E Diel, 1 Nëntor 2026

Radhët në kufi, ambulancë për të ndihmuar fëmijët dhe të moshuarit

Temperatura ka shënuar -7 dje në Kapshticë, ndërsa shumë emigrantë janë të detyruar të presin disa orë për të kaluar kufirin. Autoritetet kërkojnë ambulancë në gatishmëri për të ndihmuar emigrantët

Kapshticë- Në pikën kufitare të Kapshticës vazhdojnë radhët e gjata me emigrantë që kthehen në shtetin grek pasi kaluan festat në atdhe. Duket se fluksi ka sjellë mjaft probleme për shkak edhe të të ftohtit të këtyre ditëve dhe pala shqiptare ka kërkuar prezencën e një autoambulance për t’u ardhur në ndihmë të moshuarve dhe fëmijëve që presin deri 6 orë në radhë në temperatura -7 gradë.

Ashtu si edhe gjatë ditëve të kaluara, emigrantët janë detyruar të presin në pikën kufitare të Kapshticës me orë të tëra. Situata mbetet problematike, pasi pala greke punon me sportele të reduktuara, vetëm 3 të tilla. Në fundjavë, radha e makinave në pikën kufitare të Kapshticës arriti deri në 2 kilometra, ndërkohë që pritja bëhet shumë e vështirë për shkak të temperaturave të ulëta që kanë përfshirë vendin. Më shumë se 1500 udhëtarë kanë pritur më shumë se 6 orë në kufirin Shqipëri-Greqi, në përfundim të procedurave ndërkufitare.

Nga orët e para të mëngjesit të së dielës janë rishfaqur radhët në pikën kufitare të Kapshticës, për t’u rikthyer përsëri gjatë pasdites të së hënës. Pala greke ka punuar fillimisht me personel të reduktuar për shkak të fundjavës, ndërsa i është kërkuar kësaj të fundit të mos krijohen vonesa për udhëtarët shqiptarë, në një kohë kur temperaturat në Kapshticë janë tejet të ulëta. Duke iu referuar shifrave zyrtare të policisë kufitare në Kapshticë, mësohet se gjatë 24 orëve të fundit kanë kaluar drejt Greqisë nëpërmjet kësaj pike kalimi plot 5 456 persona me 13 620 mjete. Ndërkaq kanë hyrë në Shqipëri rreth 1430 persona me 280 mjete gjatë 24 orëve të fundit. Autoritetet shqiptare, ashtu si dhe ato greke, gjatë së hënës janë angazhuar për të shmangur çdo vonesë, pasi pritja në kufi është mjaft e vështirë për shkak të temperaturave të ulëta që kanë përfshirë rajonin juglindor të vendit.

Gjatë ditës së djeshme termometri në këtë vendkalim regjistronte -7 gradë celsius, ndërkohë që për t’iu ardhur në ndihmë të moshuarve dhe fëmijëve autoritetet shqiptare kanë kërkuar praninë e një autoambulance në kufi me personel mjekësor, për çdo rast që lidhet me emergjencat shëndetësore. Situata ka nisur të jetë e njëjtë me atë të mbrëmjes të së dielës, ku radha ka kaluar 1 kilometër, ndërkohë që pala greke ka reduktuar përsëri numrin e sporteleve të saj, të cilat ndikojnë në mënyrë të menjëhershme në përpunimin e të dhënave të shtetasve shqiptarë që synojnë lëvizjen në vendin fqinj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›