Pranga baxhanakëve, po i çonin drogë në burg kunatit
• Ndalohen baxhanakët që po tentonin t'i fusnin drogë kunatit të tyre në qelitë e burgut të Burrelit.BURREL/ ENVER DOÇI Ridvan Zaja, 40 vjeç dhe Sabah Kraja, 48 vjeç, nga Shkodra, janë vënë në pranga pasi gjatë kontrollit të ushtruar nga policia e burgut iu gjet e fshehur 30 gramë marijuanë. Droga ishte e destinuar për Kujtim Barbullushin, i dënuar për vrasje me 9 vjet heqje lirie. Drejtori i burgut të Burrelit, Shyqyri Dushku, tregon në një intervistë detajet e kontrollit që çuan në zbulimin e drogës.Dy persona janë vënë në pranga nga forcat e sigurisë së burgut që ju drejtoni. Si u zbulua lënda narkotike? Për shkak se në burgun e Burrelit janë konstatuar probleme, ne kemi shtuar masat e sigurisë. Forcat e sigurisë, sidomos ato që merren me kontrollin e sendeve që u dërgohen të dënuarve, po punojnë me kujdes të jashtëzakonshëm për të parandaluar çdo mundësi për të dërguar tek ata objektet e ndaluara. Sot në mëngjes, rreth orës 09:00, të afërm të të dënuarit Kujtim Barbullushi kanë kërkuar të vizitojnë njeriun e tyre. Si zakonisht punonjësit e policisë kanë zbatuar rregullat e sigurisë së brendshme. Fillimisht ata kanë lënë portën kryesore dhe i janë drejtuar portës ku mund të hyhet tek të dënuarit. Këtu ushtrohet një kontroll tjetër më i imtësishëm. Ridvan Zaja dhe Sabah Kraja, baxhanakë me njëri-tjetrin, por kunetër të Kujtim Barbullushit kanë pasur me vete dy çanta të mëdha me sende të ndryshme. Ato i janë nënshtruar një kontrolli të imtësishëm, pasi edhe herë të tjera kishte informacione se persona të caktuar, të afërm të të dënuarve, kanë tentuar të dërgojnë lëndë narkotike tek ata. Gardianëve u ka bërë përshtypje një palë atlete, të cilat ishin shqyer diku. Menjëherë ato janë verifikuar me kujdes dhe më pas në vrimën e atleteve është gjetur një qese e vogël. Punonjësit e policisë me informuan me shpejtësi dhe unë lajmërova në kohë rekord prokurorinë e rrethit dhe forcat e komisariatit të policisë Burrel. Dy personat e dyshuar se tentonin të dërgonin lëndë narkotike, marijuanë në qelitë e burgut të Burrelit janë arrestuar në kushtet e flagrancës. Unë falënderova punonjësit e policisë për gatishmërinë e treguar, ndërkohë organet e drejtësisë po zbardhin plotësisht rrethanat e ngjarjes.A kishit informacione se sende të ndaluara po hynin në burgun e Burrelit?Vazhdimisht tentohet të futen në burg sende të ndaluara. Kjo ka bërë që ne të shtojmë masat e sigurisë. Informacionet ne i marrim në burime të ndryshme dhe deri më sot askush nuk ka guxuar të fusë sende të ndaluara për të dënuarit.Mban përgjegjësi i dënuari në të tilla raste?Çështja po hetohet nga një grup hetimor i ngritur urgjentisht pas ngjarjes. Unë nuk jam i autorizuar të flas në emër të këtij grupi, por sipas gjykimit tim edhe i ndaluari ka përgjegjësinë e tij në lidhje me ngjarjen. Ai duhet pyetur në cilësinë e dëshmitarit dhe cili është pozicioni i tij për ngjarjen në fjalë.Dallojmë më shumë forca e mjete pranë institucionit tuaj?Është hera e parë që në burgun e sigurisë së lartë, në mjediset e tij tentohet të futet lëndë narkotike. Kjo ka bërë që ne të rrisim masat e sigurisë. Vetëm një disiplinë e gjithë stafit bën të mundur parandalimin e çdo veprimi antiligjor në këtë burg.