Prangoset në Athinë i "pakapshmi" Alket Rizaj me të dashurën e tij
ATHINË - Policia e Athinës ka arrestuar të hënën në mëngjes shqiptarin e shumëkërkuar, Alket Rizaj, i arratisur dy herë në mënyrë spektakolare nga burgjet greke, duke përdorur helikopter. Mediat e vendit fqinj njoftojnë se ai u arrestua në zonën e Sheshit pranë kryeqytetit grek, në një banesë ku po jetonte që prej arratisjes së tij nga burgu, në shkurt të këtij vitit bashkë me të dashurën e tij të quajtur “Shula”. Arratisja e tij dhe e një të shumëkërkuari tjetër grek, Vasilis Paleokostas, kishte bërë bujë të madhe. Sipas të dhënave të para, janë arrestuar edhe dy persona të tjerë me shtetësi shqiptare, në operacionin që drejtohej nga zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë në Greqi. Në operacion morën pjesë forca të shumta policore. Në banesën e tij u gjet një automatik kallashnikov, dy pushkë dhe një granatë dorë. Autoritetet thanë se i shumëkërkuari nuk bëri asnjë rezistencë.
Arrestimi
Policia e Athinës, e asistuar edhe nga homologë të saj ndërkombëtarë, por e ndihmuar me informacione edhe nga autoritetet shqiptare, organizoi një operacion special në orët e para të mëngjesit të djeshëm për kapjen e Alket Rizajt. Në të morën pjesë qindra policë, të pajisur me logjistikë moderne. Sipas mediave greke, për gjetjen e vendit ku fshihej Rizaj ishin marrë në konsideratë informacione edhe përmes të dashurës së tij, e cila e kishte ndihmuar për tu arratisur herën e dytë nga burgu i sigurisë së lartë. 33-vjeçarja greke, Shula jetonte në lagjen “Peristeri” të Athinës. Asaj i janë mbajtur nën përgjim telefonat dhe sipas tyre, Alket Rizaj, i ndryshuar tërësisht në pamjen e jashtme, ka shkuar të dielën në mbrëmje për ta takuar. Pasi kanë kaluar natën, në orën 7 të mëngjesit dera e banesës së Shulës që ndodhet në lokalitetin Ano Suli në Gramatiko, zonë periferike në Marathona, pranë Athinës është shpërthyer nga forcat policore, duke zënë në flagrancë, pa asnjë mundësi arratisje, shqiptarin super të kërkuar. Në ndryshim nga herët e tjera, ku Alket Rizaj kishte arritur të shpëtonte, kësaj here nuk kishte asnjë mundësi për tu larguar.
Zëvendës-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Joanis Rahovica i cili udhëhoqi operacionin, tha se forcat e tij sekuestruan në banesën ku jetonte Alket Rizaj me të dashurën e tij Shula, një automatik tip “Kallashnikov”, një automatik “Scorpion”, dy pushkë, disa pistoleta si dhe pesë bomba dore, pa llogaritur edhe një lumë fishekësh.
Ndërsa duke folur për minutat e arrestimit, tregoi se fillimisht, pasi banesa ishte e mbytur nga të katër anët me policë dhe agjentë, i bënë thirrje me megafon Alket Rizajt që të dorëzohet. Në banesë ndodheshin tre qen race të cilët Rizaj i kishte vendosur në anë të ndryshme për të sinjalizuar çdo person që mund të afrohej. Kjo ishte konstatuar nga policia e cila kur është afruar, më parë ka neutralizuar qentë duke i vënë në gjumë. “Në momentin që ne i bëmë thirrje që të pranojë prangosjen pa rezistencë, Alket Rizaj u përgjigj se nuk kishte ndërmend të dorëzohej madje tha se kishte plot bomba dore që të na hidhte në erë”, - ka treguar z. Rahovica i cili ishte njohur nga Alket Rizaj pasi e kishte arrestuar edhe janarin e kaluar të shumëkërkuarin. Pak minuta më vonë, një negociator i policisë është afruar në portën e banesës dhe ka komunikuar me Rizaj nga ana e brendshme e shtëpisë, duke i bërë të qartë se duhet të dorëzohej pa gjakderdhje pasi çdo përpjekje arratie nuk do t’i kishte sukses. Kjo duket se e ka bindur të riun shqiptar se pak më vonë ai ka hapur derën dhe me duart lart, ka thirrur policët të afrohen dhe pasi ka hedhur jashtë të gjitha armët e municionet sikundër iu kërkua, ka pranuar t’i vënë prangat. Pas tij, janë arrestuar edhe e dashura Shula si dhe u shoqërua çifti shqiptar që gjendej në banesë gjatë minutave operacionale. Djali dhe vajza shqiptare, emrat e të cilëve policia nuk i publikoi. Roli i tyre ishte të bënin blerje në dyqane për nevojat e banesës së Rizajt dhe të dashurës së tij Shula që nuk dilnin gjatë ditës duke iu ruajtur policisë. Policia sekuestroi edhe dy makina, “Benz Mercedes-in” e blinduar që ishte vjedhur para disa ditësh pranë një banke në Athinë dhe një makinë “Smart” i cili ishte grabitur në lagjen “Pangrati”.
Profil /Kush është Alket Rizaj
Alket Rizaj, 35 vjeç nga Ballshi, i biri i Donikës dhe i Ramizit, emigrant prej vitesh në Greqi, vuante dënimin për vrasjen e dyshuar të një qytetari grek, sipërmarrësin Thanasi Koropiotis. Sipas policisë, Alketi dyshonte se biznesmeni kishte lidhje me të dashurën e tij ruse, Roksana. Ngjarja ka ndodhur më 3 maj 2003. Autorët e rrëmbyen 30-vjeçarin grek Koropiotis në Marusi dhe më tej me një makinë e dërguan në pyjet e zonës së Atikis ku e ekzekutuan e më pas zhdukën kufomën. Policia fillimisht arrestoi tre bashkëpunëtorët e Rizajt, dy grekët dhe Kiriako Pakaturidi, Janguli Foka, si dhe një ruse Viktorja Taraseviç, ndërsa një muaj më vonë, në fund të vitit 2003, u arrestua edhe i dyshuari shqiptar Alket Rizaj, i cili konsiderohej po kaq i rrezikshëm sa edhe Nikos Paleokostas. Alketi u arrestua në “Nea Filadelfia”, ku bëri rezistencë në banesën e tij por më pas u prangos. Pas arratisë së bujshme të Alketit, e ëma Donika 56-vjeçare, deklaroi nga qyteti i Ballshit se djali ishte i pafajshëm dhe është burgosur me pa të drejtë për vrasje. “Djali im nuk ka bërë asgjë në Greqi dhe është dënuar kot dhe pa prova prej drejtësisë greke. Ai nuk ka pasur lidhje me ndonjë femër ruse ashtu si kanë publikuar mediat greke. Alketi as ka vrarë njeri dhe as është marrë ndonjëherë me vrasje apo me trafik droge”, ka qenë pohimi i Donikës. Ajo këmbëngul edhe kur thotë: “Djali im nuk është marrë me pisllëqe në Greqi. Për dhjetë vjet në emigracion ka sjellë në shtëpi 4 mijë euro dhe si emigrant, ka punuar në ndërtim e në një lokal banakier”. Duke folur për faktin se mediat e kanë kthyer në një personazh, Donika është shprehur: “Lajmi është fryrë shumë pasi djali im nuk është kriminel. Unë dua të më kthehet në shtëpi shëndoshë e mirë, pasi nuk ka bërë asgjë”. Ndaj ajo ka apeluar: “Eja në shtëpi dhe dorëzohu në policinë shqiptare që të kuptojnë se je i pafajshëm”.
17 Nentor 2009