Këshilltari i ministrit nën hetim për dëmin 6.5 milionë euro në Darfo
ELBASAN - Ish drejtuesit e DARFO-s, përfshirë edhe këshilltarin e ministrit të Ekonomisë, Eduart Belegu, janë vënë nën hetimin e prokurorisë për shpërdorimin në masën 6.5 milionë euro në koncesionin e kromit në Elbasan. Burimet zyrtare të organit qendror të akuzës bëjnë të ditur se “Prokuroria e Elbasanit ka nisur hetimet në procedimin Penal, Nr. 169, datë 16.02.2008. Sipas tyre, “veprimet hetimore janë kryer në ngarkim të shtetasve Eduart Belegu, administrator, Artur Belegu, Tonin Gjonaj, drejtor dhe Fatos Pengu, që të gjithë punonjës apo ish punonjës të kompanisë ‘Darfo’. “Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, i kanë shkaktuar një dëm shtetit në shumën prej 6.5 milionë euro gjatë periudhës 2004-2007, kohë në të cilën kanë marrë me koncesion Uzinën e Ferro-kromit në Metalurgjikun e Elbasan”, - thuhet në njoftimin e shpërndarë nga zëdhënësja e Prokurorisë së Përgjithshme, Holta Zhiti. Sipas tij, “Gjykata e Rrethit Elbasan ka caktuar masën e arrestit në burg për këta shtetas”. Njëri prej personave nën hetim, Eduart Belegu është këshilltar i Ministrit të Ekonomisë, zotit Dritan Prifti. Pak javë më parë, disa punonjës të uzinës së Ferro-kromit akuzuan drejtpërdrejt Belegun në takimin që patën me zyrtarët e lartë të ministrisë. Po ashtu, gjatë një deklarate të ministrit Prifti për koncesionin e kromit në vendin tonë, ai vlerësoi punën e Darfo-s në Elbasan dhe investimet që ka bërë, por kritikoi koncesionarin ruso-austriak ACR në Bulqizë, duke paralajmëruar edhe prishjen e kontratës. Gjithsesi, ministri i ri i Ekonomisë ka paralajmëruar futjen në sitë të gjitha koncesioneve dhe heqjen e tyre për ato kompani që nuk kanë respektuar marrëveshjen me shtetin shqiptar.
ISH-PUNONJËSIT E DARFO-s NË HETIM
Eduart Belegu, administrator
Fatos Pengu, drejtor
Artur Belegu
Tonin Gjonaj
17 Nentor 2009