoxha.

Këtë legjislaturë, Hoxha është anëtar i këshillit bashkiak të Vlorës. Deri para dy muajsh ai ishte nën siglën e LSI-së dhe aktualisht u është bashkuar socialistëve në këtë këshill.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›