Durrës, makina aksidenton me vdekje 55- vjeçarin
DURRËS- Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen e një personi ka ndodhur ditën e djeshme në Durrës e pikërisht në zonën e Spitallës. Një makinë me targa “TR 4661 I” ka aksidentuar një 55- vjeçar duke i shkaktuar atij vdekjen. Makina e ka goditur nga pas motorin me të cilin udhëtonte 55- vjeçari dhe nga përplasje shumë e fortë ai ka pësuar një tronditje të rëndë të shoqëruar me hemorragji të brendshme dhe si pasojë ka gjetur vdekjen. Pasi ka shkaktuar aksidentin, makina është larguar me shpejtësi nga vendngjarja e më pas policia, e cila është vënë në ndjekje të saj, e ka gjetur të braktisur në thellësi të zonës së Spitallës, rreth katër kilometra larg aksidentit. Ka qenë një telefonatë anonime ajo që i ka treguar policisë vendndodhjet e makinës. Gjatë këqyrjes së kufomës, në rroba viktimës i është gjetur një dokument që kishte një emër, Enver Basha, por sërish policia nuk është në gjendje që të përcaktojë identitetin e saktë të tij. Kjo pasi nuk dihet nëse dokumenti që ndodhej në xhepin e pasmë të pantallonave të viktimës ishte apo jo i tij. Policia ende nuk e ka identifikuar autorin e këtij aksidenti duke dyshuar se automjeti mund të ketë qenë i vjedhur, ose se duke qenë i tillë është braktisur shpejt prej tyre pasi gjetja e mjetit nuk mund t’i identifikonte ata.