Elbasan, ndryshimi i sistemit çorienton shkollat
ELBASAN- Ditët e para të shtatorit janë kthyer në një kaos për sa i përket sistemimit të mësuesve në shkollat e rrethit të Elbasanit. Duke nxituar të bëjnë ndryshimet dhe transferimet nga shkollat e mesme në ato nëntëvjeçare por edhe emërime të tjera drejtuesit e Arsimit në Elbasan kanë bërë edhe gabime si p.sh: emërimi i dy ose më shumë personave në një vend pune. Kështu ka ndodhur me një edukatore në Cërrik që nuk do të publikojë emrin e saj. Ajoduhet të transferohej në Elbasan por kur ka mbërritur ka parë se vendi i saj i punës nuk ishte i lirë ndërsa atje ku kishte qenë, ishte zëvendësuar. Kështu janë hasur edhe raste të tjera të cilat kanë bërë që drejtuesit e shkollave të përballen me dy emërime për një vend pune. Mësohet se Drejtori i Arsimit të Elbasanit pritet të largohet nga posti i tij dhe nxitimi për të realizuar emërimet e fundit ka bërë që të krijohen situata të cilat e kanë futur arsimin në Elbasan në një situatë kritike, e cilanuk dihet se si do të zgjidhet. Nisur nga kërkesat e shumta për një vend pune në Elbasan në fushën e mësuesisë, zërat për abuzime deri edhe emërime në këmbim të parave janë shtuar. Sipas qytetarëve të cilët nuk duan të identifikohen me emër, shuma për këtë vit për një emërim është katër mijë Euro. Megjithëse flitet për korrupsion, institucionet ligjore kundër korrupsionit si Seksioni i Krimit Ekonomik dhe Financiar apo Prokuroria nuk kanë nisur qoftë edhe një hetim lidhur me shitjen e vendeve të punës në Arsim. Çdo vit në Elbasan dalin me qindra studentë në fushën e mësuesisë dhe numri i atyre që kanë depozituar kërkesë për punësim në Drejtorinë Arsimore të Elbasanit janë rreth 800. Nisur nga rëndësia e këtij posti, mbetet gjithmonë më i preferuari dhe brenda tre vjetëve janë zëvendësuar dy drejtorë arsimi. I fundit pritet të marrë vendimin e largimit të hënën dhe emërimet apo transferimet e bëra do të rishikohen nga drejtori i ri që pritet të emërohet në këtë post.