Shkrihen tri seksionet e Policisë së Tiranës
TIRANE – Drejtori i Policisë së kryeqytetit, Tonin Vocaj, njoftoi dje “shkrirjen” e tri sektorëve të Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Ky fakt është bërë i ditur gjatë analizës së punës gjatë 3-mujorit të parë të këtij viti. Sipas burimeve të policisë, mësohet se kanë ndryshuar shefat e dy seksioneve të rëndësishme të Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Në drejtimin e Seksionit Kundër Krimit të Organizuar është emëruar Lorenc Meta, i cili ishte shef i Antikrimit Ekonomiko-Financiar. Ndërsa në vend të Metës, është emëruar shefi i seksionit Kundër Pastrimit të Parave, Bedri Gjoni, duke e lënë vakant përkohësisht postin që mbante. Në strukturën e Drejtorisë së Policisë së Tiranës janë shkrirë edhe tri seksione të hetimit të krimeve. Policia tha se është vendosur shkrirja e seksionit Kundër Akteve Terroriste, atij Kundër Krimeve Seksuale dhe Heqjes së Lirisë së Personit, si dhe seksionit Kundër Dhunës në Familje. Më këtë ndryshim, 20 oficerë që merreshin deri dje me këto vepra të rënda penale janë “ngrirë” deri në një vendim të dytë, që pritet të marrë drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj. Sipas të njëjtave burime, pritet që brenda 10 ditëve në vazhdim të bëhet emërimi i këtyre punonjësve të policisë në sektorë dhe seksione të tjera të policisë. Burimet thanë se është në pritje një projekt, që ende nuk ka marrë firmën përfundimtare të drejtuesve të policisë, sipas të cilit është parashikuar që oficerët e Krimeve Seksuale dhe Antiterrorit të punojnë brenda Seksionit Kundër Krimeve Ndaj Jetës dhe Shëndetit. Ndërsa oficerët e Sektorit Kundër Dhunës në Familjeve, pritet të kalojnë te seksioni i Rendit. Gjatë analizës së djeshme, mësohet se është vlerësuar puna gjatë këtyre 3 muajve të parë të vitit e oficerëve Antidrogës, pasi me një krahasim statistikash me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, është vënë re një rritje e zbulueshmërisë dhe forcës goditëse ndaj kriminalitetit. e.d
SEKSIONET QE SHKRIHEN
- Seksioni Kundër Akteve Terroriste
- Seksioni Kundër Krimeve Seksuale dhe Heqjes së Lirisë së Personit
- Seksioni Kundër Dhunës në Familje