Sondazhi "IPR Marketing: PS-ja fiton zgjedhjet me 45 për qind
PS-ja, mbështetje më të madhe tek ortodoksit, PD-ja tek katolikët. Myslimanët të balancuar.
Partia Socialiste rikonfirmohet edhe një herë si fituesja më e mundshme e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Kësaj here është sondazhi i kryer nga kompania italiane "IPR Marketing", e kontraktuar nga televizioni "Ora News", ajo që konfirmon mbështetjen që kanë socialistët në elektorat, dy muaj para zgjedhjeve të përgjithshme, që do të mbahen më 28 qershor.
Madje, ndryshe nga sa paraqiti sondazhi i fundit i kompanisë amerikane "Zogby", Partia Socialiste, në sondazhin e bërë publik dje nga "IPR Marketing", rezulton të ketë thelluar diferencën kundrejt demokratëve me rreth 4 pikë.
E thënë me shifra konkrete, në rast se zgjedhjet do të zhvilloheshin në dhjetëditëshin e parë të prillit, nga 1546 të intervistuar me telefon, 41 deri 45 për qind e tyre do të votonin për Partinë Socialiste dhe 37 deri 41 për qind e tyre do të votonin për Partinë Demokratike.
Ndërsa LSI-ja, ndryshe nga sa e ka paraqitur sondazhi "Zogby", në të tre testimet që ka bërë në muajt e fundit, në sondazhin e bërë publik dje prej "IPR"-së, ka një mbështetje që luhatet nga 6 deri në 10 për qind.
Një e dhënë interesante që ofron ky testim i ri, është edhe ai për koalicionet, ku përsëri grupimi i partive që kryesohet prej PS-së dhe ku bëjnë pjesë G99-a, PSD-ja, PDS-ja dhe ku për herë të parë është përllogaritur si aleate edhe PBDNJ-ja, gëzon një mbështetje në elektorat, që varion nga 45 deri në 49 për qind.
Nga ana tjetër, për koalicionin rival, pra atë të kryesuar nga PD-ja, kanë votuar një shumicë që varion nga 39.5 deri në 43.5.
Ndërkohë që, koalicioni i shpallur më së fundi nga partitë e djathta kundërshtare me PD-në, pra Poli i Lirisë, sipas këtij sondazhi, mund të marrë nga 0 deri në 2 për qind të votave të shqiptarëve. Gjithashtu, pjesë e këtij sondazhi është bërë edhe testimi i elektoratit për sa i përket besimit që kanë tek liderët kryesorë.
Kështu, Rama vijon të ruajë, ashtu si edhe në të gjitha sondazhet e bëra nga kompanitë e tjera, një preferencë dominuese pozitive tek shqiptarët, 62 për qind, kundrejt 41 për qind të Berishës.
Një raport i kundërt rezulton të ekzistojë mes dy liderëve kryesorë politikë edhe për sa i përket vlerësimit negativ, ku Rama përsëri është më i parapëlqyer nga zgjedhësit e përfshirë në këtë sondazh, nga të cilët vetëm 20 për qind e shohin punën e tij si negative, kundrejt 36 për qind të votave negative që ka marrë Berisha.
Një risi e këtij sondazhi është se ai tenton të bëj një prezantim të mbështetjes së dy partive të mëdha tek grupmoshat, grupet shoqërore.
Kështu, PS-ja rezulton se gëzon një mbështetje më të madhe tek më të rinjtë dhe tek më të vjetrit, si dhe një mbështetje të balancuar si tek burrat ashtu edhe tek gratë.
Interesant në këtë sondazh është fakti që, PS-ja për sa i përket ndarjes së besimeve fetare, gëzon mbështetjen më të madhe tek komuniteti ortodoks.
Nga ana tjetër, PD-ja rezulton se ka një mbështetje më të madhe tek mosha 24 deri në 28 vjeç, si dhe një mbështetje më të madhe tek gratë se tek burrat.
PD-ja gëzon, gjithashtu, mbështetjen më të madhe tek komuniteti katolik, ndërsa për sa i përket komuniteti mysliman, ai jep një mbështetje gati të balancuar për të dyja forcat kryesore.