E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prangosen 3 autorët e vjedhjeve të fundit në korçë

Dy vjedhje dhe tre të arrestuar është bilanci i punës së policisë korçare në 24 orët e fundit. Pas goditjes së një grupi vjedhësish disa dita më parë, sërish vjedhjet mbeten problematike në kryeqendrën e juglindjes. Sipas policisë, të miturit janë përgjithësisht autorë të këtyre ngjarjeve kriminale, ndërsa tashmë ka arritur në 20 numri i të ndaluarve vetëm gjatë javës së fundit për veprën penale të vjedhjes. Sipas informacioneve zyrtare të policisë, gjatë mbrëmjes së diel kanë rënë në pranga dy të rinjtë, Marjus Lako, 18 vjeç banor i lagjes 4 në Korçë dhe Benardo Qelemeni, 17 vjeç edhe ky banor i të njëjtës lagje me shokun e tij. Të dy të rinjtë i kanë rrëmbyer një vajze 13 vjeçare gjatë mbrëmjes së shkuar një byzylyk floriri që ajo kishte në dorë, ndërsa britmat e kësaj të fundit kanë tmerruar dhe banorët. Ngjarja ka ndodhur në lagjen 4 të qytetit, ndërsa identifikimi dhe arrestimi i autorëve ka zgjatur vetëm disa orë. Pas një punë të posaçme të policisë në operativitet është bërë i mundur ndalimi i dy të rinjve, Marjus Lako dhe Benardo Qelemeni, të cilët akuzohen për veprën penale të vjedhjes në bashkëpunim. Ndërkaq, vjedhja e dytë është regjistruar në orët e para të mëngjesit të djeshëm, në ambientet e ish uzinës mekanike në periferi të qytetit. Florian Sabija, 18 vjeç, ka shkuar të vjedhë hekura në ambientet e ish uzinës, ndërsa një roje që ka qenë aty ka njoftuar policinë. Kjo e fundit e ka gjetur të riun duke ngarkuar hekur, të cilin më pas do e shiste. Edhe për të riun Sabija, rëndon akuza e vjedhjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›