Godet babanë me thikë në tavolinën e bukës
SHKODËR- Një zënkë për motive të dobëta, teksa po drekonin, për pak sa nuk i ka marrë jetën një 60- vjeçari në Shkodër. Lazër Kulla është plagosur nga i biri rreth orës 16.00 të ditës së djeshme brenda në banesën e familjes. Burimet e policisë pohuan se pjesëtarët e familjes Kulla po hanin drekë dhe në tavolinë ka nisur debati. Një grindje e momentit mes kryefamiljarit Lazër Kulla dhe djalit të tij Agustin Kulla, 22 vjeç, ka bërë që ky të rrëmbejë thikën e bukës që ndodhej në tryezë dhe të godasë me të babanë e tij. Kanë qenë pjesëtarët e tjerë të familjes që kanë ndërhyrë dhe kanë dërguar në spital të dëmtuarin. Mësohet se ky ka marrë goditje në gjoks dhe sipas mjekëve mendohet se është jashtë rrezikut për jetën, pasi arma e ftohtë nuk i ka prekur organet jetësore. Policia ka bërë ndalimin e 22- vjeçarit Agustin Kulla dhe fillimisht nga pjesëtarët e familjes Kulla është pretenduar se autor i ngjarjes ka qenë djali tjetër i familjes, i cili është vetëm 13 vjeç. Por kjo nuk i ka bindur policët të cilët pasi kanë kryer veprimet përkatëse kanë prangosur 22- vjeçarin Agustin Kulla.