Pranga kusheririt te Aldo Bares kerkohej per trafik droge ne Itali
Mbi 150 kg i rëndë dhe gati dy metra i gjatë, nuk e ka kuptuar sesi është shtrirë në trotuar dhe ka parë mbi kokë pistoletat e punonjësve civilë të policisë, të cilët e ndiqnin prej një muaji për ta kapur. Vetëm pak metra larg Presidencës, oficerët e hetimit të krimit të Tiranës dhe ata të Komisariatit Nr. 2, kanë vënë në pranga Alxhi Nallbanin, kushëri i Aldo Bares, i dënuar për trafik droge, pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe një nga ushtarët më besnikë të kreut të Bandës së Lushnjës.
Policia po e kërkonte prej një muaji Alxhi Nallbanin, për të cilin kishin marrë informacion se fshihej në Tiranë. Ata kishin vënë në përgjim edhe një numër të tij, por nuk e përdorte shpesh. Ai mendohej se shkonte ndonjëherë në shtëpinë e tij në rrugën “Sami Frashëri”, ndonjëherë te shtëpia e së ëmës në Selitë. Por gjithmonë arrinte t’i shpëtonte policisë. Vështirësia ishte më e madhe për kapjen e tij, edhe për shkak të ndryshimit në paraqitjen e jashtme. Ndërsa dje, policia ka kapur një sinjal të telefonit të tij. Sipas të dhënave hetimore, departamenti i hetimit të krimit në Policinë e Tiranës kishte vënë në përgjim numrin e tij të celularit. Në një moment gjurmimi në zonën e ish-Bllokut, pranë Presidencës, Alxhi Nallbani, 33 vjeç, ka ndezur telefonin. Antenat kanë treguar se ai ndodhej diku aty pranë dhe policia ka provuar të telefonojë numrin e tij. Sapo ai ka tentuar të hapë telefonin, disa oficerë, të veshur civilë, janë lëshuar mbi të. I gjatë dhe i bëshëm, ai ka tentuar të kundërshtojë punonjësit e policisë, por shumë shpejt ka parë mbi kokë pistoletat e oficerëve. Në këto kushte, ai nuk ka mundur të bëjë asnjë përpjekje dhe punonjësit e policisë i kanë vendosur prangat. Qytetarët kanë parë të gjithë skenën dhe janë habitur se çfarë po ndodhte, por shumë shpejt janë vënë në dijeni se ishin forcat e policisë të cilët po arrestonin një person të përfshirë në krime të ndryshme.
Zyrtarisht, policia e kryeqytetit tha se Alxhi Nallbani, i cili njihet në përgjimet italiane si Xhili, ishte i kërkuar nga drejtësia italiane. Sipas të dhënave, Gjykata e Torinos e ka dënuar atë me vendim të formës së prerë me 14 vjet burg për trafik droge dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale, që ka lidhje me mafien. Emri i tij doli për herë të parë në media para 4 vitesh, kur një dosje e prokurorisë italiane u publikua edhe në mediat shqiptare. Dosja kishte të bënte me veprimtarinë kriminale të bandës së Aldo Bares në Itali, i cili njihej edhe me pseudonimin “Profesori”. Në vendimin e saj, gjykata italiane i dënoi 15 të akuzuarit me rreth 200 vjet burg gjithsej. Gjyqtari italian, dr. Edmondo Pio, nuk e ka kursyer dorën gjatë dhënies së vendimit, duke i cilësuar të pandehurit si një organizatë e strukturuar në trafikun ndërkombëtar të narkotikëve, e cila paraqiste rrezikshmëri të lartë për vendin fqinj. Mes të dënuarve bëjnë pjesë edhe Enver Dondollaku, Edmond Bega e Renardo Nallbani, të cilësuar si njerëzit e afërt të kapos së organizatës, Bare.
Bandës së Lushnjës në Itali i janë sekuestruar afro 475 kg heroinë dhe 2 kg kokainë, si dhe mijëra euro. Alxhi Nallbani, veç trafikut të drogës, rezulton edhe në disa përgjime të Prokurorisë së Torinos, ku një prej tyre ka të bëjë me telefonatën e Bares me Dondollakun, të cilët bisedojnë për rivalët dhe shprehen se te Xhili mund të marrin një silenciator. Një bisedë tjetër mban datën 11 prill 2004, ku Alxhi flet me Aldo Baren. Biseda përqendrohej në përpjekjet për të fituar tenderin për ndërtimin e autostradës Fier-Lushnjë.