Arrestohet anëtari i tetë i bandës 600-milionëshe
Trazhgim Sokolaj
Bie në prangat e policisë personi i akuzuar si anëtari i tetë i bandës së grabitjes së banesave të biznesmenëve, shtatë anëtarë të së cilës u arrestuan më 13 dhjetor 2009, me akuzën e dhjetëra grabitjeve. Burime zyrtare të policisë së shtetit, thanë se dje në mbrëmje, shtetasi Drinald Mataj është arrestuar në Tiranë pas një operacioni të gjatë kërkimi për kapjen e tij. Sipas policisë, i arrestuari akuzohet se ka marrë pjesë në dhjetëra grabitje shumëmilionëshe të kryera nga grupi kriminal, në të cilin bënin pjesë edhe shtatë persona të tjerë të arrestuar prej pesë muajsh. Ky grup kriminal, sipas policisë, ndër të tjera akuzohet se ka kryer grabitjen e ndodhur në banesën e një biznesmeni pranë Ministrisë së Drejtësisë në Tiranë, ku pas thyerjes së derës së shtëpisë, janë marrë në kasafortë 600 milionë lekë të vjetra gjatë natës. Për shkak të mënyrës së si vepronin anëtarët e këtij grupi, edhe aksioni për kapjen e tyre në mesin e dhjetorit 2010 u kodua me emrin "Hijet e Natës". Më 13 dhjetor 2009, pas kapjes së shtatë anëtarëve të grupit, policia deklaroi se një anëtar i tetë i bandës nuk ishte gjetur në vendstrehimin e tij dhe për rrjedhojë ishte shpallur në kërkim. Ndërkohë shtatë personat e tjerë të arrestuar ishin: Elton Lika, Sajmir Kuçi, Sulejman Bakalli, Taulant Mataj, Euklid Habili, Dritan Duka dhe Admir Burri. I arrestuari i djeshëm, Drinald Mataj, emri i të cilit nuk u bë publik në atë kohë, ishte anëtari i tetë i grupit kriminal. Sipas hetimeve të policisë, tetë anëtarët e kësaj organizate kriminale kryenin vjedhje të banesave të tregtarëve dhe zyrave të bizneseve, ku kanë arritur të përvetësojnë shuma të mëdha deri në qindra milionë lekë. Sipas burimeve të policisë, "liderët" e grupit ishin shtetasit Sulejman Bakalli, Elton Lika dhe Sajmir Kuçi. Ata kryenin përzgjedhjen e zyrave apo banesave që do të grabiteshin e më pas në marrëveshje e bashkëpunim me anëtarët e tjerë të grupit, realizonin grabitjet. Sipas hetimeve të policisë, organizata kriminale në fjalë ka kryer edhe grabitjen e ndodhur brenda Ambasadës daneze në Tiranë. Kjo vjedhje u bë shkak për mbylljen e Ambasadës për disa ditë, derisa çështja u hetua plotësisht. Të arrestuarit, sipas Prokurorisë, kanë kryer edhe tetë grabitje të tjera brenda vitit 2009 në Tiranë dhe në Durrës.
Anëtarët e grupit
Elton Lika
Sajmir Kuçi
Sulejman Bakalli
Taulant Mataj
Euklid Habili
Dritan Duka
Admir Burri - Arrestuar dhjetor 2009
Drinald Mataj - arrestuar dje