E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si e lind koha një personazh

Për një romancier është aventurë fillimi i një romani. Jaume Cabré e tregoi dje se si një njeri i kohës sonë mund të gjejë sivëllain e vet dyqind vjet përpara, duke u takuar me një model shoqëror që mbahet në këmbë nga pushteti dhe korrupsioni


Në mesin e viteve tetëdhjetë, kishin kaluar dhjetë vjet nga vdekja e Frankos, shkrimtari Jaume Cabré kishte parë një foto të botuar në gazetë dhe ishte ndalur. Një gjyqtar dënohej me burg. Kishte përfytyruar një zotëri dikur me pushtet që tani duhej të fuste në çantën e vet rrobat e përditshme, makinën e rrojës dhe të hynte në burg.


Poshtërim i madh: një njeri që e ka kaluar jetën në katedrën e gjykatësit, përfundon në qeli.
Cabré kishte menduar se e meritonte një libër. Një roman që e shkroi në disa vite dhe e botoi më 1991 me titullin "Senyoria".


Personazhi i tij, një njeri që ka kryer një krim dhe që është tmerruar mos krimi i tij zbulohet, merrte shkas nga dënimi i funksionarit në sistemin e drejtësisë që i përkiste periudhës së frankizmit.


Cabré do thoshte më pas se korrupsioni është në natyrën njerëzore, se diktaturat krijojnë sisteme më korruptive se sa demokracitë.
Por qëllimi i shkrimtarit nuk kish qenë kaq i qartë në krye.


Fillimin e një romani autori katalan e quan aventurë: "është një rrugë që fillon dhe nuk e di se ku do të të çojë."
Nga "kërkimet në terren" dilte se personazhi real ishte model i paraardhësve të tij që kishin jetuar në Barcelonën e shekullit të XVIII.


Prandaj "Senjoria", siç e ka përkthyer prej katalanishtes Bashkim Shehu, ndodh në Barcelonën e vitit 1799. E para vepër e plotë e përkthyer në shqipe prej kësaj gjuhe - ngatërrohet shpesh sikur të ishte një dialekt i spanjishtes, kur është një gjuhë unike - u prezantua dje në Teatrin e Metropolit në Tiranë nga autori dhe përkthyesi i saj.


Megjithëse romani ka një vit që është botuar, dje ishte pak e vështirë të komunikohej me autorin, sepse dukej se nuk kishte në sallë një njeri që ta kish lexuar.


Ardhja e Cabré-së ishte e paparalajmëruar, por kjo nuk e pengoi atë të tregonte hapur se si e nis dhe si e mbyll punën me një roman, thënë më saktë kërkimin letrar. Ai ka dyzetë vjet që shkruan dhe boton në gjuhën katalane.


Prillin që shkoi u nderua me çmimin më të madh që jepet në Katalonjë për letërsinë: Çmimi i nderit i letërsisë katalane, çmim karriere.
Jaume Cabré e tregoi dje se si një njeri i kohës sonë mund të gjejë sivëllain e vet dyqind vjet përpara, duke u takuar me një model shoqëror që mbahet në këmbë nga pushteti dhe korrupsion


Më 11 nëntor 1799 një këngëtare franceze vritet në dhomën e saj të hotelit, pas një nate të gjatë feste dhe një aventure dashurore me Andreu Parramon, një poet i ri nga Barcelona. Hetimi ndiqet nga Rafel Massò, gjykatës në Barcelonë.


Në thelb të kësaj historie janë dy karaktere: Rafel Massò simbol i botës së vjetër të shtatëqindës dhe Andreu simbol i ideve të reja romantike. Rreth tyre vërtiten një mori personazhesh që përfaqësojnë shoqërinë e Barcelonës së asaj kohe.


Uria për pushtet, pasionet, dhe abuzimi me pushtetin janë tema të "Senjoria" dhe tema të kohës sonë. Romani është vlerësuar për frymën kritike të kësaj ane: pushteti absolut çon në mënyrë të pashmangshme drejt abuzimit, thotë autori.


"Korrupsioni fatkeqësisht ekziston akoma. Po ndodh që përherë e më tepër është vështirë të korruptohesh, por ndërkohë sofistikohen dhe mjetet e korruptimit. Mendoj se është një plagë e shoqërive perëndimore, orientale dhe është pjesë e natyrës njerëzore.


Korrupsioni është i lidhur me proceset demokratike, por sidomos ushqehet më tepër nga proceset diktatoriale. Sepse ekziston imuniteti që i jep pushtetin njerëzve kështu që njeriu mund të korruptohet më qetësisht. Kjo ndodhte gjatë frankizmit. Romani jep një botë të mëparshme, imuniteti i pushtetit të korruptuar që zgjedh viktimat e veta thjesht për interesa të veta.


"Senjoria" pak a shumë këtë trajton, këtë imunitet të protagonistit."
Është me të dëgjosh se si është ndërtuar personazhi kryesor, Rafel Massò. Autori e shpjegoi kështu mekanizimin e ndërtimit të një karakteri, një njeri me vetësiguri të tepruar që dalë ngadalë zbulon se është i dobët: "Për mua ka qenë shumë e vështirë të jetoj me "një bir bushtre". Sepse çdo ditë duhej të hyja në dialog me të në mënyrë që të krijoja historinë.


Dhe unë vetë skandalizohesha me ato mendime që kishte ai. Në fund bëra një marrëveshje: ti do të më thuash idetë e tua, apo budallallëqet e tua, unë do të të bëj më njerëzor. Për këtë arsye i dhashë atij disa tipare humane, si për shembull dashuria për astronominë, që në ato momente ishte një pasion i madh për mua. Kështu që e bëra atë një astronom shumë të mirë me njohuritë e mia.


Megjithëse në një epokë tjetër, në shekullin XIX, ai ndiqte vijat astronomike të kohës më moderne. Kjo gjë ma bëri atë një personazh më njerëzor, më të afërt po ama ai ishte ashtu siç ishte. Sepse teleskopin e përdori edhe për qëllime perverse. Pra të gjitha këto janë çështje që trajtohen brenda romanit që lexuesi do t'i njohë bashkë me njohjen e fytyrës së këtij personazhi."


Ndërtimin e personazheve dhe dialogëve ai e përjeton si një botë reale. "Kur unë shkruaj një roman dialogoj gjithmonë me personazhet madje zihem dhe diskutoj me ta.


Ndonjëherë fiton personazhi, madje nganjëherë ka personazhe që zhduken pa lejen time. Madje ka personazhe që më krijojnë një fytyrë timen që unë nuk e njihja më përpara. Ma ofrojnë ata ashtu siç mund të të ofrojnë një shalqi për shembull. Do ta mbash apo jo? Dhe duhet ti shfrytëzosh këto momente magjike."


Përkthyesi i romanit, shkrimtari Bashkim Shehu, kishte thënë ndërkaq se arsye për të sjellë në shqip këtë vepër ishte tematika: romani, prek sipas tij, disa gjëra që janë për njeriun në kufijtë e së pakuptueshmes, si erosi, pushteti dhe krimi. Por duke u ndalur tek një çështje që është "thelbësore për letërsinë", çështja e subjektit të rrëfimit, ai e vlerëson "Senjorian" për strategjinë e rrëfimit, për "kompozicionin polifonik të mrekullueshëm" dhe "intonacionet e ndryshme stilistike".


Polifonia e narracionit është karakteristikë e tija: ai bën të vetat zërat e personazheve të ndryshëm, dhe përzien regjistra të ndryshëm duke e sjellë të gjallë imazhin e shoqërisë që përshkruan. Shto këtu që Cabré jeton në të njëjtin qytet, Barcelonë që prej ditës së lindjes (1947).
Edhe për këtë merr një vlerë të veçantë Barcelona e tij te "Senjoria".


Një nga autorët më të rëndësishëm katalanë të kohës sonë, u nda me lexuesit e tij të ardhshëm duke përsëritur se sa i kënaqur ishte që pati mundësi të flasë në Tiranë për një libër tijin. Shprehu dëshirën që kjo të mos jetë hera e fundit.


"Dhe më vonë të kemi mundësi të themi gjëra për letërsinë katalane. Sepse ne shkrimtarët katalanë duhet të flasim për realitet të vështirë në të cilën kemi jetuar e që fatkeqësisht nuk njihet në pjesën tjetër të botës."


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›