Pranga grabitësit të naftës së autostradës
MIRDITË- Nëse deri ditët e sotme, çmimi i shitjes së naftës në disa “pika furnizimi” ilegale përgjatë aksit rrugor Rrëshen-Reps, ishte tejet joshës, duket se tashmë i ka ardhur fundi, pasi janë bërë dhe arrestimet e para të personave që vidhnin nga serbatorët e autoboteve apo makinerive të kompanisë ndërtuese të autostradës. Pas mbikëqyrjesh të shumta të policisë së Mirditës është bërë e mundur rënia në gjurmët e një personi të tillë, i cili është kapur në flagrancë.
Burimet policore saktësuan se është kapur në flagrancë duke vjedhur karburant nga makinat furnizuese me gazoil të kompanisë ndërtuese të autostradës Fatmir Çela nga Kamza. Kompania në fjalë disa herë ka bërë denoncime për humbje pa nishan të karburantit nga cisternat e furnizimit pasi ato bëheshin pre e vjedhjes në tonelata. Ka qenë kjo arsyeja që policia ka gjurmuar vjedhësit e karburantit duke mbikëqyrur disa për të cilët kishte të dhëna se marrin naftë me shumicë dhe e shesin. Nga fakti që vjedhjet asnjëherë nuk janë ndëshkuar, ishte krijuar ideja se vjedhjet pranoheshin në heshtje nga firma dhe mosndërhyrja e policisë, por të gjendur para vjedhjeve galopante kompania ka bërë denoncimin ndërsa policia ka gjurmuar me muaj të tërë duke synuar kapjen në flagrancë të vjedhësve të naftës. Burimet zyrtare të policisë pohuan se në momentin e arrestimit ai ishte duke mbushur bidonë plastikë në një sasi prej 500 litra. Karburanti ishte zhvatur nga një autobot tip MAN me targa “TR 3562 N”. Nga ana e policisë është bërë edhe sekuestrimi i furgonit me targa të Laçit, me të cilin është kryer dhe vjedhja e karburantit nga boti i firmës. Si provë materiale policia ka sekuestruar dhe 24 bidonë plastikë të mbushur me naftë, ndërsa mendohet se në këto vjedhje të jenë përfshirë dhe persona të tjerë, pasi çdo ditë humbnin qindra litra naftë thuajse në të gjithë aksin, ndërsa në jo pak vende shihej të shitej naftë me çmim shumë më të lirë se tregu.