ILDKP denoncon kryekomunarin, fshehu pasurinë 500 mijë dollarë
Inspektorati i Deklarimit të Pasurive çon për hetim Nexhmi Dokollarin
TIRANË - Kryetari i Komunës Udenisht, Pogradec, Nexhmi Dokollari, kallëzohet penalisht nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. Shkak për këtë kallëzim është bërë mosdeklarimin e një pasurie me sipërfaqe 2193 m2 dhe me vlerë ndërtimi 45.261.327 lekë. Bazuar në procedurat e kontrollit të përcaktuara me ligj dhe mbi dyshime të publikuara në media mbi aktivitetin publik të Dokollarit, Inspektorati i Lartë ka nisur një hetim administrativ lidhur me vërtetësinë e vetëdeklarimit të zyrtarit.
Hetimi
Pas korrespondencës me të gjitha institucionet, ku administrohen regjistra publikë, rezultoi se, në deklaratat e interesave private në vite të ndryshme, kryetari i komunës, nuk ka deklaruar: një sipërfaqe truall ndërtimi 600 m2 (përgjigje nga ZVRPP-Pogradec). Aktivitet privat-person fizik për prodhimin inertesh (përgjigje nga QKR). Bazuar në këto të dhëna, Inspektorati i Lartë kërkoi sqarime nga Dokollari, i cili u shpreh se nuk i ka paraqitur në deklaratën e pasurisë pasi në pronën në emër të tij, të përfituar në vitin 1992 nga Ligji Nr.7501, po ndërtohet një objektit 1-2-4 kate, me vlerë totale 8 milionë lekë të rinj, “të realizuar me të ardhurat e vëllait të tij, emigrant në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por janë regjistruar në emër të tij për lehtësi procedurash”. Për këto veprime financiare me personin e tij familjar, nuk ka paraqitur në ILDKP asnjë provë që vërteton versionin e tij. Ndërsa sa i përket aktivitetit privat, të regjistruar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit (QKR), është shprehur se nuk e ka deklaruar pasi “ky aktivitet nuk është hapur asnjëherë” për probleme teknike me ndotjen e ambientit”. Për të saktësuar tërësisht sipërfaqen dhe vlerën e truallit të ndërtimit e objektit mbi të, që figurojnë në emër të subjektit, ILDKP caktoi një ekspert të licencuar për vlerësimin e kësaj pasurie.
Raporti
Në raportin përfundimtar të ekspertit rezulton se “prona objekt vlerësimi është godina 1-2-4-katëshe mbi tokë dhe 1 kat nëntokë, në fshatin Udenisht të Pogradecit, shtrirë mbi truallin me sipërfaqe 600 m2. Sipërfaqja totale e ndërtimit është 2193 m2, me një vlerë totale 45.261.327 lekë. Punimet në godinë janë të papërfunduara dhe nuk ka asnjë mobilim”. Nexhmi Dokollari paraqiti kundërshtimet e tij për përfundimet e raportit, por Inspektorati i Lartë vlerëson se ekzistojnë elemente të vërtetuara me prova ligjore për “fshehjen e pasurisë” nga ana e kryetarit të komunës Udenisht, Pogradec. Në përfundim të analizës së hollësishme mbi vetëdeklarimet, ILDKP dërgon kallëzim penal në organin e Prokurorisë, duke kërkuar fillimin e procedimit për veprën penale “refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë”, të parashikuar nga Neni 257/a/2 i Kodit Penal. Deri tani, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive ka denoncuar 14 zyrtarë të niveleve të ndryshme për fshehje të pasurisë. Ky institucion po shqyrton ndryshimin e kuadrit ligjor, në mënyrë që procesi i verifikimit dhe deklarimit të pasurive të zyrtarëve të mos lejojë shmangie dhe fshehje të pronës.
22 Dhjetor 2009