Heronjtë e ditës në këngë dhe valle
Bukë me kryp
Në skenat shqiptare po bëhet gjithnjë e më e vështirë të dallosh mosorganizimin nga niveli i dobët i aktiviteteve.
Shembull më i fundit për këtë është koncerti "Dy tupanë për një sofër". Ai që duhej të ishte recitali i valltarit Gëzim Alimehmeti, rezultoi një përzierje e Ansamblit Popullor, Ansamblit nga Kosova "Corona" dhe Valleve të këtij të fundit. Jo pa qëllim ky aktivitet ishte reklamuar si recitali i Alimehmetit.
Diku në mes të mbrëmjes ishte menduar që Kryetari i Shoqatës Tirana, Arben Tafaj, t'i dorëzonte valltarit titullin "Nderi i Tiranës". Programi ishte organizuar aq mirë, sa në këtë moment historik të karrierës së tij Alimehmeti ishte duke ndërruar veshjet, dhe Tafaj i vetëm në mes të skenës (prezantuesja u largua të kërkonte valltarin), u detyrua të lexojë motivacionin dhe më pas t'ia dorëzonte prezantueses titullin. Por sikur absurdi të mbaronte me kaq, në fund të shfaqjes Tafait iu kërkua edhe një herë të ngjitej në skenë për t'i ridorëzuar titullin Alimehmetit, gjë që nuk e refuzoi.
Më tej, mangësitë e këtij recitali ndiqnin njëra-tjetrën si rruazat në tespie. Për të shkuar çdo gjë vaj, TOB ia kishte besuar foninë një subjekti privat. Fatkeqësisht ishte aq profesionist sa prezantuesja foli për minuta të tëra pa u dëgjuar nga salla e mbushur plot dhe polifonia e Ansamblit vinte në veshët e njerëzve valë-valë.
Vërtetë që mysafirët nga Kosova duheshin nderuar, por jo deri në atë pikë sa heroit të Luftës së Kosovës, Adem Jasharit, t'i kushtoheshin valle të tëra. Një figurë e tillë i përket historisë së Kosovës, dhe ndoshta një ditë edhe folklorit të saj.
E sikur të mos mjaftonte ky aktualizim epik i folklorikës dhe njëherësh patetik (figura e Jasharit mishërohej në një trup valltari të dobët, të veshur me poture të errëta, këmishë dhe jelek, me një palë mustaqe të zeza e të stërgjata) i papritur ishte fundi i shfaqjes "Dy tupanë në një sofër", me një valle fund e krye me motive cigane për të mbyllur një recital me këngë dhe valle popullore të Shqipërisë dhe Kosovës.