E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reshje pa ndërprerje, përmbytet periferia e Durrësit

05/05/2011  Përfshihen nga uji 250 familje dhe shumë biznese. Bëhen verifikimet në terren

DURRES- Rreth 250 familje në lagjet periferike të Durrësit si dhe lokale shërbimi e objekte të ndryshme janë përfshirë nën ujë pas reshjeve të dendura të shiut. Policia e mjetet zjarrfikës kanë mundur të bëjnë evakuimin e disa banorëve të kateve të para ngase në banesat e tyre përdhese uji ka hyrë mbi 50 cm. Situata është paraqitur problematike në vendin e njohur Fidanishtja, Spitallë, ish-Kënetë dhe Porto Romano.

Përmbytjet

Shtabi i Emergjencës Civile pranë Bashkisë së Durrësit dhe prefekturës janë treguar të rezervuar për të dhënë versionin e tyre lidhur me shkaqet e përmbytjes së madhe. Reshjet e shiut kanë nisur në orën 22 të datës 3 maj, ndërsa rreth orës 01 deri në 04 të së mërkurës shiu ka qenë shumë i rrëmbyeshëm. Apartamentet dhe banesat njëkatëshe kanë pësuar dëmtime të mëdha në orendi e elektroshtëpiake. Paraprakisht është shumë herët për të arrirë në një statistikë të dëmeve, por grupet e verifikimit kanë thënë se reshjet, balta zhavorri kanë dëmtuar në mënyrë të konsideruar familjet në lagjen numër 14, 15, 17, 18 dhe në Porto Romano. Administratori i rajonit numër 4 në qytetin e Durrësit Luan Zeqja ka shkuar vet në të gjitha shtëpitë e dëmtuara të rajonit që ai drejton dhe ka nënshkruar procesverbalet përkatëse. Zeqja ka ngritur grupin e punës herët në mëngjesin e djeshëm dhe inspektoret Suzana Disha e Dila Prendi së bashku me administratorin kanë hyrë shtëpi më shtëpi duke shënuar në blloqe edhe dëmet. Shumë familje kanë braktisur shtëpitë, kurse të tjera familje kanë çarë muret e banesave për t’i hapur rrugë ujit të dilte në anën tjetër të banesës. Paraprakisht dyshohet se shkak për përmbytjen është bërë hidrovori në Porto Romano, i cili mban nën kontroll kullimin në ditë me reshje. Pohimet e mësipërme jozyrtare thonë se stacioni i pompave nuk ka funksionuar për më shumë se 1 orë. Ndërkohë ka reaguar edhe Drejtoria e Bordit të Kullimit duke e mohuar këtë pohim. Drejtori Shyqyri Ballgjini është deklaruar se pompat kanë qenë në punë dhe me kapacitete maksimale duke treguar edhe detaje të procesverbalit që mbahet në atë stacion. Realisht në pikun e reshjeve dhe të erës së fortë të pas mesit të natës ka pasur stakim të energjisë për disa minuta, ndërkohë që hidrovori ka linjë të dyfishtë dhe një gjenerator të fuqishëm për raste emergjence. Nga ana tjetër thuhet se shkak përmbytje janë bërë mosfunksionimi i kanaleve të mëdha. Kanali i madh që nis tek spitali, përshkon Spitallën e derdhet në Porto Romano është çarë në disa vende duke lëshuar në banesa e lokale qindra m3 ujë dhe mbeturina të ndryshme inerte. Ka më shumë se dhjetë vite që kanali nuk pastrohet nga Bashkia e Durrësit, duke përsëritur vazhdimisht këtë situatë të natës së kaluar. Gjatë dimrit të kaluar kanali ka dalë disa herë nga shtrati duke u sjellë shumë probleme e dëmtime familjeve që kanë ndërtuar shtëpitë nën të. Banorët janë ankuar edhe për bllokimet e kanalit me themele ndërtesash, mure, mbeturina, inerte etj, por nuk kanë marrë asnjë përgjigje. Kryetari rajonit numër 4 Luan Zeqja ka thënë se vetëm në kanalin që përmbyti të mërkurën dhjetëra e dhjetëra shtëpi në Spitallë ka më shumë se 150 ndërtime të paligjshme të vogla e të mëdha. Veç këtij fakti në kodrën mbi Spitallë, lagjen numër 15, janë dy rezervuar që provokojnë herë pas here katastrofë natyrore. Ujëmbledhësit kanë të bllokuar kanalin e shkarkimit dhe fryrja në limitet më të paparashikuara rrezikon të shkatërrojë argjinaturën. Nëse një herë një gjë e tillë do të ndodhë më shumë se 350 shtëpi shkatërrohen në themel nga vërshimi ujit dhe prurjeve të mëdha. Numri i familjeve në prani të ujit ka qenë më e madhe, por shtëpi e lokale që kanë pësuar dëme thuhet se nuk kapërcejnë mbi 250 të tilla. Rreth orës 7-8 të paradites së djeshme situata është normalizuar përgjithësisht, pasi uji është larguar dhe banorët kanë nisur të rikthejnë në vendet e tyre materialet e orenditë shtëpiake.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›