Deti nxjerr trupin e peshkatarit
• DURRES - Pas më shumë se dy javëve deti ka nxjerrë në breg trupin e pajetë të peshkatarit Besim Nallbani.Kanë qenë të afërmit e tij, ata të cilët nuk kanë shterur për asnjë çast kërkimet. Burimet policore saktësuan se në orët e para të mëngjesit, një prej të afërmve të peshkatarit ka dalluar një kufomë në ranishte, vetëm 50 metra larg bregut. Menjëherë familjarët kanë shkuar te kufoma, të cilën e kanë identifikuar menjëherë në sajë të shenjave të veçanta të peshkatarit. Kufoma kishte humbur krejtësisht flokët nga qëndrimi i gjatë në ujë dhe trupi kishte nisur të dekompozohej. Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forcat e rendit. Ata vendosën dërgimin e trupit për verifikim të mëtejshëm në morgun e spitalit, por edhe mjekët-ligjorë arritën në të njëjtin konkluzion. Peshkatari Besim Nallbani, të cilin të gjithë e njihnin në Spitallë me nofkën "Taku", humbi çdo kontakt me familjarët në mbrëmjen e 23 janarit, kur vendosi të dilte për gjueti me një det të egërsuar. Kërkimet me dragaminë dhe motovedeta, të cilat zgjatën tri ditë, arritën të gjenin vetëm barkën, por jo trupin. Mendohet se kufoma kishte ngecur në ndonjë shkëmb nënujor derisa rrymat e kanë zhvendosur pranë bregut, në një largësi prej një milje nga vendi ku mendohet të jetë mbytur atë mbrëmje të ftohtë. o.u