E Shtunë, 31 Tetor 2026

Siguria në shkolla, në dorë të rojës

Në shumë gjimnaze të kryeqytetit i vetmi njeri që kontrollon lëvizjen e qindra nxënësve është roja


Kontrata, mes Ministrisë së Arsimit dhe asaj të Brendshme për praninë e një polici në shkollë, është zgjidhur pa asnjë arsye


Ngjarja e tri ditëve më parë, ku një i ri hyri në një shkollë të Elbasanit dhe ekzekutoi një gjimnaziste ngriti një pikëpyetje të madhe për sigurinë që ekziston në shkollat publike shqiptare. Sa e vështirë është të kapërcesh oborrin e një shkolle, në të cilën nuk je nxënës?


Në shkollat e kryeqytetit, sistemi i sigurisë është në dorë të një njeriu të vetëm, rojës, i cili përvçse duhet të hedhë një sy mbi godinë dhe ambientet e tjera duhet të kryejë dhe rojtarin e nxënësve që hyjnë e dalin.


Në krahasim me shkollat e tjera të vendit, shkollat e kryeqytetit janë më shumë të populluara dhe si rrjedhojë është më e vështirë për të kontrolluar se kush hyn apo del nga këto ambiente.


E për këtë arsye, mbikëqyrja e lëvizjes së një mijë apo më shumë nxënësve është vështirë të kryhet nga një person i vetëm. Në këtë aspekt, diçka është bërë nga Ministria e Arsimit, e cila, në vitin 2003, lidhi një marrëveshje me Ministrinë e Brendshme, sipas së cilës, në çdo shkollë të mesme publike duhej të kishte një polic. Kjo marrëveshje u zbatua thuajse me përpikëri deri në shatorin e vitit 2009.


Pas kësaj dite rojet e disa shkollave të kryeqytetit pohojnë se asnjë polic nuk është dukur në këtë institucione. MASH thotë se kontrata është zgjidhur pas asnjë arsye konkrete, ndërsa zyra e shtypit e Ministrisë së Brendshme thotë se nuk ka pasur një kontratë të tillë me policinë e shtetit, pasi për këtë punë janë kontaktuar agjencitë private të policisë.


Ndërsa policia e shtetit, e cila duhej të zbatonte kontratën, thotë se nuk ka dijeni për ekzistencën e një kontrate të tillë. Megjithatë, me apo pa praninë e policisë në shkollë, incidentet kanë ndodhur.


Vëzhgimi i "Shekullit", në lidhje me sigurinë u ndal në disa shkolla të kryeqytetit, 9-vjçare si "Kushtrimi i Lirisë", "1 Maji", "Edit'h Durham" dhe në disa shkolla të mesme "Qemal Stafa", "Ismail Qemali", "Sami Frashëri" e në "Shkollën e mesme profesionale ekonomike".


Në të gjitha këto, njeriu i vetëm që kontrollon njerëzit është roja.
Në shkollën me të madhe në kryeqytet, "Sami Frashëri" na pohojnë se është e pamundur të kontrollohet lëvizja e qindra nxënësve, sidomos në orët e pikut të lëvizjes, kur del njëri turn i shkollës dhe hyn një tjetër. "Vetëm në këtë moment të ditës vjen një patrullë e policisë", tregon Gjergji, roje në këtë shkollë që prej një dekade.


Për sa i përket pjesës tjetër të ditës i duhet që të kontrollojë i vetëm gjithë ata që hyjnë dhe dalin në ambientet e shkollës, dhe këtë e bën falë një porte të vogël, çelësin e të cilës e mban me fanatizëm të madh. Por, të hysh në ambientet e shkollës nuk është dhe aq e vështirë, madje shpesh ndodh që të hyjnë edhe nxënës të shkollave të tjera.


"Edhe ka ndodhur që të më shpëtojë ndonjë nxënë i një tjetër shkolle", thotë roja, duke u shfajësuar me faktin se nxënësit janë të shumtë e nuk mund t'i njohësh të gjithë.


Edhe pse kjo shkollë ka një uniformë të sajën që nxënësit e kanë të detyrueshme për ta veshur, pjesa më e madhe e gjimnazistëve që janë në oborr apo edhe jashtë shkollës nuk e kanë të veshur uniformën. E në këtë mënyrë nuk është e vështir që dikush të hiqet si nxënës edhe në rast se nuk ka veshur bluzën me stemën e shkollës dhe t'i shpëtojë syve vigjilent të rojës.


Në një tjetër shkollë të kryeqytetit, në atë të Mesme Ekonomike, është pak më e vështirë të hysh, pasi vendi i rojës nuk është në hyrje të oborrit të shkollës, por tek dera qendrore. Me këtë skemë sigurie kushdo mund të hyjë në oborrin e shkollës, ku gjatë pushimit midis orëve të mësimit qëndrojnë nxënësit.


I sigurt aty ndoshta mund të ndihesh vetëm nëse je brenda në klasë, ndërsa për gjithçka mund të ndodhë, ndërkohë që nxënësit janë në oborr, duhet pritur policia. Nxënësit thonë se në fillim të vitit shkollor, pranë shkollës kishte gjithmonë një polic, por ai prej disa muajsh nuk është më. Kjo skemë sigurie ekziston edhe në shkollat e tjera.


Në shkollat 9-vjçare situata është më pak e ndërlikuar. Fëmijët e klasave fillore janë më pak të prirur për zënka apo për arratisje nga shkolla nëpërmjet kangjellave. Të vetmit që mund të shkaktojnë probleme këtu janë nxënësit klasave të nënta. Në shkollën "1 Maji" dhe në atë "Kushtrimi i Lirisë" na konfirmojë prezencën e policisë të paktën një herë në ditë.


Sipas drejtorit të shkollës "1 Maji", Muharrem Mesi, në kontratën e lidhur mes MASH-it dhe Ministrisë së Brendshme përjashtohej prezenca e një polici në ambientet e shkollave të mesme, për shkak se këto institucione nuk janë problematike.
Drejtuesit e tjerë të shkollave heshtin, për sa i përket kësaj teme. Nuk pranojnë të tregojnë së në çfarë mënyre (nëse ka një të tillë) sigurojnë nxënësit që mësojnë në shkollat e tyre.


Gjatë këtyre viteve të fundit nuk kanë qenë të pakta rastet e vrasjeve në shkollat e mesme apo nëntëvjçare publike, në mungesë të këtij informacioni prindërve nuk u ngelet gjë tjetër vçse të shpresojnë se incidenti i radhës nuk do të jetë në shkollën ku shkojnë fëmijët e tyre, dhe akoma më tepër u duhet të shpresojnë që viktima e radhës të mos jetë fëmija i tyre.


S'ka policë, janë në grevë


Ndonëse kanë pohuar prezencën e patrullave të policisë të paktën një herë në ditë, në ambientet pranë shkollave, nën zë, një pjesë e mbikëqyrësve kanë pranuar se vigjilenca këto ditët e fundit është më e vogël. Një arsye për këtë, sipas tyre, është angazhimi i strukturave të policisë në grevën e urisë së mbështetësve të Partisë Socialiste, që ka nisur që prej dy javësh në bulevardin "Dëshmorët e Kombit".


E në këtë mënyrë turnet prej dymbëdhjetë orësh, pranë grevës së socialistëve kanë kaluar për pak kohë në plan të dytë sigurinë e fëmijëve që mësojnë në shkollat e kryeqytetit.


Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›