“Varreza e Panahorit, me të dënuar që ndërtuan uzinën e naftës”
Nga të dërguarit tanë,Majlinda Rama,Ferdinand Dervishi
Mëngjesin e djeshëm, kur folësit në radio e televizione lexonin titujt kryesorë të gazetave, Hajri Ahmetaj dhe Fiqiri Demiraj, dy ish-policë të burgut të Ballshit, kishin marrë njëri-tjetrin në telefon dhe e kishin lënë të takoheshin për kafe. Sepse lajmi për zbulimin e një varreze me eshtra të burgosurish në kodrën përmbi fshatin Panahor, që gjendet në afërsi të uzinës së përpunimit të naftës në Ballësh, i kishte bërë të përfshiheshin nga zgjimi i një tufe mendimesh të vjetra, të kohëve të rinisë së tyre. Të një rinie të kaluar mes të burgosurve më të famshëm të Shqipërisë, por të rreshtuar në anën tjetër, në anën e pushtetit, në anën e biografimirëve... Pak më vonë në kafe kishin kujtuar vitet si policë të burgut të Ballshit, incidentet, historiçka me të burgosur VIP duke u rikthyer herë pas here në ndarjen e gjykimeve për atë lajmin e nxjerrë në gazetën “Panorama” që bënte fjalë për zbulimin e varrit me eshtrat e të burgosurve. Kështu e kishin kaluar mëngjesin duke u ndarë, pa u shkuar në mend se pak orë më vonë do ishin sërish të dy bashkë, por këtë radhë në shoqërinë e gazetarëve.
Zotërinj, çfarë detyrash keni pasur në burgun e Ballshit?
Hajri Ahmetaj: Unë kam qenë nënoficer roje. Kryesisht përgjigjesha për mbarëvajtjen e takimeve të familjarëve me të burgosurit.
Kur erdhën të burgosurit në këtë burg dhe përse u sollën këtu, në Ballsh?
Të burgosurit, fillimisht 800 dhe më pas edhe rreth 400 të tjerë kanë nisur të sillen që në fund të vitit 1971 kryesisht nga burgjet në zonën e Vlorës. Unë fillova punë këtu në vitin 1972. Kishte tri kategori të burgosurish, politikë që ne në atë kohë i quanim “armiq”, ordinerë dhe të huaj. Në këtë burg ka qenë edhe Pjetër Arbnori, At Zef Pëllumbi, që bënte korrierin mes familjarëve që vinin te porta dhe autoriteteve të burgut, por ka qenë edhe Spartak Ngjela, një tip që nuk e vriste mendjen për rregulla të imponuara si edhe të tjerë shqiptarë të njohur, si Adem Allçi me të vëllanë, Andon Sheti, Dalip Xhabolli, Cen Orhani, Hajredin Fratari, Elmaz Temja etj. Të burgosurit u sollën vetëm për të ndihmuar në ndërtimin e uzinës së përpunimit të naftës në Ballsh. Dhe shumica aty punonin, më saktë ata, puna e tyre e papaguar, e ndërtoi të gjithë uzinën. Kuptohet që ata bënin punë të rëndomta, jo të kualifikuara. Por unë kujtoj edhe një mjeshtër që përfitoi faljen e disa viteve të burgimit pasi ndërtoi saktësisht një nga oxhaqet e uzinës.
Le të futemi në temë. Si është e vërteta e varreve të të burgosurve që janë zbuluar në një parcelë të veçantë përmbi varrezat publike të fshatit Panahor?
Aty janë varrosur në një parcelë të caktuar një numër të burgosurish që kanë vdekur përpara se të kryenin të gjithë dënimin. Pra që kanë vdekur nga sëmundjet, ose thjesht sepse kjo u erdhi nga Zoti.
Keni dijeni për numrin e të varrosurve aty?
Jo, nuk di të them me saktësi sa kanë qenë. Por ka pasur një parcelë të caktuar. Ka të ngjarë që numri i të varrosurve në dhjetë vjet të ndërtimit të uzinës, nga 1972 deri më 1982, të ketë qenë edhe 50, por me kalimin e viteve aty janë bërë vazhdimisht zhvarrime. Të dhënat për vendvarrosjen e secilit ruheshin në Degën e Punëve të Brendshme në Fier dhe të gjitha varrimet bëheshin në prezencë të këtij organi, pra të policisë dhe të Sigurimit të Shtetit. Unë kam marrë pjesë në një zhvarrim në kohën e diktaturës dhe kam vënë re se të dhënat e Degës së Brendshme ishin tepër të sakta. Kishte edhe skicë, por edhe të dhëna të shkruara si për shembull: në perëndim, rreshti i dytë, radha e parë, i pesti. Veç këtyre të dhënave në arkivol kishte edhe një shishe qelqi me të dhënat personale të çdo të burgosuri.
Mund të na e sqaroni më hollësisht këtë punën e shishes?
Po. Ishte një shishe e thjeshtë qelqi, brenda së cilës ishte futur një letër ku ishin të shkruar të dhënat personale të të vdekurit. Shishja mbyllej me një tapë të zakonshme, por sipër saj shkrihej dyll, që të mos futej lagështia. Gjithçka bëhej me qëllim që të bëhej identifikim i saktë i të varrosurit.
Përse nuk u jepeshin familjarëve të burgosurit që vdisnin në burg?
Fiqiri Demiraj: Nuk u jepeshin nëse nuk kishin përfunduar dënimin. Kështu ishin ligjet e shtetit në atë kohë. I burgosuri i vdekur duhet të kalonte në një varr, larg familjes, edhe pjesën e mbetur të dënimit. Vetëm kur dënimin përmbushej, familjarët mund të merrnin eshtrat për ti vendosur në varret e fisit të tyre.
A ishin poshtëruese ceremonitë e varrimit të këtyre të gjorëve?
Hajri Ahmetaj: Jo, me sa kujtoj unë. Se ne shqiptarët kurrë nuk jemi përlyer me përdhosjen e kufomave. Kujtoj se vinte një mjek ligjor që përpilonte arsyet e vdekjes, pastaj shokët e të burgosurit, që punonin si marangozë, bënin një arkivol, po shokët hapnin gropën e varrit dhe i hidhnin nga një grusht dhe’ para se ta mbulonin. Ndërsa me hartat, shishen në arkivol e të tjera merreshin ata të Degës së Punëve të Brendshme të Fierit.
“Fshati ynë i dha burgut parcelën”
Hair çuka, një banor i Panahorit, që e ka shtëpinë pranë varrezës dhe që dikur ka punuar si murator në ndërtimin e uzinës së përpunimit të naftës në Ballsh, tha se parcela ku janë varrosur të burgosurit e vdekur i’u dha burgut nga drejtuesit e kooperativës. “Lindi nevoja për një varrezë, pasi të burgosurit ishin shumë dhe kishte raste vdekjesh. Unë kam punuar me ta në ndërtimin e uzinës. Të burgosurit i vinin në punët më të rënda. Por edhe shumë prej eshtrave në këtë parcelë janë nxjerrë. Të fundit që kanë marrë eshtrat, pas ndryshimit të sistemit, janë familjarët e një të burgosuri nga fshati Syzes i Beratit,”, pohoi banori i fshatit Panahor.
Banori 90-vjeçar i zonës: Kujtoj varrosjet natën
Sulo Toska, ish-kryetar kooperative, banor i fshatit Panahor, pohoi se kujtonte varrosjet natën të të burgosurve të vdekur. “Varret e të burgosurve gërmoheshin natën dhe të gjithë veprimet e tjera bëheshin po natën. Kujtoj se rojet rrinin përqark me armët ngrehur ndërkohë që shokët e të vdekurit hapnin gropën dhe e mbulonin arkivolin aty, në pjesën e parcelës që kishim rënë dakord me ata të Degës së Punëve të Brendshme”, rrëfen Sulua me një qartësi mendimesh që puqen me moshën e tij 90 vjeçare. Po sipas Sulo Toskës, pak ditë më parë ai ka qenë i pranishëm sërish te këto varre në shoqërinë e një shpure nga Tirana. “...erdhën me katër makina përpara nja dhjetë ditësh. Edhe unë isha aty. Ishin ca zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme si dhe deputeti i zonës, Enkelejd Alibeaj. Unë u’a tregova vendin në varrezën e fshatit tonë. Disa nga ata i kanë zhvarrosur tashmë, por disa ende janë. Vendi është i rrafshuar dhe nuk duket asgjë, por po të gërmohet, do gjenden. Ata më pyetën se kush i ka varrosur këta. Unë u përgjigja se i kanë varrosur vetë të burgosurit, sigurisht të ruajtur me roje”, e përmbyll plaku rrëfimin.
Drejtori i Arkivit: Në Panahor janë varrosur 60 të burgosur
“Janë rreth 60 të burgosur të varrosur në Panahor, gjysma e të cilëve janë marrë nga familjarët në kohë të ndryshme”. Ky është thelbi i pohimeve të Drejtorit të Arkivit së Ministrisë së Brendshme, Kastriot Dervishi, njëherazi anëtar i task-force për gjetjen dhe identifikimin e eshtrave të personave të ekzekutuar apo vdekur në burgje gjatë regjimit komunist, që është krijuar pak kohë më parë.
Zoti Kastriot, çfarë informacionesh keni për varrezën e zbuluar në fshatin Panahor, në afërsi të Ballshit?
Varreza e fshatit Panahor të Ballshit (në një pjesë të saj), është njëra nga vendet e njohura ku janë varrosur të burgosurit e vdekur gjatë vuajtjes së dënimit. Ajo ka qenë njëra nga varrezat e atij që në emërtimin zyrtar quhej Reparti i Riedukimit nr.309, dikur në varësi të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Nga ana administrative reparti varej nga Dega e Kampeve dhe Burgjeve që ka qenë pjesë përbërëse e Drejtorisë së Policisë Popullore. Më vonë, më 1978, në vend të kësaj dege u krijua Drejtoria e Zbatim Vendimeve Penale brenda në MPB-së. Të dënuarit që vuanin dënimin nëpërmjet punës së detyruar qarkullonin në të gjitha veprat që ndërtoheshin kudo nëpër Shqipëri. Nga kushtet e rënda të punës si dhe nga mungesa e mjeteve më minimale të jetesës, shumë të burgosur kanë humbur jetën gjatë kohës që vuanin dënimin.
Sipas të dhënave që keni grumbulluar, sa të burgosur janë varrosur në Panahor?
Reparti nr.309 në vitet 1956 – 1982 ka pasur 118 të vdekur, prej të cilëve rreth 60 janë varrosur në Panahor të Ballshit. Ky repart ka qenë një shëtitës, d.m.th. vendosej aty ku kryheshin punime të veprave të socializmit, çka nënkupton qartë se vendi i strehimit të të burgosurve nuk mund të ishin veçse barakat. Nëse shikojmë vendet e vdekjes së të dënuarve do hasim këto qytete e fshatra: çermë e Lushnjës, Gjirokastër, Tiranë, Laç, Fier, Ballsh. Në fakt ajo çka është më e dhimbshme është sëmundshmëria e lartë që haset. Në zërin shpjegues të regjistrit përkatës për shkakun e sëmundjeve, janë të shkruara se vdekjet vinin nga hemorragjitë, infarktet, kanceri, bronkopneumoni, arterosklerozë, helmi, plasje stomaku, astma bronkiale, etj. Unë kam pasur rastin të shikoj lista të personave të vdekur në burgje, politikë apo ordinerë. është një shifër e lartë vdekshmërie çka tregon se kushtet e punës apo banimit të këtyre vendeve kanë qenë të asaj cilësie që bënin të vdisnin personat me fizik më të dobët. Po ashtu janë varrosur edhe të dënuar që kanë dashur të largohen nga reparti, por që për fat të keq janë vrarë nga rojet e sigurisë. I vdekuri i parë në regjistrin e të vdekurve në kamp, është Xhaferr Ismail çaushaj nga Vlora. Ai ka vdekur më 2 shtator 1956. është varrosur në çermë të Lushnjës. I vdekuri i parë i varrosur në Panahor fillon në vitin 1972. I fundit në këtë regjistër, është Anton Pjetër Doçi nga Mirdita, i vdekur më 9 nëntor 1982.
Përse në kohën e regjimit komunist, pasi vdiste, kufoma e një të burgosuri nuk i jepej familjarëve për të bërë ceremoninë e varrimit?
Sipas rregulloreve të burgjeve (janë ndryshuar disa herë, por në thelb janë po të njëjtat gjëra), kur vdiste një i burgosur, kufoma e tij varrosej afër repartit apo në varrezat e qendrës së banuar më të afërme. I dënuari konsiderohej kurdoherë armik, qoftë edhe i vdekur. Në çdo varr vendosej një shishe me një numër i cili i korrespondente numrit në regjistrin e të vdekurve që mbante komanda e burgut. Administrimi i këtij dokumentacioni sot nuk është i plotë pasi komandat e burgjeve nuk ia kanë sjellë të gjitha në Arkivin e Ministrisë së Brendshme.
Zbatohej e njëjta procedurë edhe për të ekzekutuarit e diktaturës?
Ndërsa për të ekzekutuarit me vendim gjykate apo të vdekur në hetuesi nuk lihej shënim i tillë identifikimi. Ky proces kryhej në vendet e caktuara nga degët e punëve të brendshme.
Si do veprohet më tej pas zbulimit të kësaj varreze në Panahor?
Për gjetj en dhe identifikimin e eshtrave të personave të ekzekutuar apo vdekur në burgje gjatë regjimit komunist, është krijuar task - forca përkatëse në bazë të KVM-së, nr.133, datë 24 shkurt 2010. Në punën e kësaj task - force ka qenë e para edhe varreza e Panahorit në Ballsh. Nga regjistri me 118 të vdekur të kampit, janë listuar emrat e 60 personave të vdekur, sipas numrave përkatës, të cilët i korrespondojnë hartës bashkëlidhur. Nga verifikimi që grupi i task - forcës me në krye zëvendësministrin e Brendshëm z. Peka, bëri në vend para disa ditësh, arriti në përfundim se më shumë se gjysma e tyre janë tërhequr nga familjarët, pasi dukeshin gjurmët e zhvarrimeve. U vendos të bëhej verifikimi e pjesës që mendohet se ndodhet aty. Fe. De.