SOS i anijes shqiptare në Ravena: “Rrezikojmë të mbytemi, nuk na japin ndihmë”
RAVENA – Një anije me flamur shqiptar është lënë në mëshirën e fatit nga autoritetet portuale italiane. Prej disa ditësh ajo nuk është lejuar të ankorohet në port, gjë që ka rrezikuar seriozisht jetën e marinarëve shqiptarë që ndodhen në bordin e saj. Madje, edhe gjatë ditëve ku deti ka qenë i trazuar, askush nuk ka pranuar për të dhënë ndihmë. “Ju njoftojmë se më datë 15 dhjetor 2009, rreth orës 07:00, anija “VEGA”, me flamur shqiptar, me Nr. IMO 7118076, vendosi qëndrimin, sipas dekretit të gjyqit të Ravenës, të datës 5 nëntor 2009. Si pasojë e kushteve atmosferike rezultoi shkëputja e litarëve anësorë të anijes, duke e pozicionuar 45 gradë më tepër nga ç’duhet, në afërsi të portit”, - thotë komandanti italian, Xhuzepe Fama. Më tej, drejtuesi italian i portit thotë se anijes shqiptare i janë dëmtuar kavot dhe ankorimi i saj në Portin e Peskarës përbën rrezik për anijet e tjera dhe për zonën portuale ku mund të ankorohet. Fama shton se ka qenë e pamundur për t’i ardhur në ndihmë anijes “VEGA” edhe për shkak të motit të keq. Por, pronari shqiptar e ka argumentuar gjendjen ndryshe dhe ka kërkuar ndërhyrje emergjente për të shpëtuar ekuipazhin dhe anijen, e cila rrezikon të përmbytet. “Anija është bllokuar në mënyrë të padrejtë sepse pala nuk legjitimohet për ta kryer këtë pasi nuk është pronare e mallit që ndodhej në anije”, - thonë drejtuesit e VEGA-s. Sipas tyre, “siç shihet dhe nga dokumentet e Portit të Peskarës, anijes i janë marrë në mënyrë të padrejtë dokumentet, duke e mbajtur peng dhe duke krijuar një situatë mjaft të rrezikshme për anijen dhe personat. Ata nuk mund të lëvizin që prej datës 5 nëntor dhe mund të konsiderohet të trajtuar më keq se në një burg të sigurisë së lartë, për faktin se ekuipazhi i anijes nuk mund të dalë prej saj. Jeta e tyre është në rrezik nga momenti në moment. Situata meteorologjike ka qenë mjaft dramatike, gjë që ka vënë në rrezik të konsiderueshëm jetën e marinarëve dhe gjendjen e anijes. “Për efekt të motit, marinarët nuk mund të furnizohen me mjetet më të nevojshme jetike, gjë që e ka përkeqësuar gjendjen në mënyrë dramatike”, - thotë për mediat pronari i anijes shqiptare. Madje, ai shton se nuk është hera e parë që në Portin e Ravenës ndodh një trajtim i tillë për mjetet lundruese shqiptare. Pronari i VEGA-s kërkon në mënyrë urgjente nga autoritetet vendase, por edhe shteti shqiptar që të ndërhyjnë për të ankoruar në port anijen dhe për t’iu ardhur në ndihmë ekuipazhit.
22 Dhjetor 2009