Pranga dy shtetasve, kanosën një operator të TV “Rozafës

Kapen dhe arrestohen autorët, që goditën dhe kanosën për shkak të detyrës ,një operator të medias lokale në Shkodër.
Ditën e sotme nga strukturat për hetimin dhe parandalimin e krimit, në komisariatin e policisë Shkodër, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve Ramir Hadëri, 23 vjeç ,Suad Laçej, 21 vjeç.
Arrestimi i tyre u bë pasi po sot në orët e paradites, në lagjen "Qemal Stafa", të qytetit, pikërisht në vendin e quajtur pranë godinës së televizionit lokal “Rozafa”, këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë goditur, kanosur dhe fyer, për shkak të detyrës, shtetasin Gjon GJ, 29 vjec, banues në lagjen "Mark Lula", Shkodër, me detyrë operator i TV “Rozafës”.
Nga veprimet e para hetimore, rezultoi se ngjarja e ndodhur sot, ka nisur si pasojë e një debati të krijuar një ditë më parë, ku shtetasit Ramir Hadëri dhe Suad Lacej, kanë qënë të pranishëm në një takim elektoral të Partisë Socialiste dhe e kanë fyer e kërcënuar operatorin e TV “Rozafës”, i cili po kryente detyrën e tij, duke filmuar takimin.
Në lidhje me këtë ngjarje, nga strukturat e drejtorisë Shkodër, jane kryer të gjitha veprimet e duhura proceduriale dhe materialet në ngarkim të shtetasve të arrestuar i kaluan për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprat penale të: "Goditje për shkak të detyrës" dhe "Kanosje"dhe "Fyerje".