Prangosen shqiptarët, iu gjendet arma me të cilën u krye krimi një vit më parë
FIRENCE - Dy shqiptarë të armatosur janë ndaluar dje nga Policia e Firences në momentin që ata po konfrontoheshin me një grup tjetër. Gjatë kontrollit policor, ku të rinjve nga Shqipëria, emigrantë legalë në vendin fqinj, iu gjetën një pistoletë dhe një thikë. Policia nuk i ka bërë publikë emrat e shqiptarëve por dihet vetëm mosha e tyre ku ata janë respektivisht nga 22 dhe 24 vjeç. Nga kontrolli më i detajuar që iu bë armëve të cilat mbanin dy bashkatdhetarët shqiptarë, policia e Firences është vënë në dyshime pasi me sa duket pistoleta që mbante një prej shqiptarëve mendohet të jetë e njëjta armë me të cilën dyshohet të jetë vrarë Dionis Hoxha, krim ky i ndodhur më 28 nëntor të vitit të shkuar. Për këtë çështje është bërë dhe arrestimi i një shqiptari tjetër 24-vjeçar me emrin Perl Hasaj, i cili ka thënë se e ka hedhur pistoletën që ka kryer këtë krim në një liqen.
Por ky version nuk është besuar nga forcat e Policisë së Firences pasi pistoleta duket së është ajo që mbanin dy shqiptarët e arrestuar ditën e djeshme. Policia arriti t’i kapte dy shqiptarët pasi ishte në dijeni se ata kishin marrë një apartament me qira në Firence dhe pas përgjimeve që u kanë bërë arritën t’i ndalonin pa kryer atë çka shqiptarët kishin planifikuar.
Protesta kundër TEC-it të Kalivaçit, bllokohet rruga
MEMALIAJ – Aksi rrugor Fier-Tepelënë është bllokuar mëngjesin e djeshëm për shkak të një proteste që janë duke zhvilluar banorët e katër fshatrave të Memaliajt kundër ndërtimit të hidrocentralit të Kalivaçit. Mësohet se ata kanë dalë në rrugë për të protestuar me pretendimin për kompensim të merituar nga qeveria për tokat e tyre që do të vihen në dispozicion të ndërtimit të kësaj vepre energjetike. Kjo pasi, sipas banorëve të 4 fshatrave, çmimet e përcaktuara nga qeveria realisht për shpronësimin në kuadrin e ngritjes së këtij hidrocentrali, janë të gabuara. Për këtë, ata kanë kërkuar medoemos që nëse qeveria ka ndër mend ta ndërtojë këtë vepër, të rivlerësojë patjetër çmimet e tokave të tyre për kompensim. Nga ana tjetër, ata kanë paralajmëruar edhe përshkallëzim të mëtejshëm të protestës së tyre, nëse nga qeveria nuk do të ketë një përgjigje të shpejtë lidhur me kërkesat që ata paraqitën gjatë protestës së djeshme, madje kanë kërcënuar edhe me bllokimin e rrugës nacionale Gjirokastër-Fier. Banorët e fshatrave Lops, Qendër etj., e kanë bllokuar sot këtë rrugë në pikën e Memaliajt me drurë pa lejuar makinat që të kalonin, ndërsa kanë treguar shqetësim për tokat që do të përmbyten nga hidrocentrali.
Shtohen ankesat për dëmshpërblimet nga tërmeti
PESHKOPI - Prefektura dhe qarku i Dibrës kanë marrë shumë ankesa nga banorë të zonave të ndryshme që nuk janë dëmshpërblyer pas tërmetit të muajit shtator.
Përfaqësuesit e Prefekturës thonë se presin që këto ankesa të mblidhen nga pushteti vendor dhe më pas të ndjekin rrugën ligjore nga komuna në Qark, në Këshillin e Qarkut, pastaj në komunë, dhe në fund në Ministrinë e Brendshme ku do të vendoset dhënia ose refuzimi i dëmshpërblimit Ndërkohë, dhjetëra familje në zonat e dëmtuara nga tërmeti janë ende jashtë për shkak të shtëpive që u shkatërruan dhe nuk u dëmshpërblyen. Gjatë tërmetit u dëmtuan mbi 3000 banesa në fshatra të ndryshme të Qarkut të Dibrës.
22 Dhjetor 2009