E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranga kryekarabinierit, fshehu provat për vrasjen e shqiptarit



MILANO - Fshehja e provave të vrasjes së një emigranti shqiptar në një provincë të Milanos në Itali dhe ndihma që i dhanë autorit të krimit, u ka kushtuar prangat 5 personave, njëri prej të cilëve është kryekarabinieri i provincës Rho. Mediat italiane publikuan dje se është arrestuar kryekarabinieri, që ishte duke bërë hetime në vendin e ngjarjes ku u vra shqiptari Artin Avrami, ngjarje e ndodhur më 25 janar të këtij viti. Vendimi për ndalimin e tij është marrë nga prokurori i Milanos, Guido Salvini, gjatë hetimeve të zhvilluara për vrasjen e 37-vjeçarit shqiptar. Krimi ka ndodhur gjatë natës së datës 25 janar, në parkingun e lokalit të natës “Il Brigante”. Atë natë mbeti i vrarë Artin Avrami, nga Fieri dhe rezident me dokumente të rregullta në Itali. Personi që ka përgjegjësinë më të madhe për vrasjen e shqiptarit, sipas prokurorit italian është pikërisht kryekarabinieri i provincës Rho, të Milanos, Mikele Belingieri, i cili dyshohet se përveçse ka fshehur pamjet filmike të regjistruara në lokalin ku ndodhi vrasja, ka ndihmuar edhe autorin e krimit. Mediat italiane shkruajnë se Belingieri gjatë hetimeve kishte lënë të dilte nga lokali një të dyshuar, i cili më pas është arrestuar për krimin. Ai është Domeniko Fulciniti, i cili mbante pistoletën e përdorur nga vrasësi i shqiptarit, Kristian Bandiera. Policia ka vënë në pranga edhe dy shqiptarë të tjerë dhe një italian. Ata janë, Artur Sulo dhe Arben Sulo si dhe italiani Salvatore Fontana. Ngjarja kishte ndodhur pas komplimenteve të bëra në drejtim të një vajzë që ndodhej në lokalin e natës në Milano, nga ana e viktimës, Artin Avrami. Shqiptari u qëllua për vdekje me pistoletë, ndërsa një shqiptar tjetër, shok i tij, mbeti i plagosur së bashku me një italian që ndodhej në lokal. Sipas mediave italiane, viktima me dy shokët e tij kishin shkuar për të pirë në lokal kur janë konfrontuar me një tryezë tjetër, që nga gjuha e folur dyshohet të jenë shqiptarë. Komplimentet për një vajzë që ndodhej në tavolinën tjetër mësohet të kenë provokuar grindjen, e cila më pas ka precipituar në të shtëna arme. Në lokal në momentin e ngjarjes ndodheshin rreth 50 persona dhe mësohet se është qëlluar me pistoletë më shumë se 10 herë. Autori dyshohet të jetë personi që është arrestuar, por i ndihmuar edhe nga persona të tjerë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›