Lapsusi me urdhër-arrestin, Stresi arrestohet në kufi
Arkimed Lushaj është arrestuar në pikën kufitare të Qafë-Thanës, ku emri i tij rezultonte në kërkim edhe pas shfuqizimit të arrestit nga Gjykata e Lartë
POGRADEC- Këngëtari problematik Arkimed Lushaj, i njohur më së shumti me emrin Stresi është prangosur dje në kufirin me Maqedoninë. Lajmi bëhet i ditur nga Drejtoria e Policisë në Korçë, sipas së cilës ai është ndaluar pasditen e së mërkurës në pikën e kalimit kufitar të Qafë-Thanës. Këngëtari 24-vjeçar Arkimed Lushaj është ndaluar teksa ishte duke kryer proceduarat kufitare në vendkalimin e lartpërmendur. Në këtë njoftim zyrtar të Drejtorisë së policisë në juglindje bëhet e ditur se këngëtari po shkonte drejt Maqedonisë për një koncert. Këngëtari do të qëndronte vetëm për dy ditë në vendin fqinj, për t’u rikthyer sërish në Tiranë, por urdhër-arresti për të në sistemin TIMS i ka detyruar punonjësit e policisë kufitare që t’i shtrëngonin prangat në duar. Sipas policisë së Korçës, Lushaj akuzohet për veprat penale të “shtrëngimit me armë”, “kanosje, ose dhunë për vënie pasurie në bashkëpunim”, çka tregon se urdhër-arresti kundër tij është ai i lëshuar pas vendimit të Gjykatës së Apelit, që kërkonte arrestimin e Stresit për gjobëvënie ndaj regjisorit Leonard Bombaj. Më shumë sesa një operacion, arrestimi i këngëtarit repist është lapsus i policisë, pasi urdhër-arresti kundër tij është shfuqizuar nga Gjykata e Lartë, por duket se ka mbetur gabimisht në sistemin kompjuterik TIMS. Aktualisht Arkimed Lushaj dhe miqtë e tij akuzohen për gjobëvënie ndaj regjisorit Leonard Bombaj, pas një konflikti të shkaktuar mes këtij të fundit dhe nxënëses së tij 15-vjeçare. Vajza e akuzoi regjisorin për dhunë seksuale, ndërsa në emër të saj Stresi i kërkoi një shumë parash Bombajt, për të mos e çuar çështjen në dyert e drejtësisë. Çështja hetohet aktualisht nga Prokuroria e Tiranës, ku akuzat për dhunë seksuale nga vajza e mitur nuk u provuan. Nga ana tjetër, një procedim penal është regjistruar nga Stresit, tre miqve të tij dhe 15-vjeçares, të cilët akuzohen për kanosje dhe shtrëngim për dhënie pasurie ndaj regjisorit Leonard Bombaj. Pasditen e djeshme Stresi është sjellë me pranga në duar nga dogana e Qafë-Thanës drejt Tiranës, ku duket se do të sqarohet edhe ngatërresa me urdhër-arrestin tashmë të shfuqizuar kundër tij.
Irena Vreto