Gripi i derrit, vaksina shpërndahet në poliklinika
Emanuela Sako
Vaksina e sapoardhur e gripit të derrit është shpërndarë në të gjitha poliklinikat, nga ku do të nisë dhe faza e parë e vaksinimit. Specialistët e shëndetit publik bëjnë të ditur se tashmë çdo gjë është nën kontroll dhe se do të vazhdojë vaksinimi për personelin shëndetësor. Njëkohësisht, Instituti i Shëndetit Publik i bën apel qytetarëve që janë caktuar në listën e personave më të rriskuar nga gripi i derrit ta aplikojnë vaksinën e re dhe të mos kenë frikë për sigurinë e saj. Drejtori i ISHP, Alban Ylli ka garantuar popullatën se 10 mijë dozat e vaksinës janë testuar nga një agjenci evropiane dhe efektet anësore të saj janë të papërfillshme.
Dozat
Dozat e para të vaksinave janë shpërndarë pasditen e së hënës në poliklinika dhe sot do të nisë vaksinimi në gjithë vendin. Drejtori i ISHP ka dhënë garanci dhe për ruajtjen e vaksinave në kushtet e kërkuara. “Sistemi ynë i vaksinimit ka një traditë të mirë përsa i takon ruajtjes së vaksinave, pra zinxhiri ftohës funksionon më së miri. Vaksina është shumë komode përsa i takon përdorimit, pasi është një dozëshe dhe ka ardhur e shoqëruar me shiringën përkatëse”, - theksoi Ylli. Sipas ISHP-së, pas mbylljes së fazës së parë të vaksinimit do të procedohet me grupet e tjera të riskut ku është përllogaritur të jenë rreth 210 mijë persona të tjerë. Porosia e blerjes së dozave për ta është mbyllur dhe sasitë e tjera të vaksinës pritet të vijnë pas Vitit të Ri. Autoritetet e shëndetësisë thonë se vaksina nuk do të jetë me detyrim.
Vaksinat
Vaksinat u blenë nga një kompani hungareze me bashkëpunimin e OBSH-së për sigurimin e tyre. Ministria e Shëndetësisë ka përcaktuar kategoritë më të rrezikuara nga gripi i derrit. Sipas përfaqësuesve të shëndetësisë, grupet e para që do të vaksinohen janë fëmijët e moshës 1 deri në 5 vjeç, gratë shtatzëna, personeli mjekësor dhe të sëmurët kronikë. “Unë besoj që vaksinat e para ndaj gripit pandemik A/H1N1, janë 10 mijë dozat e para që vijnë nga Hungaria. Ka një plan dërgese nga kompania në të cilën janë prenotuar vaksinat në Hungari. Në javët në vijim pritet të vijnë 10 mijë dozat e tjera të vaksinës, kjo edhe për shkak të kapacitetit prodhues të kompanisë, po ashtu dhe për mundësitë e transportit”, - shprehet Drejtori i Politikave në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero. Deri tani në gjithë vendin numri i të prekurve nga virusi i gripit të derrit është mbi 350 persona ndërsa janë konfirmuar zyrtarisht 6 vdekje, rasti më i fundit një 51-vjeçare nga Kukësi e cila ndërroi jetë në spitalin infektiv në Tiranë. Deri më tani, nga rastet që kanë humbur jetën 4 persona kanë qenë të sëmurë kronikë dhe një tjetër ka qenë shtatzënë. Ndërsa rasti i 31- vjeçarit nga Vlora është i dyshimtë, pasi ai nuk vuante nga asnjë sëmundje tjetër. Po i tillë, konsiderohet edhe rasti i 18- vjeçares shtatzënë, e cila nuk vuante nga sëmundje kronike, por për shkak të shtatzënisë dhe një anemie që është normale në këtë periudhë, humbi jetën nga komplikacionet që shkaktoi virusi në mushkëritë e viktimës. Specialistët sqarojnë se kategoritë e mësipërme, e kanë të nevojshme kryerjen e vaksinës në kohë, pasi virusi pandemik është i predispozuar të krijojë komplikacione.
Përjashtohen nga vaksinimi, personat që vuajnë nga alergjitë
MSH-ja ka përjashtuar nga kryerja e vaksinës disa kategori qytetarësh. Sipas specialistëve personat që vuajnë nga alergjitë dhe fëmijët që nuk kanë mbushur ende 1 vjeç nuk duhet të kryejnë vaksinimin kundër gripit të derrit. Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Alban Ylli bëri të ditur se vaksina nuk përbën rrezik për popullatën pavarësisht se disa kategori do të përjashtohen nga kryerja e saj. Ndërkohë që bëhet e ditur se vaksina është e testuar nga kompania Hungareze dhe nuk përbën rrezik edhe pse ka efekte anësore, të cilat shfaqen brenda 24 orëve nga kryerja e saj. “Jemi duke bërë ftesë qytetarëve përmes medias të aplikojnë vaksinën pasi ajo është testuar me sukses dhe nuk përbën asnjë rrezik për shëndetin e popullatës. E theksojmë se në vaksinim do të përfshihen fëmijët mbi 1 vjeç, të sëmurët kronikë dhe mjekët që janë direkt në kontakt me gripin e derrit. Përjashtohen personat alergjikë nga veza dhe ata që tashmë janë të prekur nga gripi”, - u shpreh Ylli. Vaksina nuk do të aplikohet tek personat që kanë alergji nga veza, ndërkohë që efektet në momentin e injektimit janë afatshkurta si ato të vaksinave të tjera. “Janë disa grupe që nuk do ta bëjnë vaksinën si ata që kanë alergji nga veza. Efekte anësorë të lehta mund të ketë që zakonisht janë brenda 24 orëve të para; temperaturë e lehtë, skuqje në vendin e injektimit apo gjëra të tilla të ngjashme”,- theksoi Alban Ylli. Vaksina kundër gripit të derrit ka rezultuar sa e efektshme aq edhe problematike, pasi mendohet se shumë pacientë kanë humbur jetën për shkak të efekteve anësore që shfaqen. Aktualisht, vaksina ka shkaktuar një sërë alergjish tek disa persona, të cilët kanë humbur edhe jetën. Por më të rrezikuar janë personat që janë të prekur me sëmundje kronik, të cilët përveçse e kanë të domosdoshme marrjen e vaksinës janë edhe më të rrezikuar. Bëhet fjalë sidomos për ata që kanë probleme të alergjive të ndryshme, apo ata persona që kanë probleme me mushkëritë. Efektet anësore të vaksinës janë nga më të ndryshmet, madje specialistë të huaj kanë deklaruar se kjo është një vaksinë që është e prodhuar në një situatë pandemie dhe për këtë arsye mund të shfaqet e rrezikshme në disa raste. OBSH-ja ka lajmëruar se të gjitha efektet anësore të shfaqura deri më sot janë të pritshme dhe se asnjë prej tyre nuk ka kaluar pritshmërinë e saj. Sipas OBSH-së, përveç efekteve anësore në vendin e bërjes së vaksinës janë vërejtur edhe sëmundje të personave të vaksinuar me temperaturë dhe dhimbje dhe të gjitha këto kalojnë brenda 48 orësh duke mos përbërë problem. Simptomat si temperatura, dhimbjet e kokës, lodhje, dhimbje muskujsh, ndodhin menjëherë pas bërjes së vaksinës. Për më tepër, specialistët e OBSH-së bëjnë të ditur se janë vërejtur edhe raste të një sërë alergjish. Gjithashtu, OBSH-ja ka deklaruar se janë vërejtur raste të sindromës Guillain-Barre, që ka të bëjë me sëmundje neuropatike të shkaktuara nga vaksinat, por sërish, numri i të prekurve është brenda normales, sipas organizatës. Pavarësisht se vaksina ndaj A/H1N1 ka sjellë efekte anësore, si reaksione alergjike në shtete të ndryshme që e kanë aplikuar, Pipero thotë se këto janë efekte afatshkurta që sjellin edhe vaksinat e tjera. “
22 Dhjetor 2009