E Shtunë, 31 Tetor 2026

Politikë me “I bëjmë thirrje…!”

Sot nuk ka lëvizje protestë, demonstrim qytetar e opozitar që kërkon një zgjidhje urgjente apo afatgjatë, me interes..vetjak, shoqëror e mbarëkombëtar e të mos nisë me fjalët “I bëjmë thirrje kryeministrit Berisha që Të përmbyturit, ata që kërkojnë dëmshpërblim për vuajtjet e diktaturës e pronat e mohuara, ata që i ka kapluar tërmeti, rrëmeti apo rrëshqitjet, ata që kërkojnë hapjen me çdo kusht të kutive, ish-ushtarakët, ish-minatorët e Bulqizës, të shpronësuarit e pakënaqur që herë pas here bllokojnë rrugët nacionale, zëdhënësit recitonjës të partive, zëmarrësit e kryetarëve, deputetët e emëruar, paraplegjikët, pensionistët, të uriturit, “të zgjedhurit”, të papunët, analistët e varur e të mosvarur, i gjithë ky milet i kënaqur e i pakënaqur i kësaj bote, herë pas here i drejtohen kryeministrit me fjalët, në mos ultimative, lutëse, në mos kërcënuese, paralajmëruese: “I bëjmë thirrje…”. Por, a kanë ndonjë kuptim tërë këto “thirrje” që përherë mbeten pa përgjigje, duke ikur në drejtim të paditur, edhe pse i drejtohen një veshi që nuk dëgjon e një udhëheqësi të verbuar nga dehja me vetveten?...
E megjithatë, ne vazhdojmë të dërgojmë thirrje në shkretëtirën mediatike!…Por, a është aq i vetëdijshëm e i përgjegjshëm mëshirëploti ynë i pushtetit, të cilit i drejtohen thirr-lutjet tona, sa të na kuptojë, dëgjojë e më pas edhe të na plotësojë kërkesat e dëshirat?
***
Kjo mënyrë të menduari, të protestuari e të bëri politikë, tregon se në shoqërinë tonë shumëkush beson se çelësat e zgjidhjes të halleve e të problemeve tona të kolokrepsura i ka në dorë një njeri i vetëm. Ky padyshim është kryeministri Berisha, i cili mund të bindet ose jo, mund të vërë dorën në zemër ose jo, mund të detyrohet, me hir e pahir, të ndërrojë mendje pas kërkesave tona e më në fund të detyrohet të japë zgjidhje duke hapur rrugë... Kryeministri, pra ka në dorë hapjen ose jo të kutive, që tekefundit do të thotë: të vazhdojë ose jo bojkoti (kupto: aksioni politik) i opozitës…Madje edhe të dorëhiqet më pas bashkë me qeverinë e tij…Pas thirrjeve të njëpasnjëshme duket sikur ai do të vendosë për hapjen e thesit të parave të shtetit, të investimeve, të zhdukjes së varfërisë, si dhe të lejes për të vazhduar puna ose jo në sheshin “Skënderbej”…Kryeministri e di nëse do të nisë rruga e Kombit, e Arbërit, boshti i jugut apo rruga Fier-Tepelenë…Ai dhe vetëm ai ka në dorë rritjen ose jo të pensioneve e të rrogave, ndërtimin ose lënien papërfunduar të shkollave, të ujësjellësve e të kanaleve të kullimit…Ai jep ose jo dëmshpërblim për ish të persekutuarit e ish pronarët. Ai hap e mbyll me urdhër portat e hidrocentraleve e të minierave (vrasëse) të Bulqizës. Ai heq njëanshmërisht vizat me Serbinë e i fal disa qindra milje detare det Greqisë. Ai do të thotë nëse do të privatizohen ose jo fshatrat turistikë, ish-repartet ushtarake, ish-kombinatet, ish-vatrat e kulturës si dhe kush do të përfitojë tokë falas…Ai na futi në NATO e do të na liberalizojë vizat me BE-në; si dhe sa; si, ku e kur do të jepen paratë për investime të tjera publike…
Fati ynë pra e ka emrin Berishë, rruga jonë po ashtu; hallet, telashet, sherret zgjidhjet e janë në dorën e në trurin e tij; ndaj atij dhe vetëm këtij lipset t’i drejtohemi me këso thirrjesh, nj’ashtu si i drejtohemi Zotit lart në qiell…Vetëm se thirrjet e kësollojta provojnë ndërkohë edhe se opozita nuk nuk e beson dot që Kryeministri tekefundit është një nëpunës, një i zgjedhur, një i barabartë me ne, një vetje që nuk duhet e nuk lejohet të ketë më shumë imunitet se ne, por një mbinjeri që mund të bëjë, pas thirrjeve tona, edhe çudira, edhe mrekullira, si p.sh, hapja ose jo e kutive!...Kësisoj thirrjet e lutjet provojnë se jemi ne ata që i japim kapobandës politike mbifuqi, jo vetëm me votë, po edhe me përkushtim, me nënshtrim, me hyjnizim e pse jo edhe me kësi thirr-lutje tralala…Ne ia krijojmë Njëshit këtë mundësi e lehtësi të na tërheqë për hunde 20 vjet rresht, si një kope që blegërimën e quan protestë, ndërsa protestën e bën me thirrje retorike! Lihet pra të kuptohet se hapjen ose jo të kutive nuk e kanë në dorë institucionet, Gjykata Kushtetuese, Kolegji Zgjedhor, Prokuroria, shoqëria civile, Kushtetuta dhe as opinioni publik, po vetëm një njeri, kryeministri i vendit!
Ja pra përse, nëse ka ndonjë fjali që e vetëposhtëron, e damkos, e njollos, e shfytyron demokracinë tonë tejembanë, është pikërisht kjo: “I bëjmë thirrje Berishës”!
***
Para disa ditësh Berisha mbajti një fjalim tjetër programatik me sportistët, ku deklaroi se prioritet i qeverisë “time” këtej e tëhu do të jetë edhe sporti…! Prioritet pra për të do të jetë çdo problem që i del përpara: edhe mjekësia, edhe arsimi, edhe rrugët, edhe integrimi, edhe lëvizja e lirë, edhe punësimi, edhe antikorrupsioni…por gjithnjë në varësi e në respekt të bindjes “mbarëpopullore”: çdo prioritet lipset më së pari t’i bëjë një thirrje publike Berishës që ky, inshallah, të verë dorën në zemër e të gjejë rrugën e zgjidhjes…Ky është kushti, kjo quhet politikë!...Por thirrjet e tilla retorike janë politikë e një qytetari të dorëzuar, të përunjur e të pashpresë i cili, duke u falur e lutur përditë si në kishë e në xhami, kujton se i plotfuqishmi i ekzekutivit, edhe pse zemërgur, një ditë do të detyrohet të dëgjojë dhe, pse jo, edhe do të humanizohet!
Disa e quajnë këtë dukuri autoritarizëm, disa jo! Ata që krahasimin e bëjnë me shoqëritë liberale, neoliberale, demokratike, etj, këmbëngulin se Njëshi tek ne nuk ka as fuqi, as shans e as mundësi të jetë e të bëhet një autoritar klasik, një kërcënonjës për demokracinë, por shumë-shumë një butaforik; pra, autoritarizmi, për shkak të transformimit ekonomik, të decentralizimit, të privatizimeve, të mospasjes së kontrollit mbi bankat e mbi bizneset, si dhe të varësisë sonë neokoloniale nga fuqitë e mëdha (ambasadorët e huaj), etj - nuk ka mundësi të gëlojë në shoqërinë tonë, d.m.th nuk mund të bëhet rrezik potencial për shoqërinë. Ne pra nuk qenkemi, sipas këtij gjykimi, të destinuar të biem në duart e një autoritari të pandreqshëm, me pushtet të pakufizuar e të pakontrollueshëm!
Por ama, kjo “I bëjmë thirrje Berishës!” provon të kundërtën sepse në të vërtetë më tepër se e ndëshkon, e institucionalizon, e legalizon, e ligjëron, e natyralizon autoritarizmin e pacak, natyrisht jo vetëm të kryeministrit, po edhe të sozive të tij…Kjo mënyrë “të protestuari” (në fakt, ndoshta duhet thënë: të nënshtruari) dëshmon se jo vetëm ndjekësit e simpatizantët e legalizuar tashmë të Berishës, por edhe ky vetë, bashkë me kundërshtarët, protestuesit, nevojtarët dhe rivalët e tij, d.m.th, mbarë opozita, në ndërgjegjen e vet, duke artikuluar përditë këso thirrjesh, -n’daç si lutje, n’daç si ultimatum apo si kërcënim-, tashmë ka krijuar mendësinë se vetëm autoritarizmi do të mund të sjellë ndonjë zgjidhje e rrugëdalje nga kriza. Kështu, nëse bien dakord dy Njëshat mes vedi, kriza, sipas këtij gjykimi, në çast merr fund! Pra, këto “thirrje” mesa duket burojnë prej bindjes se nuk do të jetë vullneti ynë, i zgjedhësve, por dëshirat, konsensusi dhe interesat e Njëshit të partisë i cili mund ta ndajë shapin nga sheqeri…Nuk do të jenë pra as institucionet, Ligji, Kushtetuta, Gjykatat, rregullat demokratike, standardet, vullneti popullor, protestat, të drejtat, Fjala e lirë, etj, etj, ato që do të mund të ushtrojnë trysni ndaj shfaqjeve të tilla të autoritarizmit, sepse gjithçka në këtë vend e kanë në dorë një apo shumë-shumë dy njerëz!…Pikërisht këtu e ka burimin apatia dhe paraliza e opinionit tonë publik.
Ja përse kjo: “I bëjmë thirrje Berishës” në fund të fundit provon që opozita me këtë fjali të ripërsëritur, qoftë edhe në mënyrë të pandërgjegjshme, dëshmon e njëkohësisht provon jo vetëm autoritarizmin e pakontrollueshëm të Kryeministrit tonë karizmatik, po edhe se vetë ajo, pra, edhe brenda qënies së saj, mesa duket besoka te mjetet dhe veglat e autoritarizmit, si një mënyrë e vetme, e mundshme, e shpejtë dhe efikase drejtimi në politik bërjen e sotme. Kjo e bën situatën tonë të pashpresë. Sepse edhe në demokraci të brishta, si kjo e jona, faj nuk ka vetëm ai që është në pushtet e shndërrohet në diktator, por edhe ai/ata që e lejojnë të bëhet i tillë, duke përfshirë këtu opinionin publik që pranon ta mëkojë përditë me “thirrje” të tilla, të cilat në fakt nuk e çrrënjosin autoritarizmin, por e “institucionalizojnë” pafuqinë tonë.
Autoritarizmi ynë në të vërtetë është specifik: ne nuk mund të krahasohemi me vendet perëndimore, liberale e konservatore, madje as me ato aziatike, për shkak të trashëgimisë, të origjinës sonë katundarërore të tipit drumepre. Autoritarizmi ynë mund të quhet pa drojë autoritarizëm kanunor që nuk pajtohet kollaj me qytetarinë e, aq më pak me demokracinë, pa krijuar trauma, tensione sociale, konflikte, humbje kohe e përplasje të panevojshme…Për të kuptuar se si funksionon një autoritar tipik shqiptar nuk është e nevojshme të shihen e të analizohen kronikat e mbledhjeve të qeverisë, ku ministrat, si kukulla ruse, rrinë e adhurojnë fjalimet programatike të Kryeministrit; nuk është madje e domosdoshme as të dëgjohen hartimet e deputetëve që përsëritin si papagaj ato që ka thënë Njëshi; nuk lypen as konferencat për shtyp ku Kryeministri mollois e mollois se kë takoi e kë ftoi në Bruksel dhe se si kapërxeu, si Kostandini i legjendës, shtatë male e shtatë shtete për të na sjellë haberin se..se “Libri më i rëndësishëm i historisë sonë moderne” më në fund u muarr në dorëzim, u pranua!…Jo, nuk ka e nuk gjen dot në Ballkanin Perëndimor, as në Afganistan e në Iran udhëheqës më të dehur me sukseset dhe me bëmat veta se këta tanët!
Prandaj, pavarësisht ndryshimeve strukturore të shoqërisë, politika e parisë sonë vepron njëlloj si ai babai i fisit në kullë, që e ka të fituar me kanun të drejtën ekskluzive të vendosë pa pyetur askërkënd se kur e kush do të marrë gjakun e familjes; si dhe kujt e kur do t’i jepet djali apo vajza për martesë… Kryetarët e partive tona drejtojnë si bajraktarë të demokratizuar sepse ne i duam, i votojmë dhe i respektojmë vetëm nëse veprojnë, drejtojnë dhe sillen si të tillë!
Ja përse u drejtohemi me fjalët: “I bëjmë thirrje…”!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›