E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prangoset ‘pasardhësi’ i Escobarit

Njëri nga trafikuesit më të kërkuar të drogës në botë, kolumbiani Henry de Jesus Lopez, është arrestuar në Argjentinë.

I njohur si pasardhësi i trafikuesit famëkeq, Pablo Escobar, Lopez, që njihej me nofkën Mi Sangre (Gjaku im), u arrestua derisa po drekonte në një restorant të kryeqytetit argjentinas, Buenos Aires.

Mi Sangre ishte drejtues i kartelit Urabenos, i cili ka nën kontroll pothuajse tërë trafikimin e kokainës dhe drogave tjera në veri të Kolumbisë.

Presidenti i Kolumbisë, Juan Manuel Santos, e ka shndërruar luftën kundër klaneve mafioze, si Urabenos, në prioritet kombëtar.

Nëpërmjet llogarisë së tij në rrjetin shoqëror Twitter, Santos ka falënderuar autoritetet argjentinase për “efikasitet dhe punë të shkëlqyer”, që rezultuan me arrestimin e Lopez.

“Kjo është një goditje e re dhe e rëndësishme, të cilën po ia japim krimit të organizuar, si pjesë e luftës për zhdukjen e tij nga Kolumbia”, deklaroi Santos.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›