Pranga dy shqiptarëve në Itali, u kapën me 15 kg heroinë
ITALI- Dy shqiptarë janë arrestuar nga policia italiane, pasi janë kapur me 15 kilogramë heroinë. Lajmi publikuar nga mediat italiane, i referohet policisë e cila ka njoftuar se vlera e mallit të kapur në San Benedetto del Tronto arrin në 200 mijë euro.
Sipas policisë, ndalimi i tyre është bërë në kuadër të operacionit të koduar 'Riccio'. Në pranga janë vënë 28-vjeçari F. M., i cili do ti dorëzonte heroinën bashkëkombësit të tij, A. K., 29-vjeç.
Droga u gjet në makinën me të cilën ai ishte duke udhëtuar, ku gjatë kontrollit policia zbuloi 15 pako droge, secila me peshë 1 kilogram.
"Mendohet se malli, i një cilësie të mirë vinte nga Shqipëria përmes Pulias"- kanë sqaruar drejtuesit e operacionit gjatë një konference shtypi dhënë për mediat italiane.
Dy shqiptarët, sapo u zbuluan kanë tentuar të largohen, por pa mundur t'i shpëtojnë policisë. Ata u përcollën në burgun e 'Marino del Tronto'.
Ndërkaq, policia vijon hetimet për zbulimin e rrjetit, pasi dyshohet se pas dy të ndaluarve ka edhe persona të tjerë.