E Diel, 1 Nëntor 2026

Prangosen 3 të rinj, kapen duke shpërndarë drogë

19/04/2009  Aktiviteti i tyre në 3 lagje dhe përreth shkollave. U gjenden 500 gram e llojit heroinë

DURRES- Efektivat e sektorit të luftës kundër drogës dhe trafikut të lëndëve narkotike në policinë e Durrësit kanë arrestuar tre rinj, pasi ata u kapën në flagrancë duke shitur lëndë narkotike. Taulant H., 26 vjeç, i lindur në Kavajë dhe banues në Durrës, Ismail J. 19 vjeç dhe Saimir Z. 24 vjeç edhe këta me banim në Durrës janë gjendur në befasi teksa agjentët e policisë i kanë izoluar në rrugicat e lagjeve. Ata janë mbajtur nën vëzhgim për disa muaj nga agjentët e sektorit të antidrogës, pasi në rrugë operative kishte të dhëna që këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin shpërndanin drogë.

Operacioni

Dhjetëra punonjës të policisë si dhe agjentë civilë kanë marrë pjesë në operacionin e koduar “Pastiçeri”. Për t’i arrestuar në flagrancë, tre të dyshuarit si shpërndarës droge, janë mbajtur nën vëzhgim të pandërprerë në disa javë dhe në 24 orët e fundit agjentët nuk u janë ndarë. Sipas policisë, ata shpërndanin porcione droge në disa lagje të qytetit. Burime në rrugë operative kishin shtyrë agjentët e policisë të zbulonin edhe zonat që ata ushtronin këtë aktivitet dhe bashkëpunëtorët e tyre dhe konkretisht në lagjen numër 7, 11 dhe 12 të qytetit. Nga hetimet paraprake policia ka hedhur dyshime se të rinjtë ishin pjesë e një grupi kriminal që shpërndante drogë. Në operacion janë përfshirë edhe punonjës civil të policisë, të cilët janë shfaqur si blerës droge. Në kohën që agjentëve u është afruar nga shitësit porcioni me drogë ata janë arrestuar. I gjithë operacioni ka zgjatur rreth 30 minuta, pasi policia kishte ndarë forcat e saj në tre drejtime. Kodifikimi i operacionit “Pastiçeri” është emërtuar, pasi ka të dhëna që 3 të arrestuarit kishin si pikë takimi dhe shpërndarje një lokal tregtimi ëmbëlsirash. Në cilësinë e provës materiale policia ka bllokuar dhe dërguar në laborator afro 500 gram drogë të llojit heroinë, 5 telefona celularë që shpërndarësit i kishin për të komunikuar me klientelën, 300 mijë lekë, thikë dhe fishekë pistolete. Rrjeti i të rinjve vepronte në afërsi të shkollave të arsimit të detyruar dhe të mesëm, ndërkohë që policia ka nisur të mbajë nën vëzhgim të gjithë ata persona që janë të ekspozuar gjatë në mjediset pranë shkollave. Drejtoria e Policisë së qarkut të Durrësit ka pohuar se jo vetëm adoleshentë, por edhe minorenë janë të rrezikuar nga droga dhe për këtë arsye kanë shtuar kontrollet përreth tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›