Pranga "sekserit" të rremë, mori 10 mijë euro
Albert Xhuti iu kishte premtuar familjarëve të një të dënuari për vrasje ndërmjetësim për lirimin e tij, kudrejt shumës së majme
Policia arrestoi të dyshuarin një vit pas kallëzimit të të dëmtuarve. Dyshohet për mashtrime të tjera
TIRANE- Arrestohet sekseri i rremë, një vit pasi mori 10 mijë euro, për të ndërmjetësuar në lirimin e një personi të akuzuar për vrasje të dyfishtë, ngjarje e ndodhur në vitin 2006.
Albert Xhuti, 62 vjeç, banues në Tiranë, u arrestua dje nga policia e kryeqytetit me akuzën e vjedhjes nëpërmjet mashtrimit, të pjesëtarëve të familjes së Iljaz Begës, i dënuar në vitin 2007, nga Gjykata e Tiranës me 21 vite burg për veprën penale të vrasjes së dyfishtë të Namik e Astrit Islamajt (babë e birë) e ndodhur në korrik të vitit 2006. Arrestimi i Xhutit, u krye dje gjatë paradites në rrugën e Durrësit, pranë kryqëzimit të Zogut të Zi (sheshi Rilindja), pak kohë pasi ai kishte dalë nga shtëpia e tij pranë ish- Shkollës së Partisë në rrugën e Durrësit.
Sapo i janë vënë prangat nga oficerët e antikrimit ekonomik dhe të njësisë së operacioneve speciale në kryeqytet, ai është munduar t'i mashtrojë ata duke iu pohuar se nuk ishte ai personi që në të vërtetë, po kërkonin.
Pavarësisht kësaj, policia i ka vënë prangat atij, duke e dërguar në ambientet e drejtorisë së Policisë së Tiranës, ku edhe i kanë komunikuar masën e arrestit të vendosur nga Gjykata e Tiranës në mungesë ndaj tij. Menjëherë pas këtij fakti, oficerët e policisë gjyqësore, i kanë pohuar atij se do ta pyesnin në lidhje me akuzën e ngritur ndaj tij nga prokuroria e Tiranës.
Në këtë moment, ai ka refuzuar t'iu përgjigjet oficerëve të policisë gjyqësore, duke iu pohuar atyre se nuk do të përgjigjej pa praninë e një avokati të kërkuar prej tij. Në këto kushte hetuesit ndërprenë marrjen e tij në pyetje, duke i komunikuar atij se ishte në gjendje arresti, për akuzën e mashtrimit në shuma të mëdha.
Mashtrimi
Ndaj tij, denoncimi është kryer një vit më parë, nga të afërm të Iljaz Begës, 71 vjeç, banues në Tiranë, në rrugën "Vangjel Noti", në Laprakë, i dënuar me 14 vite për vrasjen e dyfishtë të babë e bir, në korrik të vitit 2006.
Denocnuesit kanë pretenduar përpara punonjësve të Policisë së Tiranës, kur kanë bërë kallëzimin se Xhuti, 62 vjeç, iu kishte premtuar se do të ndërmjetësonte në organet gjyqësore që i afërmi i tyre të mos merrte dënim të rëndë për krimin për të cilin ai akuzohej, por të merrte një dënim të ulët.
Sipas burimeve të policisë, paratë mësohet se janë marrë rreth dy vite të shkuara, kur mbrojtësi ligjor i të pandehurit, kishte apeluar çështjen në Gjykatën e Apelit të Tiranës, duke kërkuar dënim më të ulët për të. Në këtë kohë, ata kanë hyrë në negociata edhe me Albert Xhutin, i cili iu ka kërkuar një shumë të majme parash në këmbim të ndërmjetësimit të tij me organet gjyqësore për dhënien e një vendimi sa më të lehtë për Begën.
Pasi ka marrë shumën e majme prej 10 mijë eurosh, 62 vjeçari Xhuti, në mënyrë të vazhdushme, iu thoshte të afërmëve të Begës, se do ishte në negociata me disa persona për të kryer punën për të cilën kishte marrë paratë.
Ndërkaq, dënimi ndaj Begës, të akuzuar për vrasjen e Islamajve, mori formë të prerë dhe ai nuk mundi të përfitonte nga ndihma e "sekserit" Xhuti, megjithëse të afërmit kishin paguar 10 mijë euro. Në këto rrethana të afërmit e Begës, denoncuan në policinë e kryeqytetit, "sekserin", duke e denoncuar atë për mashtrim.
Një vit më pas, nga hetimet e kryera, policia dhe prokuroria, pretendohet se janë gjetur prova që faktojnë veprimin e tij. Po kështu mësohet se nga verifikimet është zbuluar se Xhuti, nuk kishte në të vërtetë lidhje me funksionarë të drejtësisë si prokurorë apo gjyqtarë, por hiqej sikur njihte persona të kësaj natyre. Në këto kushte, prokuroria kërkoi nga gjykata vendimin e arrestit i cili u vendos në mungesë ndaj të akuzuarit për mashtrim.
Vrasja në vitin 2006
Bega vrau babë e bir për rrugën në oborrin e shtëpisë
Me 25 korrik të vitit 2006, rreth orës 14.00, Namik Islamaj, djali i tij, Astrit Islamaj si dhe ortaku i tij Muhamet Muça, po shkonin në magazinat në pronësi të tyre në rrugën "Vangjel Noti", pranë ish- ndërmarrjes bujqësore "Gjergj Dimitrov".
Rruga kalonte përmes oborrit të Iljaz Begës, fakt që kishte shkaktuar konflikt të vazhdueshëm mes palëve dhe pas ankesave të vazhdueshme të Islamajt, Policia Ndërtimore kishte shembur murin rrethues të banesës. Kjo shkaktoi acarimin e marrëdhënieve mes palëve deri në orën 14:00 të 25 korrikut, Bega u konfliktua pranë banesës së tij me Namik Islamajn.
Pas grindjes me fjalë, mes tyre autori i krimit mori armën në banesën e tij, dhe nga tarraca e saj qëlloi fillimisht në drejtim të Namikut dhe më pas zbriti në katin e parë duke qëlluar edhe ndaj djalit të viktimës Astrit Islamajt, duke i lënë të vdekur të dy.
Pas ngjarjes autori i dyshuar i krimit u arrestua nga policia ndërsa, rreth shtatë muaj pas ngjarjes, ai u dënua nga Gjykata me 21 vite burg, por me gjykim të shkurtuar ai duhej të vuante vetëm 14 vite burg.
Ndërkaq, në amnistinë e Presidentit të Republikës Bamir Topi, në muajin prill të këtij viti, i dënuari tashmë 71 vjeç përfitoi një falje prej 6 vitesh për shkak të moshës së tij të madhe.