Pranga kosovarit, mbante pasaportë biometrike false
Tiranë Dyshimet për falsifikim të pasaportave biometrike, të evidentuara kohët e fundit, kanë vënë në alarm policinë dhe prokurorinë, të cilat kanë nisur një hetim të gjerë për të gjitha dokumentet e kapura. Dy raste të reja janë regjistruar pak ditë më parë, kur policia e kufitare dhe ajo e Tiranës informuan për zbulimin e dy pasaportave biometrike, të cilat dyshohet se janë të falsifikuara. Policia Kufitare e Kukësit arrestoi në doganën e Morinit shtetasin kosovar Elbasan Sejdiu, i cili ka tentuar të përdorë një pasaportë biometrike shqiptare me identitetin e një tjetër personi. 24-vjeçari me banim në Prishtinë, teksa po kalonte Doganën e Morinit në Kukës për të hyrë në territorin shqiptar u ka paraqitur policëve të pikës kufitare pasaportën biometrike me gjenealitetet e shtetasit Amarildo Muka me banim në Tiranë. Menjëherë, punonjësit e policisë kanë kryer verifikimet e nevojshme në sistemin TIMS, nga ku rezultoi se pasaporta në fjalë ishte në emër të këtij personi, por fotografia e saj nuk i përkiste as Mukës dhe as shtetasit kosovar Elbasan Sejdiu. Menjëherë, forcat e policisë kryen arrestimin e 24-vjeçarit, duke e dërguar në Tiranë, pasi personi në emrin e të cilit është lëshuar pasaporta biometrike rezulton të jetë banor i njësisë 11, ku dyshohet të jetë bërë edhe aplikimi. Gjatë marrjes në pyetje, 24-vjeçari Elbasan Sejdiu ka deklaruar se pasaportën në fjalë e ka gjetur në lokalin në pronësi të tij në qytetin e Prishtinës, të cilën e ka humbur një qytetar shqiptar. Duke qenë se Sejdiu do të udhëtonte drejt Shqipërisë, bashkë me hallën e tij për arsye familjare, ka vendosur të dorëzojë në ambientet e policisë pasaportën shqiptare. I pyetur përse ka tentuar të përdorë një pasaportë të falsifikuar në pikën doganore të Morinit, Sejdiu ka deklaruar se ka qene thjesht një ngatërresë e momentit, pasi ai ka dashur të tregojë pasaportën kosovare, e cila gjithashtu është sekuestruar nga policia. Duke mos besuar shumë tek alibia e kosovarit, policia ka ngritur akuzat e falsifikimit të pasaportave dhe çështja ka kaluar për kompetencë në Prokurorinë e Tiranës. Hetimet paraprake ngrenë dyshime se për prodhimin e kësaj pasaporte, që ka gjithë elementet e nevojshme të sigurisë, është përdorur identiteti i një personi, duke përfituar nga fakti se ai ende nuk kishte aplikuar për pasaportë biometrike. Hetuesit ngrenë dyshime se në këtë skemë mund të jenë përfshirë zyrtarë dhe falsifikatorë, që arrijnë të sigurojnë një dokument identifikimi të falsifikuar me gjenealitetet e personave që nuk kanë aplikuar për pasaportë. Ky dokument, që mund të jetë certifikatë, ose patentë e falsifikuar mund të përdoret në zyrat e aplikimit për të përfituar pasaportë biometrike të rregullt, por me identitetin e një tjetër personi. Dyshimet për këtë skemë janë shtuar, pasi dje policia ka referuar në prokurori edhe një rast tjetër të falsifikimit të pasaportave. Bëhet fjalë për një të ri nga periferia e kryeqytetit, i cili sipas informacioneve të policisë ka falsifikuar pasaportën duke i ndryshuar asaj fotografinë.
Dy grupet e pasaportave false
Rastet e fundit vijnë pas arrestimeve të kryera nga policia, pak kohë më parë, kur u zbulua një rrjet falsifikatorësh të pasaportave biometrike, ku ishin të përfshirë edhe shtetas kosovarë. Hetimi tregoi se grupi shfrytëzonte emrat e personave që nuk kishin aplikuar ende për pasaportë biometrike. Gjithashtu, policia arrestoi në Korçë edhe disa punonjës të kompanisë që prodhon pasaportat biometrike dhe kartat e identitetit, pas informacioneve të siguruara për përfshirjen e tyre në një skemë tjetër falsifikimi, kryesisht për persona me precedentë penalë që kërkonin të largoheshin nga Shqipëria.